Nis Asambleja e Partisë Socialiste, Balla flet për situatë gri: Nuk jemi ku duhet, është e nevojshme që…

503
Është mbledhur Asambleja e Partisë Socialiste mëngjesin e sotëm, ku pritet të bëhet edhe një analizë e qeverisjes së socialistëve në 100 ditët e para, por dhe prioritetet për vitin 2018. Në nisje të mbledhjes, sekretari organizativ i partisë Taulant Balla tha se Partia Socialiste do të qeverisë me largpamësi dhe besnikëri.
Duke u ndalur tek situata brenda Partisë Socialiste, deputeti Balla tha se duhet të bëhet akoma më shumë në nivel organizativ. Duke e përshkruar si situatë gri gjendjen brenda partisë, Balla tha se brenda 200 ditëve duhet të ndryshohet situata brenda PS.
“Qeverisja jonë përbëhet nga 3 pjesë, partia, grupi parlamentar dhe qeveria, por është një proces i vetëm, nëse të treja pjesët bashkëjetojë në harmoni…partia është baza dhe ura lidhëse me njerëzit e zakonshëm. Jemi larg pozicionit ku duhet të gjendemi në çdo qark pa asnjë përjashtim. Kohën e nevojshme e kemi para por nëse dielli duket që në mëngjes, 100 ditët e para kanë kaluar por 200 të tjera janë përpara për të shpërbërë gjendjen aktuale gri të partisë sonë”, u shpreh Balla.
Deputeti socialist u ka tërhequr vërejtje delegatëve që nuk janë angazhuar për realizimin e funksioneve dhe detyrave të tyre.
Në këtë mbledhje mësohet se ministrat e qeverisë “Rama2”, do të bëjnë bilancin e realizimit të objektivave që prezantuan tre muaj më parë në asamblenë e 7 tetorit.
Kjo është analiza e parë që qeveria bën për qeverisjen e saj e vetme, ndërsa peshën ia ka vënë dhe bashkëqeverisjes me qytetarët.
Se si ka ecur platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët, do të ketë një raportim të Koordinatores Kombëtare për Bashkëqeverisje, Elisa Spiropali, e cila zëvendësoi Saimir Tahirin në këtë detyrë.
Në mbledhjen e së shtunës, sekretariati ekzekutiv mësohet se do të pësojë ndryshime. Pritet të ketë emërtime të reja të sekretarëve, duke ndryshuar dhe funksionin e tyre, ndërsa nuk priten ndryshime të emrave aktualë.
Aktualisht 8 sekretarët e PS janë Bashkim Fino, Alfred Peza, Musa Ulqini, Stefan Çipa, Elisa Spiropali, Blerina Gjylameti, Ilir beqaj, dhe Taulant Balla, i cili prej muajsh mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste.
Në asamble, pritet të mbajë fjalën e tij edhe kryesocialisti Edi Rama. Me interes pritet të dëgjohen prej tij prioritetet e qeverisë për vitin 2018.
Sigal