Nga marsi 2017, bashkitë bëhen “qeveri më vete”, do të aplikojnë për fonde nga BE

134

Pas miratimit
të reformës administrativo-territoriale, ngritja e zyrave të BE brenda të
gjitha bashkive në të gjithë territorin e vendit është projekti më I ri në
kuadër të reformimit administrativ.

Për realizimin e këtij projekti,
I cili do të vihet në zbatim në Mars të vitit të ardhshëm do të
investohen 800 mijë euro. Përthithja e financimeve nga BE, e pamundur deri
më sot pa ndihmën e qeverisë qendrore, do të bëhet e realizueshme përmes zyrave
të Bashkimit Evropian. Meqenëse financimi do të bëhet mbi baza projektesh, fondet
do të jenë të pakufizuara dhe do të akordohen në varësi të cilësisë së
projekteve të përzgjedhura. Kjo bën që potencialisht, një bashki të ketë akses
të pakufizuar në investimet që mund të realizojë për komunitetin. Këto zyra
krijojnë kontakt direkt me delegacionin e BE-së në Shqipëri. Rritja e njohurive
dhe e ndërgjegjësimit dhe përfshirja më konkrete e njësive vendore në
integrimin në BE përbëjnë objektivin kryesor të projektit, sipas lexo.al. Këto
zyra do të shërbejnë si struktura të specializuara, që do të ndihmojnë bashkitë
në zbatimin e kushteve të anëtarësimit, të cilat do të marrin përmasa më
aktuale me hapjen e negociatave. Nëpër zyrat në fjalë do të angazhohen 1-3
punonjës të bashkive të cilët do të krijojnë ‘Rrjetin e koordinatorëve të
BE-së’ në nivel lokal. Përgjegjës për realizimin e këtij projekti do të
jenë Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore në bashkëpunim me Ministrinë e
Integrimit Evropian dhe Zyrën e Delegacionit Evropian.