Nikolla: Ndryshime në administratë

Drejtuesja e Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës, Lindita Nikolla, ka vijuar turin e dëgjesave publike “Bashkëqeverisje me Qytetarët” në Kurbin. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Laçit, Mamurrasit, Milotit dhe Fushë Kuqes, Lindita Nikolla theksoi se vota e 25 qershorit është një përgjegjësi e shtuar për t’i dhënë fund gabimeve të së shkuarës. Gjithashtu, Nikolla vuri theksin tek fakti se historia e administratës në shërbim të të fortëve dhe korrupsionit, jo vetëm në Kurbin por në të gjithë qarkun e Lezhës, ka marrë fund. Në fjalën e saj drejtuesja politike e PS në Qarkun e Lezhës, Lindita Nikolla, theksoi se pjesë e sistemit të administratës do të jenë vetëm ata njerëz të mirëpërgatitur të cilët do të jenë në shërbim të plotë të qytetarëve. Në bashkëbisedimin me qytetarët, Nikolla theksoi vendosmërinë e kryeministrit Edi Rama në ndërtimin e një sistemi që në bazë ka meritën dhe transparencën. Gjatë bashkëbisedimit qytetarët shprehën shqetësimet, por edhe sugjerimet e tyre.