Nis ndëshkimi, Shqipëria nuk ftohet në festën e SHBA

444
Ambasadorja shqiptare në OKB, Besiana Kadare, nuk është e ftuar në festën e homologes së saj amerikane, Niki Halej. Në festën e ambasadores amerikane, më datën 3 janar, janë të ftuar vetëm ata diplomatë, që me votën kundër rezolutës, abstenimin apo mospjesëmarrjen në votim mbështetën Shtetet e Bashkuara. Shqipëria votoi pro dokumentit, i cili ndër të tjera thotë se “Rezoluta pohon se çdo veprim dhe aksion që synon ndryshime në statusin e qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk ka asnjë efekt ligjor, është i pavlefshëm dhe duhet të shfuqizohet në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Prandaj, kjo u kërkon shteteve të përmbahen nga vendosja e misioneve diplomatike në qytetin e Shenjtë të Jeruzalemit”. Përpara votimit, ambasadorja amerikane bëri të qartë qëndrimin amerikan. “Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, organizmi më i madh në botë. Do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, deklaroi ambasadorja Halej. Rezoluta kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-të u votua me një shumicë prej 128 votash pro, 9 kundër dhe 35 abstenim.


Sigal