Niko Peleshit i vjen mendja rrotull, nuk di si ta ndalë humbjen e bashkisë

519
KORÇË- Ish-kryebashkiaku i djeshëm i Bashkisë Korçë dhe zëvendëskryeministri i sotëm i Shqipërisë, Niko Peleshi, së fundi duket se ka vendosur të stacionohet në qytetin e Korçës, për të ndjekur nga afër fushatën elektorale të mikut të tij, Sotiraq Filo, kandidat për kryetar bashkie. Por ardhja e tij në Korçë nuk po shihet si një gjë e zakonshme, si një mundësi më shumë për ndihmë, por si një lëvizje e kushtëzuar, pasi çdo ditë e më shumë socialistët po ndjejnë së kësaj radhe bashkinë e qytetit e kanë të humbur. Kjo është edhe arsyeja që mes socialistëve ka filluar të ndihen shenjat e një nervozizmi të dukshëm. Gjithashtu, kjo pasiguri e tyre po shoqërohet edhe me një lloj irritim që gjithnjë e më shumë po del në pah. Mbi të gjitha paniku i humbjes po i nxjerr përherë e më tepër nga vetëpërmbajtja, nga vetëkontrolli dhe përgjegjshmëria, duke u nxitur kështu për ta shndërruar pushtetin në kërcënim dhe terror për qytetarët e Korçës dhe gjithë biznesmenët që përkrahin kandidatin e Partisë Demokratike, rektorin e Universitetit “Fan Noli”, z. Gjergji Mero. Pra, nga sa shihet, ardhja e Peleshit në Korçë u bë pikërisht kur fushata elektorale e kandidatit Sotiraq Filo kishte mbërritur në pikën më kritike të saj. Por a do të jetë në gjendje z. Peleshi që ta nxjerrë mikun e rij Filo nga humnera ku ka rënë. Përshkrimi i mëposhtëm i situatës do ta tregojë qartë këtë gjë.
Terror
Ndërsa ditët e fushatës elektorale po kalonin me shpejtësi njëra pas tjetrës, Sotiraq Filo dhe stafi i tij nuk kishin si të mos vinin re se mbështetja e kundërshtarit të tyre, z. Gjergji Mero, po shënonte rritje, ndërsa gjendja e tyre po bëhej vazhdimisht e më vështirë dhe mundësia për fitore gjithnjë e më e pashpresë. Situatën nuk e kishin më nën kontroll. Për këtë arsye, të gjendur nën efektin e panikut të humbjes, nisën terrorin ndaj gjithë mbështetësve të kandidatit të Partisë Demokratike. Më të terrorizuar se kushdo tjetër u ndjenë biznesmenët e qytetit të Korçës. I gjendur në këto kushte, kandidati Gjergji Mero, gjatë takimeve me mbështetësit e tij e pa të udhës të denonconte terrorin që vinte nga administrata e Bashkisë Korçë. Gjatë fjalës së tij Gjergji Mero tha: “Ka një terror të paprecedent ndaj qytetarëve dhe bizneseve që po mbështesin programin e djathtë. Por fryma e fitores,- u shpreh ai,- nuk ndalet, sepse njerëzit kërkojnë shpëtim për të dalë nga kriza”. Pas kësaj, Mero garantoi se me bashkinë e re, korçarët nuk do të diskriminoheshin për shkak të bindjeve të tyre partiake, pasi bashkia do të ishte shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj. Kjo situatë shënoi dhe pikën më të ulët të fushatës për kandidatin Sotiraq Filo. Ndaj z. Peleshi vendoset të shfaqet në Korçë si shpëtimtar i Filos. A do të mundët vallë?
Kur të vjen mendja rrotull
Janë të shumtë ata që thonë se tashmë z Peleshi ka filluar t’i vijë mendja rrotull, pasi duket se nuk ka asnjë ide nga mund ta kapë situatën e krijuar. Mbi të gjitha vet Peleshi nuk ndryshon shumë nga z. Filo, që të dy ngjasojnë si dy pika uji. Çfarë mund të thotë ai për Sotiraq Filon, kur karriera e rivalit të tij është tepër e pasur. Gjithkush e di që z Gjergji Mero, ka një reputacion të lartë shoqëror dhe profesional. Është i rritur dhe i shkolluar në Korçë, ka punuar për shumë vjet profesor në Universitetin “Fan Noli” po në Korçë, ku për tetë vite është rektor i këtij universiteti. Gjatë këtyre viteve falë reformave menaxhuese dhe projekteve të shumta dhe ndërkombëtare, bashkë me kolegët e tij transformuan infrastrukturën e Universitetit; ndërtuam tri godina të reja, 14 laboratorë dhe shtuan 26 mjedise të reja universitarë në funksion të rritjes së kërkimeve shkencore dhe analizave laboratorike për studimet e tregut bujqësor dhe prodhimet e fermerëve. Gjatë kësaj kohe, gjithkush e di, që zyra e tij ka qenë e hapur për çdo student, koleg dhe familjar që kërkonte mbështetje për shkollimin e fëmijës së tij. Ndihma e tij për të pajisur të rinjtë me dije nuk mungoi ndonjëherë. Ndaj përballë këtij kandidati çfarë do t’i thotë z. Peleshi elektoratit të vet për z. Sotiraq Filo? Por nuk është vetëm kjo. Vetë Peleshi nuk ka ndonjë histori suksesi në Bashkinë e Korçës
Dhe vjen një ditë…
Tashmë Peleshi gjendet saktësisht në atë momentin që nuk e dëshiron askush, kur çdokush mund t’i përmendë shprehjen e njohur: “Dhe vjen një ditë…”, e cila ka një nëntekst të qartë, të bën të kuptosh se nuk ke qenë ai që ke pretenduar, por dikush tjetër… Dhe kjo është e vërteta. Z. Peleshi do të mbahet mend si kryebashkiaku që e ndau Korçën në dy gjysma, që punësimin në bashki dhe institucione të tjera e vuri mbi kritere të pastra fetare duke përçmuar, paragjykuar dhe lënduar pjesën tjetër të qytetarëve të Korçës. Këtë të vërtetë, sa të hidhur dhe dëshpëruese, tashmë e dinë të gjithë, jo vetëm Korça, por edhe komunat Bulgarec, Drenovë, Mollaj, Lekas, Vithkuq, Voskopjë dhe Voskop së bashku me fshatrat e tyre, popullsia e të cilave shkon në 30 mijë banorë. Të shtatë komunat e përmendura më sipër, asnjëra prej tyre, nuk e dëshiron frymën e ndarjeve fetare, ndaj Peleshi e ka të vështirë sot të mbajë fjalime para njerëzve dhe ata ta besojnë, ndaj zotit Peleshi i vjen mendja rrotull, sepse vjen një ditë… kur nuk mund të mashtrosh dot askënd. Megjithatë zgjedhësit e kanë një pyetje: Çfarë të ka mbetur ende pa thënë z. Peleshi?
Sigal