Nis votimi për Parlamentin Europian, populistët në pozita të mira

523
Sigal

Ka nisur këtë të enjte procesi i votimit për të zgjedhur eurodeputetët e rinj të Parlamentit Europian mes frikës se forcat populiste dhe nacionaliste do të forcojnë pozitat në legjislaturën e re.

Ironikisht vendi i parë që voton është Britania e Madhe që synon edhe largimin nga Bashkimi Europian. Zgjedhjet në këtë vend nuk do të ishin mbajtur nëse Londra do të kishte arritur marrëveshjen e divorcit me Bashkimin Europian njohur si Brexit një muaj më parë.

Kështu Britania e Madhe pritet të dërgoje në parlamentin europian 73 eurodeputetë në një parlament europian të përbërë prej 751 anëtarësh. Ka zëra se Brexit mund të mos ndodhë kurrë, por nëse ndodh shtrohet pyetja se çfarë ndodh me eurodeputetët britanikë.

Parlamenti i ri europian konstituohet më 2 korrik dhe kryeministrja Theresa May shpreson të sigurojë një marrëveshje përpara se deputetët të zënë vendet e tyre në parlament, por nëse nuk e bën këtë, kandidatët e zgjedhur mund të qëndrojnë në ato vende për javë, muaj apo edhe vite. Nëse marrëveshja e Brexit arrihet, eurodeputetët britanikë largohen menjëherë nga institucionet në Bruksel dhe Strasburg. Përpos Britanisë së Madhe, një tjetër vend që voton sot për të zgjedhur 26 eurodeputetët e saj është Holanda.

Ndërkohë më 24 maj voton Irlanda dhe Republika Ceke, më 25 maj voton Letonia, Malta dhe Sllovakia ndërsa më 26 maj radhën për të votuar e ka Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Lituania, Luksemburgu, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Spanja dhe Suedia.

Vendi me numrin më të madh të eurodeputetëve është Gjermania me 96 anëtarë kjo për shkak të numrit të madh të popullsisë në këtë vend.

Matteo Salvini i Ligës së Veriut në Itali dhe Marine Le Pen i të djathtës ekstreme në Francë synojnë që grupimi i tyre i quajtur Europa e Kombeve dhe Lirisë të bëhet grupimi i tretë më i madh në Bruksel. Këto janë zgjedhjet e nënta për Parlamentin Europian që prej vitit 1979 dhe pjesëmarrja ka pësuar rënie në çdo proces.