Nepotizmi godet bazat socialiste në Korçë dhe Devoll

87


Anëtarët dhe militantët e  PS-së-letër Edi Ramës: Merrni masa urgjente, në 2015-n zgjedhjet e humbura!

Të detyruar nga mungesa e një përgjigjeje nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, militantët dhe anëtarët e Partisë Socialistë të Korçës dhe Devollit, ju drejtuan redaksisë së gazetës “Telegraf”. Ata shprehen të shqetësuar për gjendjen kaotik që është shkaktuar në këto dy vende, gjendje për, të cilën ata i kanë dërguan dhe një letër Kryeministrit Rama. Letër, e cila ka mbetur pa një përgjigje. Qëllimi i kësaj letre të hapur bëhet, me shpresën që Edi Rama ta lexojë, të reagojë dhe të marrë vesh se, baza socialiste si në Korçë dhe në Devoll po shkon drejtë “divorcit” nga Partia Socialiste. Në letrën e tyre ata sjellin raste konkrete të emërimeve nepotike në postet më të larta drejtuese dhe shprehen të rebeluar se, nëse nuk ndryshon gjendja, zgjedhjet vendore të 2015-s PS i ka të humbura. Më poshtë mund të lexoni dhe letrën e plotë të dërguar nga anëtarët e Partisë Socialiste.

“Zoti Edi Rama, Korça ju ka dashur dhe ju do, por juve Korçën e harruat menjëherë. Harruat ato pritje madhështore që të bënte baza socialiste dhe populli i Korçës, gjatë fushatave elektorale, harruat ato premtime që i bëtë Korçës dhe bazës socialiste, si në Korçë dhe në Devoll. Harruat punësimin e premtuar dhe shumë probleme të tjera që bëtë. Baza socialiste i vuri në jetë menjëherë porositë tuaja që dhatë gjatë takimeve të veçanta dhe ato elektorale. Socialistët e vërtetë, krijuan grupet e punës dhe sipas porosive tuaja vajtën derë më derë, bindën dhe ata njerëz që ishin të pavendosur dhe që mburreni ju sot për një milionë shuplaka që i dhatë Saliut. Juve deri tani në Korçë dhe në Devoll nuk keni punësuar as një socialist që sakrifikoi për PS-në, që PS-ja e Korçës dhe e Devollit i njeh shumë mirë këta militant, ashtu si i njohin kandidatët e zonave dhe të lagjeve. Juve z.Rama, Korçën dhe Devollin e injoruat dhe e fyet rëndë. Fushata mbaroi, PS fitoi, dirsa njerëz servilë të paaftë lanë postet e PD-së dhe pa konkurse hynë në PS, zunë vende drejtori pa një meritë dhe pa profesionalizëm dhe pa as një kontribut, madje, disa drejtorë s’kanë qenë as edhe një herë në PS. Këta persona, u bënë drejtorë drejtorie dhe rreth tyre morën njerëzit e tyre, familjarë dhe të njohur. Ç’u bën ato dokumente që u mblodhën nga koordinatorët e lagjeve, kërkesat për punësim të militantëve dhe të anëtarësuarve të shtabeve elektorale, apo u mblodhën për t’u përdorur për letra higjienike? Disa servilë të PS-së, të cilët nuk janë njohur kurrë në PS-në dhe s’kanë patur as një meritë dhe kontribut, tani na u bënë drejtorë. Pse zyra që u hap për t’u njohur me hallet e bazës socialiste, nuk funksionoi dhe nuk u zgjidh asnjë problem? Pse Petrika T., mashtroi bazën socialiste dhe nuk u zgjodhi as një problem të tyre dhe tani ku e kërkojmë, fshihet dhe nuk e hap as telefonin? Çfarë merita dhe kontribute ka Petrika T., që iku nga një drejtori në tjetrën apo që la 1000 biznese pa u marrë tatimet, se ja u merrte nën dorë? Për këtë u gradua në post më të lartë në ISKSH, ku mori të gjithë njerëzit e tij? Apo Muharem M., një ish-oficer, që ka tre vjet që është larguar nga PS-ja dhe s’është parë më, u caktua drejtor i Drejtorisë së Peshëmatjes, ku atje mblodhi dhe ky, të gjithë të njohurit e tij. Ose një tjetër inxhinier ndërtimi, Artur Q., caktohet drejtor i CEZ në Korçë, një njeri i korruptuar në INUK-un e bashkisë, që merrte ryshfete dhe linte të lulëzonin ndërtimet pa leje, për ç’arsye drejton CEZ-in ky njeri? Ka akoma z.Edi Rama! Me transportin në Korçë punon, drejton drejtorinë një ish-oficer, xhenier. Atëherë kush do ta sjellë Rilindjen në Korçë, njerëzit e paaftë që keni vënë juve?! Ka akoma z.Rama, një punonjëse sociale Jorida Remçka, që s’ka punuar asnjëherë, drejton nën stacionin e Zëmblakut. Më keq akoma z.Rama, në Drejtorinë rajonale Spitalore, ku një inxhinier P.Poponda, i shkarkuar për paaftësi nga PPT dhe që s’ka qenë as edhe një herë në PS, në moshë të madhe drejton spitalin. Ky njeri, në jetën e tij s’ka drejtuar as edhe një kioskë, ndërkohë, në PS ka intelektualë të shquar me kontribute në PS, që sot rrinë pa punë. Me çfarë konkursi ka hyrë ky njeri drejtues spitali z.Rama? Skandali më i madh është në drejtorinë e pyjeve, ku një drejtor, i diplomuar për mjekësi, që s’ka punuar as një herë mjek, drejton drejtorinë e pyjeve. Ky njeri pse nuk e ushtron detyrën si mjek që është diplomuar, sigurisht i paaftë? Ç’është kjo katrahurë që bën kjo qeveri, me çfarë specialistë do të bëhet reforma dhe Rilindë Shqipëria? Me të paaftë, me servilë me qeverinë dhe arrogantë, me bazën socialiste? Të gjitha këto janë fakte të pakundërshtueshme, e të verifikueshme. Baza socialiste në Korçë e Devoll është shumë e pakënaqur. A kanë sy e faqe drejtuesit e PS-s që të mbledhin elektoratin e tyre?! Viti 2015 po vjen, në zgjedhjet vendore në Korçë dhe në Devoll, PS i ka të humbura pa filluar fushatat elektorale. Në Devoll nuk e pranojnë më deputetin e tyre dhe nuk e njohin atë, por edhe në Korçë, kjo gjendje është deri tani. Deputeti socialist në Korçë fshihet dhe kur e kërkojnë, nuk ju del dhe nuk ju hap telefonin, na gënjen shumë mbi të gjitha. Prandaj, socialistët e Korçës kërkojnë të mblidhet urgjent kryesia e PS, të analizojë gjendjen dhe të marrë masa urgjente për të mbledhur PS sa nuk është vonë. Deputetët të bëjnë takime me elektoratin, të mbledhin mendimet e tyre dhe të marrin masa urgjente për përmirësimin e gjendjes. Të shkarkojë menjëherë njerëzit e paaftë që ka emëruar në drejtoritë rajonale në Korçë, të bëhen konkurse dhe të caktohen njerëz të aftë të përkushtuar dhe të devotshëm për të bërë reformat dhe për tu Rilindur Shqipëria, siç u trumbetua nga ju zoti Rama”.