Niazi Jaho: Fajtor, vetëm me vendim të formës së prerë të gjykatës

465
Do të dëshironim të dinim mendimin tuaj për një temë që në media është trajtuar jo vetëm pak, por në disa raste edhe kalimthi pa u ndalur mbi rëndësinë që ka ajo. Në titullin e kësaj interviste tërhiqni që në fillim vëmendjen se fajtor është ai që deklarohet i tillë me vendim të formës së prerë të gjykatës. A mund ta sqaroni këtë çështje që të kuptohet më mirë, edhe nga publiku i gjerë?

Kjo nuk është diçka e re. Në fushën e drejtësisë (në doktrinë dhe në praktikë) dihet se ky është parimi i prezumimit të pafajësisë, i sanksionuar në nenin 30 të Kushtetutës ku thuhet se: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Cili është vendimi i formës së prerë të gjykatës?

Është vendimi i fajësisë të gjykatës së Apelit, kur vendimi i shkallës së parë atakohet në Apel ose kur i pandehuri brenda afatit ligjor nuk është ankuar në Gjykatën e Apelit.

Si shpjegohet që ka persona, midis tyre edhe zyrtarë të lartë, deputetë dhe politikanë që e bëjnë tjetrin fajtor për kryerjen e kësaj apo asaj vepre penale edhe pa filluar çështja penale, edhe pa u dhënë vendimi i formës së prerë gjyqësore për fajësinë e tij? 

Kjo varet ose nga padijenia e ligjit, ose nga bindja e tyre subjektive ose për interesa konjukturale politike. Është e drejtë e secilit (madje në mjaft raste edhe detyrim) që kur disponohen të dhëna për kryerjen e një krimi, nga ky apo ai person, të denoncojë çështjen në organet e ndjekjes penale. Nuk i shërbehet sqarimit të çështjes dhe as zbulimit të krimit, duke u kufizuar vetëm me deklarata të tilla siç janë: “ky është hajdut”, “është i lidhur me krimin”, “është bashkëpunëtor me bandat kriminale”, etj. Madje ka raste kur arrihet të thuhet se “për këtë ka prova të plota dhe të padiskutueshme”. Po të jetë kështu, deklaruesi është kthyer në hetues, prokuror dhe gjykatës. Në fakt nëse bëhen deklarata të tilla tregojnë se për ta ligji është i dorës së dytë. E shikojmë të nevojshme të përmendim se nuk janë të pakta rastet që gjykatat më të larta deri edhe Gjykata e Strasburgut kanë prishur çështje të gjykuara ose kanë konstatuar (është fjala për GJEDNJ) se është cenuar parimi i prezumimit të pafajësisë (përkatësisht neni 30 i Kushtetutës ose Neni 6, paragrafi i dytë i KEDNJ).

Ç’kuptim dhe çfarë efekte praktike do të kishte zbatimi i nenit 30 të Kushtetutës, sidomos për organet e drejtësisë?

Në kuadrin e kësaj interviste, po i përgjigjem shkurt kësaj pyetje. Duke patur parasysh nenin 30 të Kushtetutës, hetuesi ose prokurori janë të detyruar të zhvillojnë hetime të plota, të gjithanshme dhe objektive, të garantojnë të gjitha të drejtat që ligji i jep të akuzuarit ose të pandehurit. Gjykata duhet ta shqyrtojë çështjen në mënyrë të pavarur, të mos e paragjykojë atë, dmth të jetë e paanshme, të vendosë vetëm në bazë të provave që bëhen objekt shqyrtimi në gjykatë, të sigurojë që palët (përfshirë këtu dhe të pandehurin) të ushtrojnë të drejtat e tyre, etj. 

A ndodh që gjykata të gabojë në vendimin e saj?

Sigurisht që ndodh dhe në këtë rast, pala e interesuar ka të drejtë të ankohet në instancën më të lartë gjyqësore. Vendimi i formës së prerë duhet detyrimisht të zbatohet. Ai mund të kritikohet, por duhet të zbatohet. Është i gabuar dhe i dëmshëm mendimi se meqenëse vendimi sipas këtij apo atij personi apo institucioni është i padrejtë dhe ai mund të mos zbatohet. 
Parimin e prezumimit të pafajësisë, a janë të detyruar ta zbatojnë vetëm organet e sistemit të drejtësisë apo edhe të tjerët?
Po, sepse ky është një parim kushtetues. Të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë. Ky është një parim që përfshihet në kreun e dytë të Kushtetutës, “Liritë dhe të drejtat e shtetasve”. 

Pra, sipas jush ky parim duhet zbatuar edhe nga administrata shtetërore?

