Niazi Jaho/Listat e zgjedhësve për 23 Qershorin

427
Sigal

Deri më sot, nuk di të jetë dhënë ndonjë informacion se si po shkon procesi i publikimit të ekstrakteve përbërës zgjedhor të shtetasve në shkallë vendi. Diçka e publikuar në media lidhur me këtë problem, trajton çështje të veçanta dhe të pjesshme të këtij problemi, jepet edhe ndonjë e dhënë kontradiktore që krijon një farë shqetësimi. E rëndësishme është të thuhet dhe të dihet se kërkesat ligjore zbatohen drejt dhe nga të gjithë. Jemi të informuar se KQZ-ja ka zbatuar sanksione ndaj një numri të konsiderueshëm kryetarësh të organeve të qeverisjes vendore, por nuk dihen efektet e këtyre masave. Në 3 mars 2013, pritet të publikohet ekstrakti i tretë i përbërësve zgjedhorë të shtetasve që kanë vendbanimin në zonat përkatëse të qendrave të votimit. Por 3 marsi 2013, është edhe afati ligjor që kryetarët e organeve të qeverisjes vendore duhet të njoftonin me shkrim në banesën e tyre çdo zgjedhës me të drejtë vote. A mund të thuhet se çfarë është bërë në këtë drejtim deri më sot. A është dhënë ndonjë informacion se si shkon realizimi i kësaj detyre. Ai që dëshiron ta verifikojë këtë le të pyesë zgjedhësit e një apo disa pallateve dhe do të marrin përgjigjen: Askush nuk ka trokitur në derën tonë. A përbën ky fakt një shqetësim të ligjshëm? Sigurisht që po. A janë marrë të paktën masat që ky njoftim me shkrim të kryhet para se të jenë publikuar të gjithë ekstraktet përbërës të zgjedhësve me qëllim që lista e zgjedhësve që duhet të shpallet jo më vonë se data 19 maj 2013, të ketë garancitë maksimale për të qenë e plotë dhe e saktë? Po si mund të arrihet kjo? Kjo mund të arrihet në dy mënyra: a) zgjedhësi të njihet me ekstraktet përbërëse të publikuara gjë që kërkon vullnet dhe sensibilizim në forma nga më të ndryshmet  b)Njoftimi me shkrim në banesë. Nëse ndonjë pjesëtari të familjes nuk do ti dorëzohet ky njoftim, ai do të shqetësohet, do të kujtojë se nuk është në listë dhe do të kërkojë korrigjimin në ekstraktin e publikuar. KQZ-ja është tepër e ngarkuar, sepse ajo mbikëqyr dhe kontrollon të gjitha aspektet e procesit zgjedhor. Por meqë jemi në fazën e përgatitjes të listës zgjedhore që krijohet nëpërmjet korrigjimeve që pësojnë ekstraktet e përbërësve zgjedhorë, kam mendimin se ajo (KQZ-ja) mund dhe duhet të ishte më aktive. Veç informacioneve që ajo mund të merrte drejtpërsëdrejti nga Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile dhe kryetarët e organeve të qeverisjes vendore, dy auditët teknicienë të emëruar prej saj, të paktën deri më 19 maj 2013 që është afati i fundit i publikimit të listës zgjedhore ndoshta do të duhet të intensifikonin kontrollin dhe të mos kufizoheshin vetëm me raportet mujore siç parashikon ligji. Sipas neni 60 të kodit zgjedhor, kryetarët e organeve të qeverisjes vendore janë të detyruara të vënë në dispozicion të subjekteve zgjedhore ose sipas rastit, të partive politike listat e zgjedhësve dhe ekstraktet e përbërësve zgjedhore (sigurisht me kërkesën e tyre. Një kopje elektronike të listave të zgjedhësve ose të ekstraktit të përbërësve në shkallë vendi ata kanë të drejtë ta marrin edhe nga Drejtoria e përgjithshme