Nis puna për Territorialen, nuk preken komunat minoritare

452
Sigal

TIRANE – Harta e re territoriale e cila parashikohet të jetë gati më 20 korrik, nuk do të ketë më njësi nën 10 mijë banorë, si dhe nuk do të bashkojë komunat me përbërje minoritare, si pasojë e një rreziku të mundshëm të humbjes së identitetit. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi bëri sot publike se kjo reformë do të nisë fillimisht nga territori i rretheve.

Me arritjen e kuorumit, mazhoranca çeli këtë të hënë pa opozitën mbledhjen e parë të komisionit të posaçëm për Reformën administrative-territoriale, për të miratuar projektprogramin e detajuar të punës për këtë komision.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, foli para 8 anëtarëve të mazhorancës dhe kryetarit të Komisionit Bashkim Fino për konceptin e zonës funksionale  si një hapësirë e re territoriale që ka ndërveprim mes banorëve dhe institucioneve vendore për realizimin e veprimeve ekonomike, zhvillimore, sociale e kulturore. Sipas tij synohet që këto qendra të ofrojnë shërbime efikase për komunitetin. “Për të arritur në përcaktimin e kësaj zone, bëhet një analizë e detajuar e territoreve që bashkohen rreth qendrave urbane. Kriteri i përcaktuar është distanca e qendrë së re që do krijohet me periferinë. Tjetër kriter është parimi i vazhdimësisë territoriale, pra nuk duhet të krijojnë ishull territorialë. Një njësi e qeverisë vendore duhet të ketë një numër të konsiderueshëm banorësh, të bazuar edhe në karakteristikat gjeografike të zonës. Ky është sugjerim që vjen nga INSTAT i cili e ndan Shqipërinë në zona me densitetet të ndryshëm popullsie. Do t’i sugjerojmë komisioni disa mekanizma që të mundësojë shërbimin në disa komuna periferike që do të formojnë një njësi të madhe, të garantohet shërbimi minimal i përditshëm që mos ti mungojë dhe pas krijimit të njësive më të mëdha”, u shpreh ministri Çuçi.

Ishte kryetari i këtij komisioni, Bashkim Fino, ai që prezantoi para 8 anëtarëve të mazhorancës dhe ministrit për Çështjet Vendore mënyrën se si dë të funksionojë Komisioni për reformën territoriale.

Qeveria do t’i paraqesë komisionit maksimumi 3 variante të hartës së re dhe mbas dëgjimit me palët e interesuara, ky komision do të vendosë se cilën prej projekteve do të miratojë. Ky projekt për dy muaj, nga 20 Maji deri më 20 Korrik do të diktuohet me pushtetin vendor, komunat dhe bashkisë, e më tej diskutimet do të rikthehen sërish në Komision me një vendim përfundimtar për t’ia paraqitur Kuvendit për miratimin final.

Kapja e kohës së humbur u mëshua në sinkron si nga kryetari Fino ashtu edhe nga ministri Çuçi të cilët folën për një axhendë të ngjeshur të komisionit për reformën territoriale, me mbledhje thuajse në çdo ditë.

“Eshtë lënë rreth 2 muaj kohë që paralelisht qoftë komisioni, qoftë qeveria, qoftë edhe organizata të tjera jo qeveritare që janë të interesuara për një reformë gjithëpërfshirëse, i është lënë 2 muaj kohë për propozimet dhe mendimet e tyre. Duhet të fitojmë kohën e humbur, axhenda është e ngjeshur”, – tha Çuçi.

Ndërsa sa i përket bazës së të dhënave mbi popullsinë, Çuçi tha se do të jetë CENSUSI dhe jo gjendja civile. “Ka pjesë të censusit që nuk janë pranuar. Përsa i përket numrit të popullisë s’ka ndonjë kundërshtim të madh me rezultatet që ka sjellë CENSUSI, ai është shumë më afër realitetit dhe prezencës fizike të shqiptarëve sot se sa gjendja civile. Kjo e shteron debatin nëse duhet të përdorim gjendjen civile apo CENSUSIN”, u shpreh ministri.

Ministri solli në vëmendje të gjitha takimet e kryera nga shtatori me përfaqësues të ministrive, pushtetit vendor, shoqerisë civile si dhe ekspertëve, për krijijmin e bashkive që vetëqeverisen në bazë të modelit të decentralizimit. “Një analizë e detajuar e funksionimit e qeverisjes vendore në Shqipëri e përmbledhur në 300 faqe, produkt i një grupi ekspertësh vendor dhe ndërkombëtarë. Pas analizës janë përcaktuar një grup kriteresh, thellësisht teknike, dhe jo politike. Nisen nga krijimi i kushteve për të krijuar bashki që do të jenë në gjendje që të vetëqeverisen në bazë të modelit të decentralizimit. Nga shtatori kemi diskutuar me mbi 1880 persona, 400 kanë qenë pjesë të ministrive, 800 të pushtetit vendor, 300 të shoqërisë civile dhe biznesit, 200 të organizatve ndërkobmëtare, mbi 50 ekspertë teknikë, mbi 50 përfaqësues të medias”, – tha ministri Çuçi.

PERBERJA E KOMISIONIT VETEM ME ANETARET E MAZHORANCES

Bashkim Fino – Kryetar
ArmandO Subashi – Sekretar
Blendi Klosi – Anëtar
Petrit Vasili – Anëtar
Musa Ulqini – Anëtar
Andrea Marto – Anëtar
Sivla Caka – Anëtare
Blerina Gjylameta – Anëtare
Namik Kopliku -Anëtar

MAZHORANCA FITOI KUORUMIN, BMLEDHJA E PARE PA OPOZITEN
Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën administrative-territoriale është mbledhur për herë të parë, (përveç asaj të konstituimit më 23 janar) tre muaj nga krijimi i tij, pa pjesëmarrjen e opozitës.

Komisioni nis punën në kushtet kur mazhoranca ka fituar kuorumin me marrjen e një anëtari më shumë se sa opozita (9 mazhoranca-8 opozita) miratuar këtë të enjte në Parlament me votat e shumicës. Formula e përbërjes së tij dhe zgjatja e afatit të Komisionit me 2 muaj, erdhi pas bojkotit të opozitës për tu bërë pjesë, me argumentin se nuk i garantohet konsensusi nga fillimi deri në fund të realizimit të kësaj reforme, që opozita e ka konsideruar edhe elektorale.