Nëse rrëzohet ligji i pronave, detyrimi i shtetit shkon 46 milionë euro

157

Flet për mediat Avokatja e Përgjithshme e Shtetit Alma Hicka 


Nëse rrëzohet ligji i pronave,
detyrimi i shtetit shkon 46 milionë euro

 

Avokatja e Përgjithshme e Shtetit Alma Hicka tha për mediat, se impakti i
ligjit është i jashtëzakonshëm nga ana financiare dhe, nëse Gjykata Kushtetuese
hedh poshtë ligjin, shteti do të përballet me një detyrim prej 46 milionë euro.
Alma Hicka tha, se “impakti i ligjit është i jashtë zakonshëm edhe për dosjet
në shqyrtim në gjykatën e Strasburgut. Ata kanë pretendimet tona, ne i kemi
vlerësuar me formulën e ligjit të ri. Pra është me një impakt të
jashtëzakonshëm financiar vazhdimi i vendimmarrjes nga Gjykata e Strasburgut.
Po të kemi në konsideratë buxhetin e shtetit dhe mundësitë financiare të
shtetit shqiptar, një hedhje poshtë e ligjit nga Gjykata Kushtetuese do të
thotë një vazhdim i vendimmarrjes të Gjykatës së Strasburgut, do të thotë që
shumë shpejt ne të përballemi me një detyrim të tillë që unë jua përmenda në
vlera, minimalisht 46 milionë euro për t’u paguar menjëherë kundrejt pronarëve.
Pra, situata për buxhetin e shtetit është shumë e rënduar, nëse skema e
paraqitur nga ky ligj do të hidhej poshtë nga Gjykata Kushtetuese, sepse ne po
presim kalimin në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që pastaj t’ia paraqesim atë
gjykatës së Strasburgut. Edhe Gjykata e Strasburgut po pret vendimmarrjen e
Gjykatës Kushtetuese. Madje ne në mënyrë informale ka filluar tashmë, sepse
zyra e Avokatit të Shtetit mban dhe komunikimet me Gjykatën e Strasburgut dhe
ata kanë filluar që sot të pyesin edhe informalisht se çfarë impakti ka
vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese  mbi
ligjin. Ne jemi të shqetësuar për të parë, se cili do të jetë arsyetimi
përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo ka pasojë jo vetëm për procesin
e brendshëm, por edhe mbi ato që janë dosje pezull dhe që priten me një faturë
të jashtëzakonshme financiare”.

Hicka: Pika 5 e ligjit, në
favor të pronarëve

Hicka sqaroi edhe pikën 5 të nenit 6, e cila tha se qëllimi ka qenë në
favor të pronarëve. Ajo u shpreh se sipas kësaj pike, prona e cila dilte e
tepërt të kalojë automatikisht në fondin e kompensimit. Hicka tha se “Pika 5 e
ligjit ka pasur një qëllim shumë specifik në favor të pronarëve. Këtu është
komentuar publikisht që pika 5 e nenit 6 do të bëjë obez shtetin shqiptar sepse
shteti shqiptar do të marrë pronat e pronarëve dhe do përdorë për vete në një
mënyrë tërësisht të papërgjegjshëm. Në fakt pika 5 e ligjit ka pasur për qëllim,
që prona e cila dilte e tepërt të kalojë automatikisht në fondin e kompensimit.
Pra, nëse sot fondi i kompesimit ushqehet vetëm me vendim të këshillit të
ministrave në një procedurë të stërzgjatur dhe që shpesh herë të vështirë për t’u
futur në fondin e kompensimit, në pikë 5 të nenit 6 ajo pronë kalonte
automatikisht në fond dhe kjo do të thoshte se nëse një pronar kishte një
vendim tjetër kompensimi ai mund të fitonte përsëri pronën e vet me anë të
ankandeve. Mua më vjen keq nëse kjo është shkëputur nga ligji”.

Hicka: Në Strasburg janë 84 dosje

Hicka  shpreh se në Gjykatën e
Strasburgut janë 84 dosje që nga pronarët vlerësohen me një pretendim prej 630
milionë euro. Hicka tha se “Ligji është në Strasburg, ligji është një përgjigje
e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së Strasburgut për të ndërtuar një mekanizëm
efektiv të brendshëm. Sot ne kemi në Strasburg 84 dosje të cilat vlerësohen në
një pretendim për ish-pronarët  prej 630
milionë euro dhe vetë në formulën e re ajo është prej 46.4 milionë euro ashtu
siç vlerësohet nga qeveria”.