Niazi Jaho/ Pengimi i ushtrimit të detyrës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar dënohet me ligj

495
Partitë politike, organizatat joqeveritare, qytetarët, grupe politike organizojnë tubime dhe protesta, që jo gjithmonë janë paqësore. Madje, dilema më e madhe e qytetarëve është, nëse duhet apo jo të organizohen këto tubime në qytete apo edhe në zonat rurale për çështje politike apo probleme sociale? Lakohet gjithmonë fakti se tubimet paqësore janë e drejta themelore e qytetarit në një shtet demokratik. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, konstitucionalisti i njohur, Niazi Jaho pohon se shprehja e lirë e mendimtarëve nëpërmjet organizimit të tubimeve, formimi i kërkesave apo ankesave edhe në rastet kur ato mund të jenë shqetësuese dhe të ashpra në përmbajtje, nga një anë tregojnë sesa dhe si reagojnë apo reflektojnë organet apo individët përkatës, drejtues të institucioneve.  

Z.Jaho, këto kohët e fundit janë zhvilluar disa takime, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit, madje edhe në fshat. Ka patur ankesa të shumta për qeverinë, për ministri të veçanta, për organet e pushtetit lokal. Por në ndonjë rast kanë ndodhur edhe përplasje mes pakicës dhe tubuesve. Në aspektin ligjor të problemit, do të dëshironim të shprehnit ndonjë mendim apo vlerësim?
-Fillimisht më lejoni të theksoj atë që është kryesorja. Zhvillimi i tubimeve është një nga të drejtat themelore politike. Nëse nuk konceptohet e drejtë kjo çështje, nuk mund të ketë koncept të drejtë as për lirinë e shprehjes. Pushteti i zgjedhur me votën e popullit, dhe administratë shtetërore, janë nën kontrollin e shtetasve dhe në shërbimin e tyre. Në këtë vështrim, shprehja e lirë e mendimtarëve nëpërmjet organizimit të tubimeve, formimi i kërkesave apo ankesave edhe në rastet kur ato mund të jenë shqetësuese dhe të ashpra në përmbajtje, nga një anë tregojnë se sa dhe si reagojnë apo reflektojnë organet apo individët përkatës, drejtues të institucioneve. Duke sanksionuar të drejtën e tubimit, Kushtetuta ( neni 47 i saj) kërkon gjithashtu që ato të jenë paqësore dhe pa armë. 
 A ndonjë kufizim për zhvillimin e tubimeve? 
-Sipas pikës 2 të nenit 47 të Kushtetutës, tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik, bëhen në bazë të procedurave të parashikuara me ligj. Në ligjin Nr. 8773 datë 23.04.2001
Sigal
, në nenin 2 , kuptohen sheshet, bulevardet, rrugët dhe çdo mjedis tjetër që shfrytëzohet lirisht për lëvizjen e qëndrimin e çdo individi> ( pika 3). Sipas nenit 5 të ligjit mësipërm, në rastet kur kërkohet që tubimi të zhvillohet në sheshe ose vendkalime publike, organizatori/ organizatorët janë të detyruar të njoftojnë më shkrim shefin e komisariatit përkatës të policisë, jo më vonë se tri ditë para datës së zhvillimit të tubimit. 
Megjithëse njoftimi mund të bëhet në afatin e caktuar, shefi i komisariatit, a ka të drejtë të refuzojë kërkesën, domethënë të ndalojë zhvillimin e tubimit? 
-Nëse respektohet afati i mësipërm, nëse në njoftimin me shkrim përmbushen kërkesat e pikës 2 të nenit 5 të ligjit si rregull shefi i komisariatit, organizatori ose drejtuesit të tubimit, ndalimet dhe kufizimet e mundshme pavarësisht nga vendimi për lejimin e tubimit. 
Në ç’rast mund të refuzohet dhënia e lejes së tubimit? 

Raste të tilla, mendoj se duhet të jenë të rralla dhe të motivuara. Si të tilla, në ligje përmenden rastet kur zhvillimi i tubimit përbën rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit,, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tjerëve. Por, edhe në këto raste, zgjidhja e vetme nuk është ndalimi. Shefi i komisariatit mund të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit. 
“Në sigurinë publike”, përfshihen të drejtat themelore, të shtetasve: Jeta, shëndeti, liria, nderi, prona, pasuria e individit, moscenimi i rendit publik të institucioneve etj. Liria e tubimit, mund të kufizohet për mbrojtjen e të drejtave po aq të rëndësishme, duke ruajtur rigorozisht parimin e propocionalitetit. 
A parashikohen me ligj takime spontane dhe çfarë qëndrimi mbahet ndaj tyre?

-Kur grupe njerëzish grumbullohen në mënyrë spontane dhe nuk cenojnë rendin publik, veprimtaria e tyre nuk përfshihet në përkufizimin e tubimit. Me shprehjen “spontane”, duhet kuptuar grumbullimet që nuk janë planifikuar por kushtëzohen nga moment dhe zhvillohen pa organizatorë ose drejtues. Për arsye objektive, njoftimi për to është i pamundur. Nëse edhe në këto raste, njoftimi do të ishte i detyrueshëm, kjo do të çonte në ndalimin kategorik të grumbullimeve spontane. Si rrjedhim, mendoj se kjo do të binte ndesh me nenin 47 të Kushtetutës. 
Po nëse zhvillimi i tubimit vlerësohet se është urgjent, si veprohet? 

