Ngjela: Teatri, me donacion kombëtar dhe jo prodhim tregu

643
Avokati dhe politikani, Spartak Ngjela, e cilësoi si një gjetje absurde dhe korruptive mënyrën e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. “Teatri Kombëtar si objekt i kulturës së lartë nacionale, është dhe duhet të jetë patjetër vepër e shqiptarëve dhe jo vepër apo prodhim i tregut. Edi Rama kërkon ta krijojë Teatrin Kombëtar si prodhim tregu, bashkë me klientelën e tij dhe klientelën e Sali Berishës. Jo, zotërinj, për ndërtimin e një vepre kombëtare të kulturës së lartë çdo kryeministër i drejtohet shoqërisë vet që të kontribuojë në financimin e tij në një donacion mbarëkombëtar. Rruga e interesit tregtar është rrugë antikombëtare dhe nuk ka moral”, u shpreh Ngjela. Sipas tij, në këtë proces do shkojë interesimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, sepse është vepër kombëtare. “Kurse, kapitali i madh shqiptar, po të ketë ca pak ndjenjë kombëtare sigurisht që paguan pjesën më kryesore për ndërtimin e një vepre të kulturës kombëtare e cila duhet t’i rezistojë kohës deri dhe në një shekull e më tej. Kjo është e vetmja rrugë që ndalon korrupsionin kryeministror”, nënvizoi Ngjela. Ai akuzoi edhe një herë drejtuesin e qeverisë. “Si mendon ky kryeministër i pasionuar kundrejt korrupsionit, një milion shqiptarë që do të marrin pjesë si donatorë në një proces strikt ligjor, nuk mund të paguajnë dot 30 milionë apo 40 milionë Euro? Sigurisht që po. E pra; vetëm kështu Teatri Kombëtar si godinë do të jetë një prodhim kombëtar dhe jo një prodhim tregu”, tha Ngjela.
Sigal