Nesër skadon afati, por a do regjistrohet në koalicion me PS? Vjen përgjigjia zyrtare e LSI

409
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama në një konferencë për shtyp lë të nënkuptohet që as nesër që është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve ne KQZ, nuk do të këtë një marrëveshje parazgjedhore me PS-në për aq kohë sa nuk është zgjidhur çështja e parë sipas tij, dialogu me opozitën, që të hyjë në zgjedhje.
“Zgjedhjet janë të parat, ne jemi të angazhuar dhe ftojmë partitë që të ngrihen në nivelin e përgjegjësive që kërkon ky moment i rëndësishëm për fatin e vendit”.

I pyetur nëse do të takohen sërish nesër aleatët Rama e Meta, zoti Rama thotë se gjithçka do bëhet e ditur në kohën e duhur. “Do mësoni çdo gjë në kohën e duhur dhe në momentin e duhur”,- tha ai.

E duke u ndalur tek koalicioni, nënkryetari i LSI-së u shpreh se e gjithë klasa politike ka për detyrë para së gjithash të garantojë zgjedhje me standarde, të lira e të ndershme, para çdo marrëveshje tjetër.

“Problemi i madh janë zgjedhjet, detyrimi i madh që ka e gjithë klasa politike, veçanërisht mazhoranca për shkak të përgjegjësive që ka për të qeverisur dhe realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën përfshirja e saj në zgjedhje, për të realizuar më në fund pas 27 vitesh pas një sage problematike me zgjedhje të kontestuara, zgjedhje të lira, të barabarta, transparente ku secili aktor të shpalosë alternativën e vetë. T’i largohemi marrëzisë, t’i thërrasim arsyes dhe përgjegjësisë, të realizojmë zgjedhje sipas standardeve”,- shtoi Rama.

Ndërsa shprehu edhe njëherë gatishmërinë e LSI-së për të dhënë kontribut për dialogun mes Bashës e Ramës, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, komentoi edhe deklaratat e bëra dje nga ministri i jashtëm gjerman në Tiranë.

Duke u ndalur tek thirrja e tij që opozita t’i japë fund bojkotit, Luana Rama tha: “Këto thirrje janë të dobishme për aq kohë sa janë të balancuara. Çdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar për shkak të papërgjegjësisë së shqiptarëve. Prandaj bëra thirrje për t’ju shmangur marrëzisë. Boll kosto kanë krijuar në këtë vend për qytetarët dhe proceset e integrimit. Ka ardhur koha e përgjegjësisë”,- vijoi Luan Rama.
Sigal