Nga Antishpifja te Reforma Zgjedhore, Kuvendi rinis sot punën. Fillohet me dekretet e Presidentit

666
Sigal

Pas më shumë se një muaj pushime, sot Kuvendi rinis punimet e tij në sesionin e gjashtë të legjislaturës së nëntë.

Seanca e parë plenare për këtë vit, që i hap rrugën punës edhe në pjesët e tjera të Kuvendit, nuk pritet të prodhojë debate të forta dhe do të fillojë pasdite. Siç është tradita e viteve të fundit në këtë seancë të sotme, agjenda do të përbëhet nga miratimi i programit të punës për 6 javët në vijim dhe kalendari i punimeve për 3 javët e ardhshme.

Në axhendën e shpallur nga Kuvendi, janë vetëm 5 pika dhe nuk ka asnjë ligj që do të diskutohet dhe të kalojë për miratim në këtë seancë të sotme. Por përtej kësaj seance të parë, ky sesion parlamentar pritet të jetë shumë i nxehtë. Janë disa çështjet që pritet të dominojnë jetën politike dhe atë parlamentare për muajt e ardhshëm.

PAKETA ANTI-KÇK

Kryeministri Rama, në fundin e dhjetorit të vitit të shkuar, u shpreh shumë i qartë se nisma ligjore kundër njerëzve në sistemin e drejtësisë, që nuk janë prekur ende nga vetingu, do të futet në fuqi sa më shpejt që në janarin e 2020-ës. “Në fillim të janarit, menjëherë pas Vitit të Ri, ne do kalojmë aktin që u pengua për shkak të Gjendjes së Emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së”, tha Rama më 23 dhjetor.

Kjo iniciativë ligjore, që u shty për shkak të situatës që prodhoi tërmeti, për të cilën Rama kërkoi mbështetje absolute nga grupi i PS-së, pritet të jetë ndër të parat që do të kalojë në Kuvend dhe ndër temat që premton të prodhojë debat politik për javët e ardhshme.

REFORMA ZGJEDHORE

Reforma zgjedhore është një tjetër çështje që u shty për fillimin e 2020-ës, për shkak të gjendjes së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Edhe pse Bundestagu kishte kërkuar që të miratohej brenda 2019-ës, si një nga 9 kushtet për hapjen e negociatave, dhe Rama kishte garantuar se një gjë e tillë do të përmbushej, tashmë mbetet për t’u parë nëse reforma do të mund të kalojë në këto javë të para të sesionit të gjashtë. Me përfshirjen e opozitës jashtë parlamentit në këtë proces dhe vendosjen e afatit 15 mars, nuk besohet se kjo reformë do të vonohet më tej, duke qenë se në maj është edhe Samiti i Zagrebit, që do të vendosë për hapjen ose jo të negociatave.

ANTISHPIFJA

Një tjetër temë që prodhoi shumë debat gjatë dhjetorit dhe pritet që të bëjë të njëjtën gjë edhe këto javë, është paketa “Antishpifje”. Presidenti Meta i ktheu të dyja ligjet, duke kërkuar që të përmirësohen, por maxhoranca, nga ana tjetër ,ka premtuar se do t’i rivotojë të dyja ligjet sipas përmirësimeve që u bënë deri në seancën e 19 dhjetorit.

PIKAT E RENDIT TE DITES

1. Hapja e Sesionit të VI-të të Legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Shqipërisë
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.12.2019
3. Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend
4. Miratimi i Programit 6 javor të Punës së Kuvendit për periudhën 20 janar-7 mars 2020
5. Miratimi i Kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 20 janar-7 shkurt 2020
6. Paraqitja ne Kuvend e kalendarit të raporteve vjetore të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj për veprimtarinë e vitit 2019