Niazi Jaho: Partitë politike dhe financimi i tyre

180

– Çfarë thuhet në Kushtetutën tonë për partitë politike dhe financimin e tyre?

– Në nenin 9 të Kushtetutës, thuhet se partitë politike krijohen lirisht dhe organizimi i tyre bëhet në përputhje me parimet demokratike. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre, bëhen kurdoherë publike. Sipas nenit të mësipërm, parashikohen rastet kur partitë politike dhe organizatat e tjera mund të ndalohen.

– A kemi ne ligj për partitë politike?

– Në mbështetje të nenit 9 të Kushtetutës, Kuvendi ka miratuar Ligjin nr: 8580, datë 17/02/2000 “Për Partitë Politike”. Ky ligj ka pësuar ndryshime në 02/02/2006. Disa shtesa dhe ndryshime janë bërë më 10 shkurt 2011, ndërsa një shtesë është bërë në 20 shkurt 2014.

Sipas këtij ligji, partitë politike janë bashkime vullnetare të shtetasve, mbi bazën e ideve, e pikëpamjeve ose të interesave të përbashkëta që synojnë të ndikojnë në jetën e vendit, nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimin e popullit në organet e zgjedhura në pushtet. Partitë politike marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit.

– A bëhet fjalë në këtë ligj për mjetet financiare të partive politike?

– Në bazë të nenit 17 të ligjit, burimet financiare dhe materiale të partive politike, përbëhen nga kuotat e anëtarësive, nga fondet publike, duke përfshirë dhe ndihmën financiare, në masën e caktuar nga buxheti i shtetit, të miratuar me ligj nga Kuvendi, fondet publike, të cilat janë: dhurimet financiare, dhurimet në natyrë, shpërblimet, shpenzimet, kreditë nga garancitë e ndryshme, si edhe çdo transaksion tjetër financiar.

– Çdo vit në buxhetin e shtetit përcaktohet një fond që shërben si ndihmë financiare publike, për kryerjen e veprimtarive vjetore të partive politike. Ndihma financiare e parashikuar në buxhetin e shtetit, në vitet jozgjedhore, si rregull, nuk mund të jetë më e vogël, se ndihma e parashikuar në vitin paraardhës. Masa konkrete e fondit publik, që përfiton çdo parti politike, në formën e ndihmës financiare vjetore, në përputhje me këtë ligj, përcaktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ( KQZ).

– Në vitin 2017 do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Çfarë thuhet në Kodin Zgjedhor, për financimin e zgjedhjeve dhe të fushatës zgjedhore?

– Në Kodin Zgjedhor janë parashikuar fondet për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve, financimi i subjekteve zgjedhore, burimet e financimit të fushatës, fondi i dhënies nga Buxheti i Shtetit për fushatën zgjedhore, mënyra e përllogaritjes së fondit paradhënës, ndalimi i përdorimit të burimeve publike me mbështetje të subjekteve zgjedhore nga fondet publike, regjistrimi i fondeve publike, auditimi i fondeve dhe shpenzime të fushatës si edhe përzgjedhja e auditeve nga KQZ-ja. Janë 10 nene ku bëhet fjalë për çështjet e mësipërme.

– Vazhdimisht është folur për shpenzime të mëdha parash edhe gjatë fushatës, për fonde të dyshimta, për mungesë transparence, për mos publikim të të gjitha fondeve që janë marrë dhe përdorur, si dhe për publikimin e tyre me vonesë ose publikimi pjesërisht i tyre. A mund të shprehni ndonjë mendim për këtë?

– Meqë të gjithë e dimë se, sidomos partitë e mëdha politike ( subjektet zgjedhore ), fushatat zgjedhore i fillojnë para kohe, të gjithë kemi thënë se po bëhen shumë shpenzime. Megjithëse e njoh pak këtë fushë, mund të them se ka munguar transparenca dhe kontrolli rigoroz. Hollësitë apo detajet i di më mirë KQZ-ja, sepse është ajo që sipas Kodit Zgjedhor, duhet të publikojë raportet e auditimit, për subjektet zgjedhore. Unë nuk jam njohur me këto raporte, prandaj edhe nuk mund të shprehem.

– Në raportet e OSBE/ODHIR-it, lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015, a ka ndonjë vërejtje apo rekomandim për financimin e partive politike?

– Në raportin e vitit 2013, thuhet se kandidatët e pavarur nuk kanë të drejtë, të marrin financim publik. Kuadri ligjor theksohet në këtë raport, nuk garanton transparencë të mjaftueshme në lidhje me raportimin mbi financimin e fushatës, sepse nuk ka asnjë detyrim për deklarimin e tyre përpara ditës së zgjedhjeve. Prandaj për të rritur transparencën e financimit të fushatës, është rekomanduar që subjektet zgjedhore, të detyrohen ti raportojnë rregullisht KQZ-së, të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet për qëllime fushate dhe ti kërkohet KQZ-së që të publikojë raporte paraprake të financimit të fushatës përpara ditës së zgjedhjeve ( shih rekomandimin nr: 20 faqe 30 ).

– Në raportin e vitit 2015 të OSBE/ODHIR-it, në pjesën e iX të tij thuhet se kandidatët e pavarur, nuk kishin të drejtë të përfitonin fonde publike, gjë që bie ndesh me angazhimin e OSBE-së. Prandaj edhe është rekomanduar që “kandidatëve të pavarur, duhet ti u sigurohet akses i barabartë i fondeve publike”. ( faqe 15 ).

Konstatimet dhe rekomandimet e mësipërme të OSBE/ODHIR-it, do të duhej të kiheshin parasysh në ndryshimet dhe shtesat që do ti bëhen Kodit Zgjedhor në fuqi.