Sigurisht që po. Do të konsiderohej shkelje nëse psh. ndaj këtij apo atij punonjësi merret një masë disiplinore ose vendoset shkarkimi i tij nga detyra, pa e pyetur dhe pa e thirrur punonjësin, pa e dëgjuar, dhe pa i dhënë atij mundësinë të mbrohet, etj. Mendoj se është gabim të bësh deklarata ose të organizosh konferenca shtypi, ku të deklarosh se ky apo ai person është bashkëpunëtor në këto apo atë krim. E shikoj të nevojshme të përmend një rast nga Gjykata e Strasburgut (Allenet de Ribemont kundër Francës) menjëherë sa Ribemont ndalohet dhe arrestohet, në Ministrinë e Brendshme organizohet një konferencë shtypi ku dy funksionarë të lartë të policisë mbështetur edhe nga Ministri i Brendshëm, deklarojnë se ai ishte bashkëpunëtor (nxitës) në krimin e vrasjes. Shtypi dhe radiotelevizioni informuan për këtë publikun e gjerë. Kjo çështje filloi të diskutohej gjerësisht. Pak kohë kaloi dhe çështja penale ndaj tij u pushua. Ai u ankua se reputacioni i tij dhe i familjes së tij ishin dëmtuar rëndë, por meqë gjykatat vendase nuk i dhanë të drejtë, u detyrua t’i drejtohej Gjykatës së Strasburgut. Gjykata konstatoi se ishte cenuar Neni 6, i paragrafit 2 i Konventës (prezumimi i pafajësisë). Në këtë vendim, veç të tjerave gjykata theksoi se prezumimi i pafajësisë shtrihet (dmth të zbatohet) edhe në organet e administratës publike, etj. Ky rast, konsiderohet tipik, prandaj përmendet në mjaft punime apo shkrime, madje ky vendim i Strasburgut është përmendur disa herë edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit tonë. Në mjaft raste kur nga organet tona të sistemit të drejtësisë, shqyrtohen çështje që kanë të bëjnë me cënimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, konstatohet edhe cenimi i një parimi tjetër kushtetues, ai i procesit të rregullt ligjor që parashikohet nga Nenin 42 i Kushtetutës. 

Ka raste që menjëherë ose fill pasi kryhet një vepër penale, arrihet në përfundime të parakohshme; për bashkëpunëtorët në krim, për motivet, etj. Çfarë mendimi keni për këtë?

Raste të tilla ka pasur, ashtu siç ka patur dhe raste kur deklarata të tilla janë shmangur. Është folur me gjuhën e ligjit, janë përmendur vetëm të dhëna, është folur për dyshime që do të verifikoheshin. Paragjykimi, nxitimi në arritjen e parakohshme të përfundimeve edhe pa dashur, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë. Në mjaft çështje të hetimit të gjithanshme dhe zbulimit të motiveve të vërteta (ka raste që ato janë të kamufluara) imponohet përcaktimi dhe përdorimi i disa versioneve, si dhe zbatimi i metodologjisë më të efektshme. Parimi i prezumimit të pafajësisë, në fakt e mbron hetuesin, prokurorin dhe gjyqtarin nga njëanshmëria, nga gabimet që mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme. Hetimi është art. Ai kërkon pasojë, këmbëngulje, ndërgjegje dhe profesionalizëm. Veprimet dhe metodat kriminale janë bërë më të përsosura, më të sofistikuara. Zbulimi dhe goditja e tyre kërkon njohuri dhe përgatitje cilësore. Shpejtësia në hetime (por jo në dëm të cilësisë) është e domosdoshme, sepse (siç ka vërtetuar praktika) zvarritjet mund të zbehin apo të zhdukin provat. Zbatimi i prezumimit të pafajësisë që në fazën e hetimeve paraprake është një plus ose avantazh edhe për një shqyrtim gjyqësor më të shpejtë, më të drejtë dhe cilësor.

Po për median, a është i zbatueshëm prezumimi i pafajësisë?

Sigurisht që po, sepse është kërkesë, është parim kushtetues. Por lidhur me këtë problem duhet patur kujdes, sepse misioni kryesor i medias është të marrë dhe të japë informacion, të ndihmojë dhe të nxitë debatin publik në interes të publikut. Prandaj në këtë drejtim kërkohet një ekuilibër midis respektimit të së drejtës të një procesi të rregullt ligjor dhe të drejtës së shprehjes së lirë. Media nuk duhet të informojë psh publikun se ky apo ai është vrasësi apo vjedhësi, në një kohë kur fajësia e tij nuk është vërtetuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë. Nuk bëhet fjalë këtu për kritika që mund të jenë edhe të ashpra ndaj zyrtarëve apo funksionarëve të lartë të shtetit, të cilët duhet (për shkak të postit që kanë) të jenë më tolerant ndaj medias, por për kryerjen e një vepre penale që kërkon hetim dhe gjykim. Ajo që thuhet se: “Kur flet gjykata, të tjerët duhet të heshtin” nuk është e drejtë. E drejtë do të ishte “Vendimi i formës së prerë i gjykatës duhet zbatuar”. Megjithatë është jo vetëm e drejtë e medias, por edhe e individit të kritikojë vendimet e gjykatës (pa fyerje, pa shpifje, pa denigrim), madje dhe ato të formës së prerë. Gazetaria investigative është mjaft e dobishme edhe për vetë organet e drejtësisë. 

Po ligji për “dekriminalizimin”, a e cenon prezumimin e pafajësisë?

Ky është një kapitull i veçantë, që kërkon një trajtim të veçantë. 
Sigal