Ngecja e negociatave, Holanda i bashkohet Gjermanisë e Francës

574
Francë-Gjermani-Holandë, tre shtetet skeptike me Shqipërinë

Të tre vendet kërkojnë nga qeveria e Tiranës plotësimin e kërkesave për luftën ndaj krimit e korrupsionit përpara hapjes së negociatave
Franca, Gjermania dhe Holanda janë tre shtete skeptike me ecurinë e Shqipërisë dhe kërkojnë luftë ndaj krimit e korrupsionit përpara hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, rruga e Shqipërisë deri në vendimin e qershorit nga shtetet anëtare të BE-së nuk do të jetë e lehtë. Kryeministri Edi Rama do të takohet në Gjermani me kancelaren Angela Merkel dhe drejtues të Bundestagut, pikërisht për të ndryshuar qëndrimin e Berlinit. Kjo lëvizje vjen për të shtuar mbështetjen për Shqipërinë, sa i përket votimit që do të bëhet në qershor për hapjen apo jo të negociatave me Bashkimin Evropian. Por veç Berlinit, skeptike është edhe Holanda. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timermans thotë se Holanda duhet të kërkojë më shumë rezultate konkrete sa i përket dy vendeve: Shqipërisë dhe Maqedonisë. Krerët e KE-së, Zhan-Klod Junker dhe Federika Mogerini, argumentuan javën e kaluar arsyet për fillimin e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Por sipas nënkryetarit Frans Timmrmans, gjërat nuk mund të kalojnë kaq shpejt. Ndryshe nga Junker që përmendi vitin 2025, Timermans thotë se nuk dëshiron të përmendë fare një datë. “Së pari, vendet duhet të plotësojnë kërkesat”, thotë ai në një intervistë për NOS. Ish-ministri i Jashtëm i Holandës tha se problem në këto vende është mosrespektimi i ligjit, si dhe korrupsioni i lartë. E për shembull konkret ai përmend raportet e fundit të korrupsionit, ku Shqipëria ka bërë hapa pas.

Ndikimi i raportit të DASH
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka folur nga Nju-Jork për hapjen e negociatave, ndërsa është pyetur nga “Zëri i Amerikës” pikërisht për skepticizmin e Gjermanisë e Francës dhe ndikimin që mund të ketë raporti i fundit kritik i Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë. “Natyrisht Franca dhe Gjermania e thonë të fundit fjalën e tyre për shkak të peshës që kanë me BE. Ne jemi në komunukim të vazhdueshëm me këto vende. Besojmë se takimi i kryeministrit nesër (sot) me kancelaren Merkel, por edhe me kreun e Bundestagut, krerë të forcave politike, shoqërinë civile, biznese e media, do të jetë një shtysë në këtë drejtim. Dhe sikundër ka ndodhur, gjatë këtyre dy muajve do të vazhdojmë dhe me procesin e reformave. Por edhe me Francën që kërkon më shumë informacion dhe kohën e mbetur në mënyrë sa më efektive që të kemi një vendimmarrje të kënaqshme për të gjitha palët”, u shpreh Bushati. Lidhur me raportin e DASH-it dhe kritikat për korrupsionin, ministri Bushati tha se “lufta kundër korrupsionit ka edhe mangësi dhe sfida përpara. “Korrupsioni është një sfidë jo vetëm për ne, por për gjithë venet e rajonit. Reforma në drejtësi, dhënia e shembujve konkretë do të jenë sfida jonë. Besoj se vendet anëtare të BE-së, krahas raportit të BE-së, punojnë edhe vendet tona përfshirë Shqipërinë, me ekspertiza të ndryshme. Raporti i DASH është nga ato raporte që lexohet me seriozitet maksimal dhe laps në dorë nga ana jonë për gjithë gamën e atyre që thuhen”, nënvizoi ministri i Jashtëm shqiptar.

Rama sot te Merkel, takime edhe në Bundestag
Kryeministri Edi Rama do të pritet sot në orën 15:30 nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në qendër të takimit do të jenë marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani, si dhe rekomandimi i fundit i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me vendin tonë. Në vizitën e kryeministrit Rama në Berlin janë parashikuar edhe disa takime në Bundestag, ku qeveria shqiptare synon të lobojë për të bindur deputetët gjermanë. Procedura kërkon që qeveria gjermane duhet të marrë një miratim nga Parlamenti përpara se të votojë në samitin e fundqershorit për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. 
Sigal