Ngjela: Ruçi dhe Xhafaj të marrin në dorë PS-në

687
Avokati dhe politikani, Spartak Ngjela, kritikoi deklaratën e Ramës për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë, ndërsa kërkoi që Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj të marrin frenat e Partisë Socialiste. “Akoma do ta mbajë Partia Socialiste, si kryeministër, një individ të mbushur me ligësi antikombëtare? E dëgjuat ligësinë Rama në Prishtinë për “presidentin konsensual” të dy shteteve? Një turp që tregon që Shqipëria ka si kryeministër një person që nuk di fare se çfarë është shteti, por që në të njëjtën kohë edhe një individ që, i kapur në korrupsion nga avancimi i Reformës në Drejtësi, po kërkon destabilizim rajonal”, u shpreh Ngjela. Sipas tij, nuk ka mundësi që dy shtete të pavarur, me strukturat e tyre juridike, të zgjedhin një president konsensual për dy shtete. “E di ky injorant që presidenti i çdo republike demokratike është subjekt i të drejtës së shtetit të vet? E di ky që sot, përderisa ka dy shtete të veçantë, shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës, ka dhe dy të drejta të ndryshme nga njëra-tjetra? E kupton dot kryeministri Rama që një President i përbashkët dy shtetesh është kërkesë primitive që vjen nga bashkimi i dy mbretërive? Si ka mundësi që dy republika ballkanike të pavarura të drejtohen nga një President i përbashkët kur strukturat e të drejtës së tyre janë ngritur mbi dy kushtetuta të pavarura shtetesh të pavarur??? Sigurisht që kjo në fillim analizohet pse është thënë, dhe pastaj ngrihet pyetja: pse e tha Rama tani? Por ky kryeministër na tha që për presidentin konsensual është “nisur nga fantazia e tij”. Sigurisht që u tërhoq nga qëllimi, se dështoi”, vlerësoi Ngjela. Ai shtroi pyetjen nëse do të hiqet dorë nga veprimi antikombëtar. “Atëherë pyetja është kjo: po socialistët akoma do ta durojnë këtë kryeministër? Për këtë duhet pyetur Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj”, shprehet Spartak Ngjela.
Sigal