me gjendjes civile, sa herë që ata përditësohen ose publikohen. Kjo e drejtë mendoj se është parashikuar jo thjesht për transparencë, por që në forma të ndryshme dhe të ligjshme edhe ata të kontribuojnë në hartimin e listave të plota dhe të sakta. Nja nga format mund të ishte për shembull ndikimi tek zgjedhësit për të nxitur interesimin e tyre. Një tjetër mënyrë mund të ishte vënia në lëvizje të përfaqësuesve të partive përkatëse parlamentare në KQZ që problemi i mësipërm të diskutohej në mbledhjet e KQZ-së dhe në rast nevoje të kryheshin verifikime në bazë ose të merreshin masat përkatëse për rregullimin e gjendjes. Në përfundim, e shikoj të nevojshme të trajtoj edhe një çështje tjetër që mendoj se nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes së KQZ-së. ka shumë persona që mendojnë se KQZ-ja është një organ që angazhohet vetëm në disa masa të karakterit tekniko-organizativ dhe në raste të parashikuara në ligje edhe me vendimmarrje apo udhëzime të detyrueshme për zbatim. Harrohet ose nuk dihet se KQZ-ja është ngarkuar edhe me edukimin zgjedhor të shtetasve (Neni 21 pika 9 e Kodit Zgjedhor). Deri më sot, media elektronike nuk ka informuar zgjedhësit se çfarë thuhet në ligje për publikimin e ekstraktit përbërës zgjedhorë, të drejta e zgjedhësve për korrigjimin e tyre, detyrimin e organeve të qeverisjes vendore për njoftimin me shkrim të zgjedhësve në banesat e tyre etj. Në këtë drejtim mund të shfrytëzoheshin edhe radiot edhe televizionet lokale. Kuptohet format e edukimit zgjedhor mund të jenë nga më të ndryshmet. Kjo nuk është dhe as mund të jetë vetëm detyrë e KQZ-së. E theksova këtë çështje, sepse kam përshtypjen se sensibilizimi i zgjedhësve (që në të njëjtën kohë është edhe edukim) nënvlerësohet ose anashkalohet. A është e drejtë që propaganda ose edukimi zgjedhor të përqendrohet vetëm në 2-3 ditë para datës së zgjedhjeve së në çfarë ore fillojnë ato, se kur mbyllet votimi, se çfarë dokument identifikimi duhet të kenë me vete, se cila flet votimi është e vlefshme dhe cila jo, se në cilin vend të fletë-votimit mund të vihet shenja etj? Sigurisht që jo. Saktësia në listat e zgjedhësve, interesimi dhe dijenia e tyre se ata janë përfshirë në listë, do të rrisë pjesëmarrjen e tyre zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Disa nga nenet e Kodit Zgjedhor

-Ekstrakti përbërës i zgjedhjeve duhet të publikohet në datën 3 mars 2013. ky është ekstrakti i tretë ndërsa ekstrakti i katërt dhe i pestë duhet të publikohen përkatësisht në datat 3 prill dhe 3 maj 2013 (Neni 51 pika 6 dhe 7 të kodit zgjedhor).

-Njoftimi me shkrim i zgjedhësve në banesat e tyre se në cilën qendër votimi do të votojnë duhet të përfundojë brenda datës 3 mars 2013( Neni 52 i kodit zgjedhor).

-Lista e zgjedhësve duhet të shpallet jo më vonë se data 19 maj 2013 (Neni 56 pika 3 e kosit zgjedhor).

-Auditët teknicienë të emëruar nga KQZ-ja në bazë të të dhënave të RKCICI-së kanë akses të kontrollojnë ndryshimet që kanë ndodhur në përbërësit e gjendjes civile (Neni 61 pika 5 e kodit zgjedhor).

-KQZ-ja merr masa dhe organizon edhe programe për edukimin zgjedhor të shtetasve( Neni 21 pika 9 e Kodit Zgjedhor).