Nga Kongresi Amerikan tek VOA/ Monika Kryemadhi, vizitë pune në SHBA. Takime me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve dhe DASH

163

Monika Kryemadhi takon kreun e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA

Prej disa ditësh në SHBA, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është takuar me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi. “Ishte kënaqësi e madhe të takoja Nancy Pelosin, Spikeren e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, dhe të bisedoja me të mbi marrëdhënien e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryetarja Pelosi është një model shumë i fortë për të gjitha gratë në botë dhe, veçanërisht, në Shqipëri. Kemi nevojë për më shumë gra e vajza në politikën shqiptare, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë. Pres me padurim për të vazhduar diskutimin me një grua kaq të fuqishme për mënyrën se si duhet të fuqizojmë marrëdhënien tonë me SHBA dhe të përfitoj nga eksperienca e saj për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë.”, shkruan Kryemadhi. Politikania demokrate Nancy Pelosi është zgjedhur në krye të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, në janar të këtij viti.

Kryemadhi në VOA: Qëllimi i LSI është të pushtojë zemrat e shqiptarëve, të rikthejë shqiptarët në Shqipëri

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ndodhet për vizitë në SHBA dha intervistë te “Zëri i Amerikës”.

-VOA: Zonja Kryemadhi, përse duhet t’ju besojnë qytetarët, se përparësia juaj janë interesat e tyre dhe jo interesi për pushtet?

– Në fakt LSI ka qenë një parti politike që ka krijuar stabilitet dhe u ka krijuar shqiptarëve garancinë e funksionimit të institucioneve. Disa herë prej LSI-së është denoncuar kanabizimi i vendit dhe përdorimi i grupeve kriminale. Zgjedhjet e 2017-ës kanë qenë kulmi. Ne nuk themi që janë vjedhur, ne themi që janë përdorur paratë e krimit të organizuar për të blerë votat, për të intimiduar dhe për të shkatërruar të gjithë procesin zgjedhor. Ajo çka është më e rëndësishme, është që falë Zërit të Amerikës, ne sot kemi një dosje, ku është dosja 339, e cila është nga dosjet më të rrezikshme dhe ka rreth dy vjet, e cila nuk po hetohet dhe nuk ka asnjë person të hetuar. Djegia e mandateve është vërtet një proces shumë ekstrem dhe është një veprim shumë ekstrem e cila e detyroi opozitën duke e vendosur në cep, ju i thoni në Amerikë “Bejsboll Kushtetues”. Çdo të thotë “Bejsboll Kushtetues”? Njerëz populistë si Edi Rama vijnë në pushtet nëpërmjet votës së lirë, kapin mazhorancën në parlament, më pas kërkojnë të kapin institucione të tjera dhe i kapin ato pas hap pas hapi nëpërmjet votave në Parlament, për të ardhur deri te kapja e sistemit të Drejtësisë, i cili nuk mund të merret me votë, sepse sistemi i drejtësisë është diçka jashtë politikës dhe duhet të jetë i pavarur, ai vjen me të ashtuquajturën Reformë. Shqiptarët dhe LSI, që ka pasur një rol të jashtëzakonshëm për Reformën në Drejtësi, e që u votua për herë të parë me 140 vota. Dhe në emrin e të ashtuquajturës Reformë, sot Edi Rama ka kapur dhe po tenton të kapë në maksimum vetë Reformën në Drejtësi. Çfarë do të thotë “Reformë në Drejtësi”?! Mungesa e Gjykatës Kushtetuese për dy vjet, ia ka hequr të drejtën opozitës për t’u ankimuar, mungesa e gjykatës Kushtetuese ia ka hequr të drejtën opozitës për të ngritur zërin e saj, kemi ligjin për teatrin, kemi ligjin për pronat, kemi ligjin për pasuritë, të cilat Edi Rama kërkon t’ua grabisë shqiptarëve dhe këto të gjitha janë denoncuar.

Çdo të thotë që nuk janë vjedhur votat, por janë përdorur paratë e krimit?

Vjedhja vjen kur unë kam marr votën tënde dhe ta kaloj në emrin tim, ndërsa më e rrezikshmja që është e tmerrshme është që unë e kërcënoj Menadën nëpërmjet parave që vijnë prej krimit të organizuar.

