Niazi Jaho :Në pritje të regjistrimit të koalicioneve

463
Sigal

 INTERVISTA/Flet konstitucionalisti Niazi Jaho për anëtarin e KQZ-së

  -Zoti Jaho, LSI-ja që ishte në koalicion me maxhorancën qeverisëse, kaloi në opozitë, në koalicion me PS-në. Për këtë shkak, Partia Republikane i është drejtuar KQZ-së me kërkesën që anëtari i LSI-së në KQZ dhe ne KZAZ-të zëvendësohet me një person të propozuar nga Partia Republikane. Si zgjidhet ky problem nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor?

 -Për këtë letër kam dëgjuar, por përmbajtjen e saktë të saj nuk e di. Për këtë çështje, as në Kushtetutë dhe as në Kodin Zgjedhor, nuk thuhet gjë. Në nenin 65 pika 2 të Kushtetutës theksohet se: “Periudha zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhësve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”. Ligji për zgjedhjet është Kodi Zgjedhor i datës 29.12.2008, i ndryshuar me datën 19.07.2012. Fillimisht e shikoj të nevojshme të sqaroj se, deri më sot, nuk kemi parti politike të cilësuara “subjekt zgjedhor” dhe as parti politike të cilësuara “koalicione zgjedhore”. Sipas nenit 64 pika 1 të Kodit Zgjedhor, çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesë për t’u regjistruar si “subjekt zgjedhor” në KQZ, jo më vonë se data 13 prill 2013, ndërsa në nenin 65 pika 1 të kodit, thuhet se, dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sipas nenit 64 të këtij kodi, mund të regjistrohen në KQZ, si “koalicion zgjedhor” në shkallë vendi jo më vonë se 23 prill 2013. Nga sa përmendëm më lart, mendoj se bëhet e qartë se aktualisht dhe zyrtarisht të regjistruar në KQZ nuk kemi as subjekte zgjedhore dhe as koalicione zgjedhore.

 -Mirëpo KQZ-ja është zgjedhur dhe KZAZ-të nuk janë krijuar në bazë të propozimeve të partive parlamentare. A nuk lejohet që KQZ-ja me nismën e vet të bëjë zëvendësimin e tyre kur ndryshojnë koalicionet?

 -Për këtë, në Kodin Zgjedhor nuk ka ndonjë dispozitë. Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së është caktuar në nenin 14 të Kodit Zgjedhor, ndërsa e kryetarit dhe zëvendëskryetarit në nenin 15 dhe 16 të Kodit. Kompetencat e KQZ-së parashikohen në nenin 21 të kodit. Në to nuk del që KQZ-ja të ketë ndonjë kompetencë për zëvendësime të tilla. Në nenin 18 të Kodit Zgjedhor parashikohen rastet e ndërprerjes para kohe të mandatit të anëtarit të KQZ-së, bëhet me vendim të kuvendit pas propozimit të KQZ-së. Kur vërtetohet se ai kryen veprime politike, dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës, cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së, ose në periudhën zgjedhore për më shumë se 45 ditë. Në rastet kur as mbush moshën për pension, as jep dorëheqjen, shkarkimi ose lirimi bëhet me vendim të kuvendit pas njoftimit nga KQZ-ja. Komisionet e zonave të administrimit zgjedhorë (KZAZ-të) siç dihet janë ngritur. Vendimi për ngritjen e tyre është marrë nga KQZ-ja mbështetur në nenin 29 të Kodit (përbërja e KZAZ-ve) nenin 30 (papajtueshmëria me detyrën e anëtarit dhe sekretarit të KZAZ-ve). Në nenin 32 të Kodit Zgjedhor janë parashikuar rastet shkarkimit dhe lirimit të anëtarëve dhe sekretarit të KZAZ-ve. Në këtë nen nuk parashikohet ndonjë rast zëvendësimi për shkak të ndryshimit të koalicioneve zgjedhore para apo mbas regjistrimit të tij në KQZ, ndërsa në pikën 3 të këtij neni përmenden rastet, kur anëtari dhe sekretari i KZAZ-së lirohet ose shkarkohet nga detyra nga KQZ-ja kryesisht ose me propozim të subjekteve zgjedhore, por vetëm për shkaqet e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të parashikuara mësipërm.

 -Çfarë thuhet në ligj dhe si duhet të veprohet nëse koalicionet e partive që do të regjistrohen në KQZ, mund të krijojnë disbalancime në përbërjen politike të komisioneve zgjedhore sidomos në KQZ dhe në KZAZ, të cilat kanë filluar funksionimin e tyre siç parashikohet në Kodin Zgjedhor?

-Supozime nuk mund të bëj. Si rrjedhim edhe sqarime me supozime nuk mund të jap. Megjithëkëtë, mendoj se pretendimet ose konfliktet që mund të lindin lidhur me këtë çështje, mund të jenë objekt shqyrtimi në kuvend dhe jo në KQZ. KQZ-ja ka kompetencë të nxjerrë, në bazë dhe për prezantim të ligjit dhe brenda sferës së juridiksionit të saj, vendime dhe udhëzime me fuqi juridike të përgjithshme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë (Neni 21 pika 1 e Kodit Zgjedhor).