Ngjela: Jo çështje “Tahiri”, por proces ndaj Ramës

490
Avokati dhe politikani, Spartak Ngjela, u shpreh se ka një proces për kryeministrin Edi Rama dhe hetimi i Saimir Tahirit është vetëm fakti i parë. “Çështja Tahiri tregoi se rreziku i të ardhmes së Shqipërisë është Rama dhe jo Tahiri, dhe se, shkaku i degradimit të qeverisë aktuale nuk është Tahiri, po Rama. Pse? Sepse kjo çështje tregoi që Rama vetë ka inkriminuar bashkëpunëtorët e afërt për të strukturuar një sistem politik autokratik me paratë e korrupsionit. Struktura është ende e dobët, dhe krimi është i dokumentuar tashmë. Struktura Rama nuk ka të ardhme. Tani është e qartë se gjendja aktuale është rrjedhojë e paaftësisë Rama, sepse ky nuk e kupton dot fare demokracinë, ngaqë dominohet nga një patologjizëm banal i degraduar”, tha Ngjela. Sipas tij, kryeministri është i dështuar. “Po pse është në krye të vendit Rama? Sepse ekziston urrejtja popullore kundër Berishës. Po çështja Tahiri? Nuk ka një çështje ‘Tahiri’, ka një proces kundër Ramës, i cili do të vazhdojë nga ekspozimi i fakteve, kurse Tahiri ishte fakti i parë i procesit Rama. Po, a do të penalizohet Tahiri? Sigurisht, por nuk mund të jetë i vetëm, ka dhe të tjerë. Pse? Po, si mendoni ju, ka krijuar Tahiri Ramën, apo ka krijuar Rama Tahirin? Në fakt, ka krijuar Rama Tahirin, se ky është sistemi autokratik Rama. Një sistem i dobët dhe i strukturuar si satrapitë e orientit. Dhe prapë, si mendoni ju se Rama ka krijuar vetëm Tahirin?”, u shpreh Ngjela. Për Avokatin, Tahiri është pjesë e sistemit, por sistemi është krijimi direkt i Ramës. “Në të ardhmen kjo mund të jetë rrethana lehtësuese për Tahirin, nëse ky flet për krijuesin e tij. Po Rama, a mund të bëjë të shurdhërinë, nëse dalin me radhë krijesat e sistemit të tij? Ato do dalin. Tahiri ishte i pari. Shurdhëria e Ramës nuk ka rëndësi, sepse ajo që do të ndodhë më pas në paraqitjen e fakteve, nuk ka lidhje me veshët e Ramës, por me veshët e shqiptarëve. Dhe me SPAK –un. Po Berisha ku do të jetë në të gjithë këtë proces? Berisha është i trembur, prandaj flet pareshtur. Po udhëton drejt SPAK-ut edhe ai. Por tani Berisha nuk përfillet fare, se procesi Berisha ka mbaruar. Berisha sot është si ato enët bosh që bëjnë vetëm zhurmë. Atëherë, ç’po ndodh? Prisni dhe shikoni”, tha Ngjela.
Sigal