-Pse nuk e thatë këtë gjë në 2017-n?

Sepse ne nuk e dinim, dhe këtë radhë, falë “Zërit të Amerikës”, ne kemi këtë informacion, sepse janë përgjime që i ka Prokuroria e Shtetit, duke pasur parasysh që grupi i Avdylajve mbahej gjithë kohën nën vëzhgim për shkak të angazhimit të tyre në krimin e organizuar. Për hir të së vërtetës, para disa ditësh, znj. Marku dha një intervistë për një televizion kombëtar ku tha, se prokurorët heqin dorë për vazhdimin e kësaj dosje. Pra, prokurorët largohen për hetimin e Dosjes 339 dhe Dosja 339 ka ngelur pezull. Po e njëjta gjë është dhe dosja e “Unazës së Re”, për të cilën duhet thënë se është një nga rastet më skandaloze, se si mund të falsifikohet firma e sekretarit të shtetit të Delaware, për të grabitur 20 milionë euro për kilometër në një rrugë, e cila ekziston. Unë nuk kam parë në asnjë vend të botës që 1 km rrugë kushton 20 milionë euro, për një rrugë të bërë, nuk po flasim për rrugë apo tunele, të cilat mund të jenë shumë, shumë të vështira.

Sa e ndihmojnë bombat me molotov, për shkak të kapsollave të hedhura, ndaj institucioneve?

Unë dënoj çdo lloj dhune dhe çdo lloj agresioni të kujtdo individi, qoftë ndaj policisë, por edhe të policisë ndaj protestuesve. Qëllimi i LSI nuk është të pushtojë godinat. Nuk janë problem godinat e Shqipërisë, nuk janë problem policët e Shqipërisë, nuk janë problem as punonjësit e administratës. Sot është problem fenomeni, i cili ka kapur shtetin. Qëllimi i LSI është të pushtojë zemrat e shqiptarëve, të rikthejë shqiptarët në Shqipëri dhe ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Ajo që është sot një nga problemet kryesore, që kemi, është që ne duhet të mbyllim njëherë e përgjithmonë tranzicionin. Jemi i vetmi vend që vazhdojmë në tranzicion.

Si ka mundësi që opozita nuk po mbështetet nga ndërkombëtarët?

Djegia e mandateve ka qenë një veprim ekstrem. Protestat duhet të vazhdojnë dhe jo vetëm që duhet të vazhdojnë. Unë mendoj që aktet e dhunës nuk është se e favorizojnë opozitën, aktet e dhunës i japin rolin e viktimës Edi Ramës. Aktet e dhunës krijojnë imazhin të një dhune të paprecedentë, sepse këtu në këtë rast viktima nuk është Edi Rama. Në këtë rast viktimat janë shqiptarët, të cilët janë më të varfër. Ju besoj e keni parë fotografinë e tmerrshme në dyert e ambasadës Gjermane se si me qindra të rinj rrinë në radhë për të marrë vizë pune, për të ikur dhe për të mos u kthyer më dhe kjo është një nga problemet më të mëdha që ka sot Shqipëria, largimi i të rinjve, i brezit më aktiv. Gjëja tjetër që doja të thosha është se, nëse opozita nuk do të dilte në rrugë, nëse opozita nuk do të digjte mandatet, populli nuk do ta besonte politikën, pse? Sepse në 30 vjet tranzicion ne i kemi zhgënjyer shqiptarët dhe për këtë ne sot duhet ta paguajmë, duhet ta paguajmë të gjithë, duke filluar nga unë e para dhe duke përfunduar tek politikani më i thjeshtë. Pse e them këtë? E them, sepse duhet të marrin përgjegjësi, sepse kemi shumë kusure për të larë përpara.

-Sipas burimeve tona, nënkryetari i LSI-së Z. Petrit Vasili është refuzuar viza, mund ta konfirmoni ju këtë gjë?

Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza, z. Vasili, sepse në qoftë se ka njeri më pa probleme është z. Vasili, megjithatë unë nuk e vendos dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe as për bashkëshortin tim. Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë me z. Lu, për sa i përket Reformës në Drejtësi dhe ka qenë një nga njerëzit, i cili ka nxitur dhe ka realizuar përfundimin e komisionit AD-HOC të Reformës në Drejtësi në Shqipëri