Niazi Jaho: Ndryshimet Kushtetuese: Vetëm për Drejtësinë

539
Në datën 21 korrik 2016 është vendosur që Kuvendi të shqyrtojë ndryshimet në Kushtetutë për reformën në sistemin e drejtësisë. Në këtë projekt, a duhet të përfshihet edhe nisma e disa deputetëve që kërkojnë zgjedhjen nga populli, të Presidentit të Republikës?

Nuk jam njohur me këtë nismë dhe as me relacionin përkatës që arsyeton nevojën e kësaj nisme. Ashtu si dhe të tjerët jam në dijeni dhe kam lexuar Vendimin e Kuvendit nr. 96/2014 “Për krijimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë”. Jam gjithashtu në dijeni se, Komisioni i Venecias ka shprehur opinionet e tij lidhur me Projektin e ndryshimeve kushtetuese. Ky Projekt me ndryshimet përkatëse që i janë bërë më vonë do të shqyrtohet në Kuvend në datën 21 Korrik 2016, në seancë plenare. 

– Disa deputetë do të paraqesin në Kuvend një projekt-amendament që Presidenti i Republikës të zgjidhet nga populli. Deri tani kanë firmosur 10 deputetë, por nismëtarët thonë se do të mbledhin edhe firmat e deputetëve të tjerë. A ka të bëjë kjo me projekt-ndryshimet kushtetuese të përgatitura nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe sa deputetë duhen për të ndryshuar një apo më shumë nene të Kushtetutës?

Sipas nenit 177, pika 2 e Kushtetutës “nisma për rishikimin e Kushtetutës, mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit”, d. m. th. nga 28 deputetë. Por nisma që ju pyesni nuk ka të bëjë me objektin ose synimin për të cilin ka vendosur Kuvendi. Komisioni i Posaçëm Parlamentar u ngarkua për të hartuar projektin për reformën në sistemin e drejtësisë. Zgjedhja e Presidentit është parashikuar në nenin 87 (Pjesa 4-t, e Kushtetutës). Për gjykatat dhe prokurorinë bëhet fjalë në Pjesën e 9-të dhe në pjesën e 10-të, të Kushtetutës (shih nenet 135-149 të Kushtetutës). 

– A do të thotë kjo se deputetët, veç neneve që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, nuk kanë të drejtë të paraqesin amendamente edhe për ndryshimin e neneve të tjera të Kushtetutës?

Në përputhje dhe në bazë të parashikimeve të nenit 177, të Kushtetutës, ata sigurisht që kanë të drejtë, por ndryshimet kushtetuese duhet të jenë të argumentuara, të diskutohen dhe të debatohen, të jenë gjithëpërfshirëse, të tërhiqet mendimi i specialistëve, etj. Është kjo arsyeja që në raste të tilla është e rekomandueshme krijimi i komisioneve të posaçme. Ashtu siç u veprua për Projektin e ndryshimeve kushtetuese që data për shqyrtimin në seancë plenare u caktua në mbështetje të procedurës të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit, e njëjta procedurë mendoj se duhet të ndiqet edhe për nismën e 10 deputetëve kur nënshkruesit të jenë jo më pak se 28 deputetët (1/5 e anëtarëve të Kuvendit). 

-Në relacionin e 10 deputetëve nismëtarë kërkohet edhe ndryshimi i nenit 177, pika 4, të Kushtetutës. Në të thuhet se, Kuvendi mund të vendosë me 2/5 e të gjithë anëtarëve të tij që projekt-amendamentet të votohen në referendum. Çfarë thuhet në pikën 4, të nenit 177, të Kushtetutës dhe ç’mendoni për dërgimin në referendum me 2/5 e deputetëve?

Siç përmenda edhe më lart, as me relacionin dhe as me amendamentin e 10 deputetëve që kanë firmosur dhe që thuhet se do të vazhdojë mbledhja e firmave nuk jam njohur, por në përgjigje të pyetjes tuaj, i referohem nenit 177, pika 4, të Kushtetutës ku thuhet se: “Kuvendi mund të vendosë me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend”. Për dërgimin në referendum të amendamentit që janë duke përgatitur nismëtarët me votat e 2/5 e anëtarëve të Kuvendit (56 deputetë) s’kam çfarë të them. Këtë e dinë nismëtarët dhe përfundimisht e vendos Kuvendi. 

– Ka mendime se kandidati për President për t’u zgjedhur nga populli, duhet të mbështetet të paktën nga një parti politike e përfaqësuar në Kuvend ose nga 10 000 shtetas. A mund të shpreheni për këtë?

Ka edhe mund të ketë shumë mendime. Ka nga ato që mund të jenë të pranueshme, por ka edhe nga ato që mund të kundërshtohen. Nëse është çështja për ndryshime kushtetuese, duhet njohur përmbajtja e plotë dhe zyrtare e relacionit dhe e amendamentit të përgatitur nga nismëtarët. Një herë thuhet se, për dërgimin e amendamentit kushtetues në referendum duhet vota e 56 deputetëve. Në të njëjtën kohë thuhet se, zgjedhja e Presidentit nga populli të duhet të mbështetet të paktën nga një parti politike e përfaqësuar në Kuvend. Logjika elementare kërkon që kjo parti politike të ketë jo më pak se 56 deputetë! Nuk e kuptoj shifrën 10 000 shtetas, kur dihet se të drejtën për referendum për shfuqizimin e një ligji (jo të një dispozite kushtetuese) e kanë 50 000 shtetas me të drejtë vote. Ndoshta grupi prej 10 000 shtetas është lapsus (shih nenin 150, pika 1, të Kushtetutës). 

