Nis represioni, arrestime dhe ndjekje penale për opozitën

602
Policia e prokuroria nisin hetimet për 10 parlamentarë, mes tyre Edi Paloka e Monika Kryemadhi. Në qeli ndodhen disa mbështetës të PD-së
Dhjetë deputetë të opozitës do të ndiqen nga policia dhe prokuroria, pas protestës së 18 dhjetorit përpara Kuvendit dhe në sallën e seancave plenare, për të kundërshtuar zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve dhe nënkryetari i Parlamentit, Edi Paloka, dhe katër të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, përfshirë kryetaren Monika Kryemadhi, do të ndiqen në gjendje të lirë. Për tre prej tyre procedimi penal ka nisur për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”, lidhur me hedhjen e tymueseve në sallë. Të tjerët akuzohen për kundërshtim të forcave të policisë, ndërsa u përfshinë me masën e protestuesve në hyrje të parlamentit. Ndërkohë 6 protestues të tjerë janë arrestuar dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Procedimi ndaj deputetëve të opozitës dhe arrestimi i protestuesve u konfirmuan në një deklaratë të përbashkët të Drejtorisë së Policisë dhe prokurorisë së Tiranës. Sipas policisë e organit të akuzës, 10 deputetë janë proceduar në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të policisë. “Specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, në vijim të veprimeve për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e shtetasve që kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë gjatë protestës së opozitës të zhvilluar në datën 18 dhjetor 2017 para Kuvendit të Shqipërisë, kanë bërë arrestimin në flagrance” të gjashtë protestuesve, thuhet në deklaratë. “Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë protestës së zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, personat në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës, vepër penale e parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal”, theksohet në deklaratë. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E.M, 17 vjeç, lindur e banues në Tiranë dhe Sali Lusha, 62 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Procedimi në gjendje të lirë i tyre u bë, pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit. Si pasojë e veprimeve të dhunës nga protestuesit e opozitës, policia deklaron se morën dëmtime të konsiderueshme fizike 6 punonjës policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor. Po në vijim të veprimeve ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal në ngarkim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Flamur Noka (PD), Grida Duma (PD) dhe Edi Paloka (PD).

Gjithashtu ka filluar procedimi penal për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, parashikuar nga neni 235/2 Kodit Penal, në ngarkim të deputetëve Monika Kryemadhi (LSI), Flamur Noka (PD), Ervin Salianji (PD), Endrit Brahimllari (LSI), Kejdi Mehmetaj (LSI), Floida Kërpaçi (LSI), Klevis Balliu (PD) dhe Gent Strazimiri (PD). Për shtetasin Eno Bozdo ka nisur procedimi penal për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262/1 i Kodit Penal. Drejtoria e Policisë Tiranë deklaroi se po vijon ende punën për identifikimin, kapjen dhe vënien para drejtësisë të gjithë personave që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës.
Deputetë të proceduar
Për “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal:
Flamur Noka (PD)
Grida Duma (PD)
Edi Paloka (PD) 

Për “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, parashikuar nga neni 235/2 Kodit Penal:

Monika Kryemadhi (LSI)
Flamur Noka (PD)
Ervin Salianji (PD)
Endrit Brahimllari (LSI)
Kejdi Mehmetaj (LSI)
Floida Kërpaçi (LSI)
Klevis Balliu (PD)
Gent Strazimiri (PD) 
Qytetarë të arrestuar
R. XH, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë;
E. H, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje;
I. H, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje;
F. P, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje;
S. V, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë);
SH. P, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.
Qytetarë të proceduar
E. M, 17 vjeç, lindur e banues në Tiranë
S. Lusha, 62 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë
Eno Bozdo – “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262/1 i Kodit Penal.
Denoncimi: “Kontrolle në banesa pa autorizim”
Nënkryetarja e FRPD, Besa Petriti, ka denoncuar ndalimin nga policia të Halit Valterit, kryetarit të forumit rinor, dega 7 në Tiranë. “Forca policie, pa urdhër prokurorie apo vendim gjykate, kanë kërkuar të futen në banesën e Halitit. A thua se jemi ne kriminelët?”, shkruan ajo. “Në komisariatin nr. 2 të Tiranës për disa orë me radhë po mbahet kryetari i FRPD dega 7, Tiranë Halit Valteri. Nuk e di në cilin vend të Evropës, policia fotografon dhe pastaj arreston pa asnjë fakt të rinj që protestojnë paqësisht, në të drejtën që iu garanton Kushtetuta”, u shpreh Petriti. Sipas saj, të rinjtë e këtij vendi refuzojnë diktaturën e Edi Ramës.
Sigal