Nis hetimi për Haxhinaston dhe Dashamir Xhikën

451
Bllokimi rrugës në aksin Elbasan – Librazhd si pasoje e shembjes së argjinaturës me një distance prej 100 metrash, solli vështirësi në qarkullim në këtë segment, duke nxjerrë edhe një skandal të fshehur deri më tani për lidhjen e kontratave me firmat e mirëmbajtjes së rrugëve. Ndërkaq përmbytjet e fundit nxorën në pah mangësitë e Ministrisë së Transportit dhe ARRSH-së në mirëmbajtjen rrugore. Mungesa e mirëmbajtjes bëri që të bllokoheshin akset kryesore dhe solli dëme të pakthyeshme në infrastrukturën rrugore si në rastin e Librazhdit, Fushë-Arrëzit apo Gramshit. Shumë nga këto akse kanë qenë të pambuluara me kontrata mirëmbajtje që në muajt Qershor dhe Gusht. Ndërsa këto kontrata duhej që të lidheshin që në muajin gusht, në fakt janë lidhur në mes të dhjetorit, duke i bërë klienteliste dhe duke mos bërë të mundur mirëmbajtjen e duhur të rrugëve në vendin tonë.
Vonesat në lidhjen kontratave
Vonesat ne lidhjen e kontratave të mirëmbajtjes për akset kryesore rrugore të vendit kanë sjellë si pasoje situatën kaotike në qarkullim, e dalë në pah nga reshjet e dendura të ditëve të fundit. Ministria e Transportit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk kanë marrë asnjë masë të nevojshme për mbarëvajtjen e situatës së rënduar rrugore. Firmat të cilat kanë fituar tenderat e mirëmbajtjes nuk u përgjigjen, sepse shumica e tyre nuk janë paguar.
Ndërkohë që në prag të stinës së dimrit priten reshje dhe situata të rënduara rrugore, Ministri Haxhinasto në plan të parë ka patur sinjalistikën rrugore. Kështu, janë nënshkruar kontratat e tenderimit me kompanitë të cilat kanë marrë pjesë në tenderin e “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi, loti 2”. Sipas të dhënave nga Autoriteti Rrugor, Lotet 1 dhe 2 lidhen me përmirësimin e sinjalistikës të segmentit Rrogozhinë- Kapshticë dhe segmentit Vorë-Hani i Hotit.
Të dhënat nga Agjencia e Prokurimeve Publike
Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve publike (buletini i njoftimeve publike, njoftim i bërë në datën 30.09.2015), tenderin për “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi, loti 2”, e ka fituar “Jubica”, ndërsa operatori i skualifikuar ishte “RSM Company”. Ky aks rrugor fillon ne Vorë dhe vazhdon deri në Hanin e Hotit dhe kishte një fond limit 499 836 637 lekë pa TVSH. “Jubica shpk” dha një ofertë prej 484 339 653 lekë, ndërsa kompania e skualifikuar pati mangësi në dokumentacion dhe është skualifikuar.
Ndërsa për lotin 1, përmirësimi i sinjalistikës në segmentin Rrogozhinë-Kapshticë, pjesmarrës në tender ishin “IDK Konstruksion” dhe RSM Company, ku fitues është shpallur e para.
Hetimi nga Autoriteti i Konkurencës
Autoriteti i Konkurrencës me shkresën nr 378 prot, kërkoi informacion nga “Autoriteti Rrugor Shqiptar”, lidhur me procedurat e prokurimit të realizuara në datat 07.09.2015 dhe 09.09.2015 me objekt: “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi, Loti 1 dhe Loti 2”.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit lidhur me dy lotet e procedurës së mësipërme rezulton se firmat fituese në të dy lotet kanë qenë shumë pranë fondit limit (96 dhe 97 %) si dhe ka një mungesë të pjesëmarrjes së operatorëve aktivë në tregun përkatës në procedurat e prokurimit në të dyja lotët, përfundon njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës.
Sigal