Niazi Jaho: KQZ-ja vendos vetëm në përputhje me Kodin Zgjedhor

495
Kodi Zgjedhor, siç dihet, nuk parashikon si kusht që kandidati për deputet, kryetar të bashkisë dhe anëtarë të këshillit bashkiak nuk duhet të jenë të dënuar. Kodi Zgjedhor nuk parashikon, gjithashtu, se si duhet vepruar, domethënë çfarë procedure duhet zbatuar, në rastet kur subjekti zgjedhor kërkon tërheqjen e kandidatit të propozuar, dorëheqjen ose kur ai vdes. Lexova me vëmëndje vendimin e KQZ-së datë 9.06.2015. Subjekti zgjedhor i APPD, i ka kërkuar KQZ-së ç’regjistrimin e kandidatit për Bashkinë e Këlcyrës, sepse ka refuzuar t’i nënshtrohet verifikimit të pastërtisë së figurës së tij. Siç rezulton nga vendimi i mësipërm i KQZ-së, kandidati G.M jo vetëm kishte kaluar fazën e verifikimit të dokumentave, por ishte përfshirë edhe në fletën përkatëse të votimit. E quajta të nevojshme të shpreh disa mendime lidhur me vendimin e KQZ-së. Interes do të ishte trajtimi i problemit në aspektin ligjor, sesa fakti përse subjekti zgjedhor kërkoi ç’regjistrimin e kandidatit dhe çfarë përfaqëson kandidati. Derisa në vendimin e KQZ-së thuhet se: Kodi Zgjedhor nuk parashikon asnjë dispozitë në të cilën të parashikohet e drejta e partive politike apo koalicioneve zgjedhore për të kërkuar tërheqjen, zëvendësimin, ç’regjistrimin e kandidatit pas regjistrimit përfundimtar nga komisioni përkatës “KQZ/KZAZ” nuk është e vështirë të kuptosh çfarë “argumente” mund të përmbajë një vendim i tillë që ka vendosur ç’regjistrimin e kandidatit dhe heqjen e tij nga fleta e votimit.
Po përmendim disa “argumente”:
1) Sipas subjektit zgjedhor, kandidati duhej ç’regjistruar, sepse ka refuzuar verifikimin e pastërtisë së figurës së tij. Lidhur me vetë vendimin thuhet:” Edhe subjekti propozues nuk ka asnjë provë që të vërtetojë pasjen ose jo të kandidatit të rekordeve kriminale, refuzimi prej tij për të bërë një gjë të tillë është indicia e mjaftueshme për të dyshuar”. Kjo, as më shumë dhe as më pak, do të thotë vendimi bazohet në indicie dhe dyshime! Nuk e shoh të nevojshme të sqaroj çfarë është indicia dhe çfarë është dyshimi. Në këtë vështrim, nuk e shoh gjithashtu të nevojshme të sqaroj se çdo të thotë të bazohesh në indicie dhe dyshime për të legjitimuar ç’regjistrimin e kandidatit! Në cilin nen të Kodit Zgjedhor parashikohet që kërkesa për ç’regjistrim mund të bazohet në indicie dhe dyshime? Apo mos vallë kjo lejohet derisa (siç thuhet në vendim), në Kodin Zgjedhor nuk parashikohen raste të tilla?!