Në tubimet, d.m.th grumbullimet, manifestimet, parakalimet paqësore dhe pa armë, në të cilat ( përmendëm më lart), një grup personash shprehin kërkesat dhe pikëpamjet e tyre për probleme nga më të ndryshmet që janë të interesuar, përfshi edhe tubimet urgjente. Sipas nenit 7 të ligjit, tubime të tilla mund të zhvillohen, por duke respektuar afatin tre ditë para ditës së tubimit. Megjithatë edhe në këto raste, njoftimi duhet bërë, jo më vonë se 3 orë para kohës së zhvillimit të tubimit. 
 Cila është detyra e Policisë së Shtetit, në rastet e zhvillimit të një tubimi? 
-Policia e Shtetit, sipas ligjit garanton dhe mbron të drejtën e çdo personi për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë. Mund të ndodh që pjesëmarrës të veçantë në tubim, ose një grup personash kryejnë akte dhune. Në këtë rast, oficeri i policisë, mund të urdhëroj largimin e tyre nga tubimi, gjë që do t’i shërbente zhvillimit normal të tij. Në këtë drejtim, ai bashkëpunon me organizatorët apo drejtuesit e tubimit. Në rast se nuk gjen mbështetjen e tyre, ose ata në këtë apo atë mënyrë e tolerojnë ose e nxisin këtë gjendje, oficeri i policisë, është përgjegjës për të ndihmuar dhe vëzhguar tubimin urdhëron ndërprerjen e tij. 
6- Për zhvillimin normal dhe paqësor të tubimit, a ngarkohet me ligj edhe organizatori i tubimit? 
Ne nenin 11 të ligjit thuhet: Drejtuesi i tubimit është përgjegjës për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e tubimit. Ai duhet të mbështesë policinë në ruajtjen e rendit, te vendoset për ndryshimin, vazhdimin dhe mbylljen e tubimit, të lejojë marrjen e fjalës, të ndërpres oratorët më fjalën e tyre dhe të deklarojë mbylljen e fjalimeve ose tubimit. Drejtuesi i tubimit dhe ndihmësit e tij kanë autoritetin për të dhënë urdhra pjesëmarrësve në tubim, me qëllim ruajtjen e rendit. 
Ç’faj ka drejtuesi i tubimit, nëse nuk zbatohen urdhrat e tij? 
Kur pjesëmarrësit nuk zbatojnë urdhrat e tij dhe rrezikohet mbarëvajtja e tubimit, drejtuesi duhet te mbyllë tubimin. E shikoj të nevojshme të përmendet në njoftimin me shkrim që i drejtohet Komisariatit të policisë përkatëse, veç të tjerave duhet të përmendet qëllimi i tubimit, fillimi dhe përfundimi I tij, personat që do të flasin etj. Pjesëmarrësit në tubim janë të detyruar të zbatojnë urdhrat e drejtuesit dhe ndihmësve të tij. Në të kundërt drejtuesi mund të përjashtojë pjesëmarrësit, që prishin rregullin dhe po të jetë nevoja të kërkojë dhe ndihmën e policisë. 
Si veprohet, nëse sipas ligjit duhet shpërndarë tubimi?
Në rreshtat e parashkruara në ligj, oficeri i policisë përgjegjës për të ndihmuar dhe vëzhguar zhvillimin e tubimit, i jep urdhër organizatorëve, drejtuesit, personave ndihmës dhe pjesëmarrësve të ndërpresin tubimin dhe të largohen nga vendi i tubimit. “NENI 23, pika 1) Nëse pas 3 thirrje të vetë policisë pjesëmarrësit nuk largohen, oficeri i policisë urdhëron shpërndarjen me forcë “NENI 23,pika 2) por në çdo rast përdorimi i forcës duhet te jetë minimal. Veç kësaj, kur çdo gjë është vënë në kontroll, kur përdorimi i dhunës pushon, kur tubuesit largohen do të ishte e palejueshme ushtrimi i dhunës nga forcat e rendit. Në rastet e parashikuara nga ligji mund të shoqërohet, të ndalohet ose te arrestohet ne flagrancë, por jo pse ka qenë në tubim dhe ka kritikuar të themi masat e marra nga qeveria, por sepse ka cenuar rendin publik, ka kryer vepër penale etj.
 Ka të dhëna se personat e shoqëruar pjesëmarrës në tubim janë keqtrajtuar. A duhen marrë masa në raste të tilla?
Nëse i shoqëruari është keqtrajtuar( gjë që duhet vërtetuar) natyrisht që fajtori duhet të vihet para përgjegjësisë penale. Madje sipas nenit 101 të ligjit “Për policinë e Shtetit personat e shoqëruar duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe të respektohet dinjiteti i tyre. Ata duhet të sqarohen për arsyet e shoqërimit, të mbahen në mjedise të ndryshme nga ato të personave të ndaluar ose të arrestuar. Kur çështja për të cilën janë shoqëruar ose verifikohet, ato nuk mund të mbahen në këtë gjendje më tepër se 10 orë. Çdo veprim duhet të jetë i dokumentuar. 
A kanë përgjegjësi personat që pengojnë ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar?
Po, një veprim i tillë konsiderohet kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. ( Neni 261, Kodi Penal) ka përgjegjësi penale edhe në rastet kur organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime është i paligjshëm (Neni 262 I Kodit Penal).