Nis sot zgjedhja e anëtarëve të KLP-së

668
Do të nisin sot procedurat parlamentare për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Jemi në fazën e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Politika është shprehur me votë për këtë reformë. Ne do të ecim përpara tashmë. Ndryshimet u miratuan në 21-22 korrik. Palët politike, të gjitha, e shprehën atëherë vullnetin”, tha dje kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist, Ulsi Manja. Pavarësisht se opozita ka propozuar një amendament për t’i hapur rrugë ndryshimeve në Kushtetutë për zgjedhjen e Kryeprokurores, Manja tha se procedurat për ngritjen e KLGJ dhe KLP do të hapen të mërkurën. Ai theksoi se vendimmarrja i takon nënkomisionit ad hoc për sa i përket kandidaturave. “Jo vetëm do të tentojmë, por edhe opozita e ka detyrim adresimin e vendimeve te Gjykata Kushtetuese. Por nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese nuk e pengojnë punën e këshillave. E ka zgjidhur Gjykata Kushtetuese kur ka thënë se deri në adresimin e këtyre çështjeve, vijohet me nenet e shfuqizuara”, u shpreh Manja lidhur me nenet e rrëzuara të paketës së reformës në drejtësi. Sipas Manjës me opozitën nuk do të ketë kompromis në kurriz të Kushtetutës së vendit. “Nuk ka dhe s’do ketë kompromis në kurriz të Kushtetutës së vendit që e kemi miratuar bashkarisht me 140 vota. Kushtetuta dhe ligji është i qarte lidhur me ngritjen e këshillave, është parashikuar mekanizmi i zhbllokimit. N/kom ad hoc vijon punën dhe ne finale i takon seancës plenare vendimi”, nënvizoi Manja. Ndërkohë, Kuvendi ka rrëzuar renditjen e ONM-së për kandidatët e shoqërisë civile në KLP.

Procedura
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë. Sipas Kushtetutës e ligjit përkatës, Komisioni parlamentar i Ligjeve do të krijojë një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve joprokurorë, sipas ligjit. Ngritja e KLP-së u bllokua për tetë muaj për shkak të mungesës së kandidatëve nga shoqëria civile, ndërsa Kuvendi zgjodhi një kryeprokurore të përkohshme për të zëvendësuar Adriatik Llallën.
Sigal