2) Në vendim thuhet: “ Përfaqësuesi i kandidatit kërkoi të depozitojë një kopje të certifikatës të të dhënave të përgjithshme penale, të lëshuara nga Ministria e Drejtësisë Italiane. Sipas kësaj çertifikate, rezulton se kandidati është i padënuar nga shteti italian”. Për këtë fakt, KQZ-ja, nuk bën asnjë koment, nuk shpreh asnjë qëndrim. Paraqitjen e çertefikatës vetëm e konstaton, por nuk bëri asnjë vlerësim: është e dyshimtë, është indicie, apo e dhënë. Mos ndoshta duhej verifikuar vërtetësia apo saktësia e saj? Por si duket, KQZ-ja për këtë nuk ka dashur të shprehet sepse: 
3) Sipas vendimit të KQZ-së, vullneti i subjektit propozues duhet të përputhet me vullnetin e kandidatit, pra ”duke qënë se subjekti propozues i kandidatit nuk ka më vullnet për të kandiduar si përfaqësuesin e tij z.G.M, KQZ duhet të vendosë çregjistrimin e kandidatit”. Subjekti fillimisht, derisa e ka propozuar si kandidat, e ka patur vullnetin. Bëhet pyetja: vullneti i subjektit për çregjistrimin e kandidatit deri në ç’fazë të procesit zgjedhor do të ishte i pranishëm. Në rastin konkret, KQZ-ja e ka pranuar edhe fazën kur kandidati përfshihet në fletën e votimit. Derisa në Kodin Zgjedhor nuk ka ndonjë dispozitë, a nuk është e qartë se KQZ-ja vesh veten me kompetencën e pakufishme, të kushtëzuar nga subjekti zgjedhor! Nëse do të zbatohej kjo “llogjikë”, kandidati deri ditën e votimit do të varej nga vullneti i subjektit zgjedhor që e ka kandiduar. Mirë se ligj nuk ka (siç e pranon vetë KQZ-ja), por kjo, ky precedent që buron nga ky vendim, mund të na çonte jo vetëm në një pasiguri konstante, por me vendime të ndryshme të zbatuara në faza të ndryshme të procesit zgjedhor.
4) Mendoj se KQZ-ja e ka ndjerë dhe kupton mungesën e argumentit ligjor, prandaj në vendim përdor përsëri një “argument”, që nuk mbështet në ligj, por është më i ndjeshëm. Në vendim thuhet:”…referuar rëndësisë së madhe që përmban objekti i kërkesës së paraqitur — për standardet e zgjedhjeve në përgjithësi, siç është dekriminalizimi i kandidatëve, faktit se pastërtia e figurave, të cilat u paraqitën zgjedhësve shqiptarë për të zgjedhur si drejtuesit e tyre vendorë është përtej faktit nëse parashikohet ose jo një gjë e tillë në një normë ligjore, referuar faktit se dyshimet për kriminalizimin e kandidatëve do të cenonin rëndë proçësin zgjedhor dhe imazhin e vendit, KQZ vlerëson se kërkesa duhet pranuar”.
Kur e lexon këtë pjesë të vendimit të cituar, sikur të mos dihej se është vendim i KQZ-së, mund të mendohej se ky ishte një diskutim apo debat për miratimin e ligjit për dekriminalizimin, ose për ndryshime, që i duhen bërë Kodit Zgjedhor. Dhe, për ta mbyllur, mund të themi se është përgjegjësi e subjekteve zgjedhore që kandidatët që propozojnë të jenë të padënuar, të ndershëm, të pakorruptuar, me reputacion dhe integritet. Janë zgjedhësit që vendosin, edhe kur propozuesit nuk vlerësojnë përgjegjësinë që kanë ndaj tyre. Nuk ka pengesa kushtetuese dhe ligjore për kufizimin e së drejtës për t’u zgjedhur, por kjo duhet sanksionuar me ligje. KQZ-ja mund të vendosë ashtu si gjykon ajo, por mendoj se në asnjë mënyrë dhe në asnjë çast nuk duhet të anashkalojë faktin se ai është organi më i lartë shtetëror i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë Kod (neni 2 pika 7 e Kodit). Në rastin konkret, mendoj se nuk ka vepruar në përputhje me rregullat e parashikuara me Kodin Zgjedhor në fuqi. Vetë anëtarët eKQZ-se kanë deklaruar se janë vënë në vështirësi. Por nëse kjo vështirësi është lidhur nga mungesa apo boshllëqe në ligje, është e lejueshme që ato të kapërcehen duke zgjedhur rrugën e paligjshme? KQZ nuk krijon por zbaton ligjin. Ai nuk mund të marrë atribute të legjislativit. 
Sigal