Nesho: Rama, amator në politikën e jashtme

767
Diplomati i njohur, Agim Nesho, është shprehur se kryeministri Rama është treguar amator në politikën e jashtme, përfshirë edhe sjelljen ndaj Greqisë. “Edi Rama fatkeqësisht është shumë amator në shumë fusha, bën liderin e madh, ka idenë se gjithçka nis me të. Mori tezën e doktrinës së Turqisë, për zero probleme me fqinjët. Kjo është teoria e një perandorie, ndërsa Shqipëria nuk e kishte këtë dhe u kthye deri në qesharake. Turqia etiketohet si një fuqi autoritariste dhe nuk respektohen të drejtat e njeriut”, është shprehur Nesho në një intervistë televizive disa javë më parë. Sipas tij, marrja e doktrinës turke shkaktoi problem. “Tani Rama mori doktrinën turke dhe tentoi ta implementonte, në një kohë që ne nuk kemi pasur mosmarrëveshje me fqinjët. Çfarë ndodhi? U krijuan probleme, jo vetëm me Greqinë, por edhe me Kosovën. Me Greqinë marrëdhëniet u bllokuan deri në atë që Greqia na tregoi dhëmbët. Pastaj u kalua në një tjetër diplomaci, në atë që do i japim të gjitha Greqisë. Dhe kjo ndodh sepse nuk ka një strategji, por ka luhatjet e një lidershipi që atë që mendon sot nuk e mendon nesër”, deklaroi Nesho. Një diplomat i njohur, Nesho ka përfaqësuar Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa ka kritikuar së fundmi edhe qëndrimin e vendit tonë ndaj politikës amerikane, veçanërisht në rastin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme për rastin e Jerusalemit.
Sigal