– Në vitin 2008, me konsensus të gjerë janë bërë disa ndryshime kushtetuese. Për këtë ka patur dhe ka vërejtje. Në rastin konkret do të donim të shprehnit ndonjë mendim, cili ishte reagimi në atë kohë, si u veprua, a u diskutua ky problem në KQZ dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe si u vendos?

Për të sqaruar këtë çështje, ndoshta do të duhej një intervistë e veçantë. Megjithëkëtë mund të shprehem shkurt dhe vetëm duke iu referuar fakteve dhe vendimeve. Me sa më kujtohet, një forum intelektualësh në atë kohë (2008), mbështetur në nenin 150, të Kushtetutës që përmenda më lart, iu drejtuan KQZ-së për t’u pajisur me formularë që do të nënshkruheshin nga 50 000 shtetas që kishin të drejtën e votës (me qëllim që të organizohej një referendum që populli të shprehej me po ose jo, për ndryshimet Kushtetuese që u bënë në vitin 2008). KQZ e refuzoi këtë kërkesë me arsyetimin se kjo nismë nuk përputhej me Kushtetutën. Forumi u ankua kundër këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese para dhënies së vendimit kërkoi një opinion nga Komisioni i Venecias, duke shtruar dy pyetje: 1) A mund të bazohet në nenin 150, të Kushtetutës një kërkesë për shfuqizimin ose ndryshimin e Kushtetutës nëpërmjet referendumit? 2) Parimi i parashikuar në nenin 2, të Kushtetutës sipas të cilit sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i takon popullit, a është në harmoni me parashikimet e neneve 177, 150 dhe 152 të Kushtetutës? Komisioni i Venecias, në seancat plenare të datave 13-14 Mars 2009, pas një analize të gjithanshme, të qartë dhe të plotë, arriti në konkluzionin që (citojmë): “Në përfundim, Komisioni i Venecias është i mendimit që, Kushtetuta e Shqipërisë lejon thirrjen e një referendumi mbi ndryshimet kushtetuese vetëm brenda kufijve parashikuar nga neni 177, mbi ndryshimet kushtetuese, dispozitë, e cila parashikon qëllimin e mjaftueshëm për përfshirjen e popullit dhe garanci të mjaftueshme për pakicat në Kuvend. Neni 150, i Kushtetutës, mbi iniciativat popullore nuk zbatohet për ndryshimet kushtetuese. Në asnjë mënyrë, nuk mund të konsiderohet si shkelje e parimit të sovranitetit popullor, por përbëjnë rregulla të mira ekuilibruese mbi mënyrën se si duhet të ushtrohet sovraniteti”. Gjykata jonë Kushtetuese, me Vendimin e saj nr. 25, dt. 24. 07. 2009 vendosi rrëzimin e Kërkesës së Forumit. Analiza në Vendim i përmbahet opinionit të Venecias dhe konkluzioneve që cituam më lart. Të interesuarit mund ta lexojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vëllimin e vitit 2009, faqe 303-314. 

– Nismëtarët që kanë mendimin se Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet nga populli janë shprehur se ai duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme dhe nëse asnjë nga kandidatët nuk merr një shumicë të tillë, brenda dy javëve nga votimi i parë zhvillohet një votim i dytë dhe President zgjidhet ai që merr vota më shumë. A është ky mendim i drejtë dhe i bazuar?

Ju shtroni pyetjen, por unë nuk jam njohur me dokumentin zyrtar që do të cilësohet: “amendament për ndryshimin e Kushtetutës”. Veç kësaj, në paragrafin e fundit të nenit 150, të Kushtetutës, thuhet se: “Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj. ” Nëse do t’i referohemi Kodit Zgjedhor të vitit 2000 ku përfshihen edhe dispozitat për referendumin, megjithëse pas disa vitesh është veçuar nga përmbajtja e Kodit Zgjedhor me arsyetimin se do të miratohet ligj i ri, në nenin 114 thuhet se: “Referendumi është ushtrimi i drejtpërdrejtë i sovranitetit të popullit nëpërmjet votimit për një çështje ose një ligj të caktuar sipas neneve 108, pika 4, 150, 151, 152 dhe 177 të Kushtetutës”. Në Kreun e II-të “Llojet e veçanta të referendumit”, i pari renditet referendumi kushtetues sipas pikës 4 dhe 5 të nenit 177 të Kushtetutës, ndërsa në nenin 121, të Kodit Zgjedhor të vitit 2003 përcaktohen procedurat e mëtejshme për referendumet kushtetuese. Në pikën 4, të nenit 121, të Ligjit “Për referendumet” thuhet se: “Amendimet kushtetuese që i nënshtrohen referendumit sipas pikës 5, të nenit 177 të Kushtetutës rrëzohen kur më shumë se gjysma e zgjedhësve të regjistruar kanë votuar kundër tyre”. Ligji “Për referendumet” vazhdon të jetë në fuqi megjithëse që në vitin 2004, Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i kanë bërë vërejtje serioze për këtë ligj dhe kanë rekomanduar ndryshimin e tij. Nuk e di nëse nismëtarët deputetë që siç thuhet, po përgatiten për paraqitjen e një amendamenti kushtetues që Presidenti i Republikës të zgjidhet direkt nga populli, a kanë patur ose jo parasysh edhe Ligjin “Për referendumet”, që vazhdon të jetë në fuqi, sidomos Kreun e Dytë ku bëhet fjalë për “referendumin kushtetues”. 
Sigal