– Ka mendime se për të shmangur abuzimet dhe shpërdorimet që mund të bëhen me fondet e financimit të partive politike nga privatë apo biznesmenë që mund të kenë interesa të caktuara, financimi i tyre të bëhet 100% nga buxheti i shtetit. A mund të shprehni ndonjë mendim për këtë?

– Të them të drejtën, nuk jam njohur me këto mendime. Madje nuk dua ta besoj, megjithëse është e drejtë e çdo individi e çdo shoqate, grupi apo partie politike të shprehë lirisht mendimin e tij, pavarësisht nga mbështetja ose kundërshtimi që mund t’i bëhet atij. Them nuk dua ta besoj, jo thjesht sepse buxheti i shtetit nuk mund të përballojë krejt financimin e partive politike.

1) a) Sipas nenit 87/1 të Kodit Zgjedhor (po përmend Kodin Zgjedhor dhe jo ligjin “për partitë politike”, sepse Kodi është miratuar me votim të cilësuar ), burimet e financimit të fushatës, për subjektet zgjedhore janë fondet e dhëna paradhënie nga buxheti i shtetit, për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore).
b) Të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor, të krijuara sipas ligjit.
c) Dhuratat me vlerë monetare, në natyrë ose shërbime të dhëna, sipas nenit 89 të këtij ligji ( kodi ).
ç) Kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit.
Sesi ndahen fondet e dhëna nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore, për partitë e regjistruara si subjekte zgjedhore, janë parashikuar në nenin 87/2 të Kodit Zgjedhor në fuqi.
2) Në disa raporte të OSBE/ODHIR-it që nga viti 2001 dhe deri në vitin 2015 lidhur me financimin e partive politike, nuk është bërë ndonjë rekomandim që 50% apo 100% të tij, të bëhet nga shteti, megjithëse është përmendur mungesa e transparencës, e mospublikimit, në kohë të shpenzimeve dhe moszbatimit rigoroz të ligjit lidhur me këtë çështje.
3) Siç dihet, asnjë parti nuk mund të përballojë nevojat e saj financiare, nga kontributi i anëtarëve të saj. Një donator mund të synojë të kontribuojë për aktivitetin e një partie, sepse mendon se kjo apo ajo parti, mund të përkrahë interesat e tij.
4) Formimi i vullnetit të popullit dhe formimi i vullnetit të shtetit, edhe pse janë të ndërthurura, nuk janë të njëjta. Organet e shtetit, siç dihet, krijohen nëpërmjet procesit të formimit të vullnetit politik të popullit. Nëse shteti do të financonte 100% nevojat e partive politike (subjektet zgjedhore), kjo do të ndikonte në opinionin dhe vullnetin e popullit. Dihet gjithashtu se procesi i formimit në mënyrë demokratike të vullnetit të popullit, duhet të jetë i çliruar nga influenca e shtetit.

5) Financimi i partive politike vetëm nga shteti, a nuk shmang dhënien e donacioneve të dyshimta, i bën partitë politike më të pastra dhe zgjedhjet më të besueshme?

– Është përgjegjësia e partive politike (subjekteve zgjedhore) t’u rezistojnë presioneve që mund t’u bëhen nga personat apo grupet e interesuara, që u ofrojnë donacione nëse ato dyshojnë se synimet e tyre janë të kundraligjshme, ose në këtë mënyrë ato duan të pastrojnë, të themi, paratë e pista. Kuvendi siç dihet miratoi ligjin “ për garantimin e integritetit, të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike ”. Kam mendimin se partitë politike (subjektet zgjedhore), duhet të garantojnë integritetin e tyre edhe duke refuzuar donacionet e dyshimta ose të pista. Në kodin zgjedhor mendoj, se duhet të rishikohen dispozitat, që do të garantonin një kontroll më të rreptë për fondet e shpenzuara nga partitë politike, duke përqendruar vëmendjen në burimet e të ardhurave dhe publikimin e tyre në kohë ose në mënyrë periodike. Kur lexojmë ligjin nr: 8788 datë 07/05/2001 “ Për organizatat jofitimprurëse ”, krijohet përshtypja se ligjbërësi, ka synuar të ruaj pastërtinë dhe mos kompromentimin e tyre. Kështu p.sh në nenin 7 thuhet se: “ kërkesat për donacione pasqyrojnë në mënyrë të hollësishme qëllimin, për të cilin po mblidhen donacionet. Organizatat jofitimprurëse kanë detyrimin të vërtetojnë që fonde të tilla, përdoren për qëllimet e deklaruara”. 

Prandaj me të drejtë, kërkohet publikimi i pasqyrave financiare. Organet tatimore mbikëqyrin OJF-të, më qëllim, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ( shih nenet 40/2 dhe 41 të ligjit ). Përmenda ligjin “ Për organizatat jofitimprurëse ”, për të evidentuar faktin se sa e rëndësishme dhe e domosdoshme është kjo çështje për partitë politike ( subjektet zgjedhore ) aq më tepër tek ne, që edhe në numër ato nuk janë të pakta. Ligjbërësit, duke u mbështetur edhe në paragrafin 5. 4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së, të vitit 1990, ku thuhet se funksionet e shtetit, janë të ndara nga ato të partive, për të parandaluar ndikimin e shtetit në zgjedhjet periodike, sidomos në fushatat zgjedhore me Kodin Zgjedhor, ndalohet përdorimi në favor të subjekteve zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme prone publike, si dhe i burimeve njerëzore, të administratës publike të çdo niveli. institucionet e administratës publike të çdo niveli me veprimtarinë e tyre, nuk duhet të cenojnë zhvillimin e zgjedhjeve (pika 7 neni 3 “parime të përgjithshme”).