Niazi Jaho:Deklaratat për standardet të realizohen në praktikë!

454
Sigal

INTERVISTA/Flet Konstitucionalisti Niazi Jaho

 -Zoti Jaho, sipas jush a ka shanse që në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, të arrihen standardet e kërkuara?

 -Në radhë të parë e shikoj të nevojshme të përmend se unë nuk jam as analist i kësaj fushe dhe as i angazhuar në sondazhe, por njohës i legjislacionit zgjedhor. Disa mendime që kam shprehur lidhur me zgjedhjet janë kryesisht të natyrës profesionale. E shikoj të nevojshme të theksoj gjithashtu se, standardet që na kërkohen i shërbejnë në radhë të parë vendit tonë, zhvillimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike. Nëse problemin e standardeve do ta shikonim thjesht në aspektin rigoroz të ligjit, nuk do të ishte vështirë të deklaronim se mundësitë ose shanset për të arritur standardet e kërkuara në zgjedhje, ekzistojnë. Por duhet pasur parasysh se organet përfaqësuese qoftë Kuvendi apo ato të qeverisjes vendore janë rezultat i garës midis subjekteve zgjedhore. Në këto kushte një faktor tjetër i rëndësishëm për zgjedhje të lira të ndershme dhe me standarde është edhe vullneti politik. Parashikime se në çmasë ose në ç’nivel do të arriheshin standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 nuk mund të bëj. Kjo mendoj se do të kërkonte analiza të thella dhe të gjithanshme që do të mundësonin sqarimin e çështjeve të mëposhtme: Së pari do të duhej të konkludonim përse deri më sot nuk i kemi arritur këto standarde dhe cilët faktorë kanë ndikuar në këtë drejtim. Së dyti në vazhdim të konkluzionit të parë do të duhej të përcaktonim çfarë masash do të duhej të merreshin për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe demokratike në kushtet konkrete të vendit tonë. Së treti nëse deklaratat e drejtuesve partiakë (të subjekteve zgjedhore) që angazhohen për zgjedhje të lira dhe të ndershme a do të gjenin konfirmim në veprimtarinë praktike. Së fundmi si paraqitet aktualisht atmosfera parazgjedhore dhe në ç’mënyrë subjektet zgjedhore do të shpalosnim programet e tyre. Kam mendimin se situatat e tensionuara dhe gjuha e urrejtjes ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

-Në aspektin ligjor të problemit, çfarë mund t’i shërbente arritjes së standardeve?

-Në këtë fushë ne kemi përvojë si pozitive edhe negative, por sipas mendimit tim megjithë ndryshimet e shumta që i janë bërë Kodit Zgjedhor, pozitiven ende nuk e kemi konsoliduar me synim zhvillimin e mëtejshëm të saj, ndërsa për negativen ose nuk kemi reflektuar ose e kemi minimizuar. Për ta mbështetur këtë mendim do të mjaftonte ti hidhej në sy raporteve të OSBE/ODIHR-it. Në to (sidomos në dy raportet e fundit) janë evidentuar mjaft shkelje të ligjit. Kjo ka ardhur jo thjesht nga mosnjohja e tij, por sidomos nga qëndrimet dhe veprimet e politizuara të komisioneve zgjedhore. Tërheq vëmendjen sidomos raporti i fundit i OSBE/ODIHR-it (2011) ku në adresë të KQZ-së dhe pjesërisht edhe të Kolegjit Zgjedhor, janë evidentuar disa vërejtje serioze. Prandaj arritja e standardeve veç të tjerave do të mund të realizohej nëse organet që administrojnë zgjedhjet do të zbatonin vetëm ligjin, nëse ato nuk do ti nënshtroheshin ndikimit ose presionit politik.

-Ju i jepni rëndësi të veçantë njohjes së ligjit (Kodit Zgjedhor), por a ka boshllëqe në këtë drejtim?

-Nuk do të ishte e drejtë të thuhej se ligji, pra edhe Kodi Zgjedhor është i përsosur, pikërisht për këtë arsye herë pas here atij i janë bërë ndryshime. Megjithëkëtë kam pasur dhe kam mendimin se nuk është normale që Kodi Zgjedhor pas çdo zgjedhjeje të pësoj ndryshime. Vitin e kaluar për shembull u ndryshuan rreth 60% të neneve të Kodit Zgjedhor të miratuar në vitin 2008. Nevoja për njohjen e ligjit natyrisht që është një element i rëndësishëm, por pa zbatimin e tij nuk do të kishte vlerë. E shikoj të nevojshme të përmend se për shkak të kohës relativisht të pamjaftueshme mendoj se nuk e ka pasur të lehtë të njihet me Kodin Zgjedhor KQZ-ja e re dhe sidomos Kolegji Zgjedhor që, në mos gabohem u zgjodh me short në 8 dhjetor 2012. Në këtë vështrim objektivisht krijohet edhe ndonjë vështirësi në zbatimin e dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor që në mjaft raste janë në korelacion me njëra-tjetrën.

-A mund të shprehni ndonjë mendim për punën e KQZ-së?

-Brenda një kohe kaq të shkurtër nga krijimi dhe funksionimi i saj dhe vetëm duke u bazuar në ndonjë informacion jo të plotë mediatik, vështirë të japësh mendime të sakta dhe të argumentuara. KQZ-ja siç dihet është krijuar në bazë të propozimeve të partive politike përkatëse. Me kalimin e kohës dhe në praktik do të bëhet e qartë nëse ajo do të zbatojë ose jo me rigorozitet ligjin. A do të tregohet ai i paanshëm, domethënë nëse do të veprojë në përputhje me ligjin integriteti i tij do të vlerësohet nga të gjithë, madje edhe nga vetë zgjedhësit. Ka disa vendime që sipas kodit duhet të miratohen me votat pro të jo më pak se 5 anëtarëve të KQZ-së. Kam përshtypjen se KQZ-ja mund të bënte më tepër përpjekje për arritjen e konensusit në përputhje me ligjin lidhur me caktimin e mandateve të çdo zone zgjedhore si dhe miratimin e zonave të administrimit zgjedhor. Mund të sugjeroja gjithashtu se pavarësisht nga kundërshtitë në mendime dhe të debatit që në ndonjë rast në KQZ mund të jetë disi i elektrizuar me durim dhe transparencë duhet të shmangej çdo lloj elementi i trajtimit politik të çështjes. Batutat e natyrës partiake jo vetëm prishin punë, por siç dihet nuk janë argumente ligjore.  E theksoj këtë duke patur parasysh edhe përvojën negative të KQZ-së të mëparshme. Nëse elementët e mësipërm do të vijnë në rritje ose do të trashen, publiku do ta ketë vështirë të bëjë dallimin midis anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesve të partive politike në këtë komision. Si rrjedhim do të lindin dyshime edhe në vendimmarrjet e KQZ-së. KQZ-ja mendoj se do të jepte një kontribut të vlefshëm nëse do të tregohej aktive në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, nëse ajo do të parandalonte në kohën e duhur shkeljet e ligjit. Është në kompetencë të KQZ-s që të zbatonte edhe sanksionet e parashikuara ndaj shkelësve të ligjit dhe në raste të veçanta të bëheshin edhe kallëzime penale. Por këto masa mendoj se nuk do të kishin efekt parandalues dhe edukativ nëse do të merreshin me vonesë ose proceset hetimore dhe ato gjyqësore do të zvarriteshin pa fund siç në fakt edhe ka ndodhur.