Nishani-Ahmetit: Asociacioni dhe Demarkacioni të trajtohen nga ekspertët

557
Presidenti Nishani përshëndeti rolin personal të Ahmeti në drejtimin e Komunës së Prishtinës si dhe vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tij serioz në përmirësimin e përditshëm të jetës së qytetarëve të kryeqytetit të Kosovës, raporton Portali Albeu.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu progresin e bërë nga Kosova që nga dita e shpalljes së pavarësisë, duke evidentuar në mënyrë të veçantë intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy shteteve në të gjitha nivelet.
Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë, Presidenti i Republikës theksoi se është shumë e rëndësishme që progresi i bërë deri tani nuk duhet të pengohet nga lufta politike. 
“Trajtimi i çështjeve shumë madhore për të ardhmen e Kosovës, si ato të asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe të demarkacionit kufitar me vendet fqinje, duhet të trajtohen nga ekspertët e të zgjidhen me maturi politike e qasje të përshtatshme juridike”, theksoi Presidenti Nishani.
Zoti Ahmeti nga ana e tij e informoi Presidentin Nishani mbi praktikat anti-korrupsion të instaluara në Komunën e Prishtinës, si dhe mbi këndvështrimin e tij dhe të forcës politike që përfaqëson mbi zhvillimet dhe klimën politike në Kosovë.
Në fund të takimit, Presidenti Nishani e garantoi Ahmeti për angazhimin e tij personal, si dhe të të gjitha strukturave të shtetit shqiptar në mbështetje të Republikës së Kosovës në të gjitha hapat e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.
Sigal