Ngjela: Drejtësia do të godasë korrupsionin kryeministror

569
Avokati dhe politikani Spartak Ngjela u shpreh se drejtësia do të godasë korrupsionin kryeministror. “Një shoqëri e dominuar nga korrupsioni kryeministror, është tërësisht një shoqëri e dhunuar. Por një përdhunë e tillë kryeministrore që zgjat me dekada, vjen dhe ia heq vlerësimin për vetveten një shoqërie dhe tërë një populli”, tha Ngjela. Sipas tij, “korrupsioni kryeministror krijon klientelën e vet, përbuz popullin e vet, pikërisht pse e vjedh dhe e poshtëron atë; urren intelektin e lartë dhe moralitetin, se kërkon ta disponojnë vetë moralin shoqëror: ky korrupsion infiltron në shoqëri idenë se të gjithë vjedhin, dhe duhet respektuar vjedhësi më i fortë… domethënë – kryeministri”. Për avokatin, vendosja e drejtësisë do të sjellë ndëshkimin drastik të të gjithë elitës kryeministrore shqiptare. “Vetëm ndëshkim i drastik i korrupsionit kryeministror dhe likuidimi i drejtësisë së korruptuar do t’i kthejë shqiptarët nga një shoqëri që thotë se “ne jemi të humbur”, në njerëz që do ndihen se, më në fund, pavarësisht nga dhunimi i gjatë, kanë mbijetuar”, u shpreh Ngjela. Ai shtoi se “ndëshkimi i keqbërësve rivendos ekuilibrin e moralitetit shoqëror; sepse vetëm kështu fillon vendosja e ligjit”. “Vendosja e ligjit sjell në fakt dinjitetin shoqëror dhe dinjiteti shoqëror sjell edhe dinjitetin individual. Ja, ky është sekreti i Reformës në Drejtësi – dhe kjo Reformë që tani ka nisur, do të shkojë deri në fund’, nënvizoi Ngjela.
Sigal