Nëse s’hapen negociatat në qershor, ‘fajin e ka vetëm Rama’…

557
Prof. Dr. Kastriot Islami, Ish-ministër i Jashtëm
Federica Mogherini, në fakt Komisioni Evropian, e tha “fjalën e mirë”, pra na e dha dhuratën…Nuk ka rëndësi se, nëse raporti pasqyron realisht gjendjen e vërtetë, rëndësi ka që propozimi është në favor të hapjes së negociatave, sepse mund të ishte edhe ndryshe… Dikush mund të pyeste, se përse vendimi në qershor mund të jetë i ndryshëm nga rekomandimi në prill? Apo nëse është vendimi i qershorit më afër realitetit, atëherë si duhet klasifikuar propozimi i prillit? Sepse do të ishte e vështirë, madje e pamundur, që një vendim i qershorit të ishte i ndryshëm nga propozimi i prillit, dhe të dy të pasqyronin gjendjen me të njëjtin realizëm. Është e sigurt se në Bruksel, Berlin, Paris apo gjetiu e kanë shumë të qartë se cila është realisht gjendja në Shqipëri. Po ashtu raporti nuk është bërë i tillë, se “duan fort Ramën” apo se “Vllahutin nuk ka raportuar me realizëm gjendjen në Shqipëri…”. Arsyet janë disa të tjera. Një prej tyre e tha Presidenti francez në fjalën e tij në Strasburg: “Jam dakord që vendet e Ballkanit duhet të bëhen pjesë e BE për shkak të rrezikut që iu vjen nga Rusia apo Turqia, por BE duhet të thellohet para së të zgjerohet…”. Sa real është rreziku i faktorëve të tretë për Shqipërinë është çështje që “ha diskutim”. Por vendet e rëndësishme të BE ose më saktë disa vende të BE, po përdorin si argument për rritjen e shpejtësisë së integrimit të Ballkanit, pikërisht rrezikun e faktorit të tretë. Por ndërkohë janë të frikësuar se vendet e Ballkanit pasi të bëheshin anëtare të BE mund të mos shpëtonin nga ky rrezik dhe të vazhdonin të kishin lidhje të dyfishta, prandaj Macron, duke kritikuar autoritarizmin e disa vendeve kërkoi që para zgjerimit të forcohen rregullat e funksionimit të BE. Pas propozimit të Mogherinit, fjalën e kanë kryetarët e shteteve të BE për të marrë vendimin në qershor 2018. Analiza dhe vlerësimi i tyre mund të jetë i ndryshëm nga ai i burokratëve të Brukselit. Sepse: 

Së pari, ata janë personazhe politikë që iu duhet të vendimin, ndërkohë që burokratët e Brukselit, përfshi edhe Mogherinin e Hahn, vetëm propozojnë, prandaj dhe raportet e hartuara prej tyre mund të bazohen në një analizë dhe vlerësim ndryshe. 

Së dyti, kryetarët e shteteve, kanë mbi kurrizin e tyre përveç zgjerimit edhe forcimin e Bashkimit aktual Evropian. Brexit ishte një sinjal që duhet marrë në konsideratë. Zgjedhjet në Itali po ashtu. Macron u shpreh se zgjerimi i BE drejt Ballkanit duhet të paraprihet nga forcimi i Bashkimit Evropian përmes thellimit. Një debat permanent në BE, për të gjetur modulacionin adekuat mes zgjerimit dhe thellimit në mënyrë që të sigurohet funksionaliteti i BE dhe procesi i vendimmarrjeve të BE të jetë efikas. Në shumë vende të BE, konfiguracioni politik që mbështet kryetarët e tyre të shtetit, është i brishtë. Prandaj sjellja e Merkel, Macron, e tjerë do të varej shumë nga gjendja e votuesve, të cilët përcaktojnë edhe fatin e tyre politik. Kështu që kryetarët e shteteve janë të detyruar të marrin në konsideratë edhe këtë faktor. Dhe gjendja e votuesve për vendet e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë, nuk diktohet nga vlerësimi pozitiv i Mogherinit. Thënë më thjesht, Merkel, Macron, apo dikush tjetër në Holandë a Danimarkë, ndikohen më shumë se çfarë mendimi kanë qytetarët e tyre për Shqipërinë dhe emigrantët shqiptarë, sesa çfarë shkruan Mogherini apo burokratët e Brukselit! Si përfundim duhet pritur qershori, me dëshirën e madhe dhe shpresën që kryetarët e shteteve të marrin një vendim në favor të hapjes së negociatave, siç propozoi dje në Tiranë edhe Mohgherini. Nëse vendimi qershorit nuk do të ishte në favor të hapjes së negociatave (larg qoftë!), fajin nuk e kanë ata që emigrojnë. Po ata që i kanë detyruar të emigrojnë Për këtë fajin e ka vetëm Rama dhe qeveria e tij, askush tjetër. Kjo duhet të kihet shumë mirë parasysh që tani dhe jo nesër apo në qershor!
Sigal