Nepotizmi dhe keqqeverisja, PD e tropojës, kundër qendrës

545
Sigal


I dërguari i qendrës, deputeti Pal Dajçi, i befasuar nga situata. Pakënaqësitë për nepotizëm e keqqeverisje

Situatë e vështirë në degën e PD-së në Tropojë. Një situatë e tillë nuk është vërejtur kurrë, pasi kjo degë ka qenë dhe mbetet më aktivja dhe më e besueshmja e PD-së në këto 24 vjet demokraci. Kjo çarje vjen në kohën që PD në qendër mendonte se në këtë degë, do të vazhdonte po ajo qetësi, po ajo mënyrë organizmi ku nuk do të mungonte konsensusi midis anëtarëve të Kryesisë. Për vite me radhë kjo degë merrej si shembull, për mënyrën e organizmit, për mënyrën e zhvillimit të mitingjeve, të mënyrës së aktivizimit në zgjedhjet parlamentare. Në tërë këto vite demokraci, kjo degë së bashku me atë të Shijakut dhe të Kavajës, përbënin brezin e çeliktë të PD-së në Shqipëri. Ndërsa vitet e fundit dy bastionet e Shijakut dhe të Kavajës ranë. Mendohej se ajo që nuk do të sillte më asnjë problem për qendrën do mbetej dega e PD-së në Tropojë. Por ngjarjet e së premtes (21 shkurt), sikur i prishën të gjitha planet. Situata është tepër e vështirë.

Çfarë ndodhi të premten?

Ditën e premte datë 21 shkurt 2014, një ditë pas demonstratës që PD organizoi në Tiranë, kundër  qeverisë “Rama”, për mos mbajtjen e premtimeve, në degën e PD-së në Tropojë u zhvillua mbledhja e radhës për dhënie llogari dhe zgjedhje të reja. I deleguar nga qendra për të ndjekur zhvillimin e mbledhjes dhe për të përcjellë mesazhet e Kryetarit Basha ishte deputeti PD, Pal Dajçi. Sipas burimeve të sakta brenda Kryesisë së PD-së, në Tropojë, qysh në fillim të diskutimeve, Dajçi u ndodh para disa të papriturave jo të këndshme dhe nuk mund ta kontrollonte situatën. Pjesa dërrmuese e Kryesisë së PD-së, dega Tropojë, u vunë kundër punës dhe mënyrave të funksionimit dhe të drejtimit të partisë nga drejtuesit aktual dhe pikërisht Kryetarit aktual, njëkohësisht dhe deputeti i Kuvendit për PD, z. Besnik Dushaj dhe Sekretarit të PD-së, aktuale të degës Tropojë, njëkohësisht dhe Kryetari i Komunës Bujan, z. Bujar Hasanpapaj. Pjesa dërrmuese e kryesisë i kritikoi drejtuesit aktual, për nepotizëm, për monopolizim të partisë në degë, për përqendrimin e pushtetit vendor dhe partiak në dorën e tyre, për mosdëgjimin e zërit të masës dhe për nepotizëm. Madje, kritikat ishin të ashpra edhe për mos  informim real të problemeve në degën e PD, Tropojë. Madje, njëri prej anëtarëve të Kryesisë theksoi, se po këta drejtues, në periudhën e zgjedhjes së Kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Berishës, ishin kundër fitores së Bashës, madje nuk shpërndanë shumë formularë për votime, por ua dhanë përkrahësve të Sokol Olldashit. Pra, tashmë, duke parë si kanë ecur ngjarjet, po ata drejtues, kthehen me Bashën duke gënjyer për situatën e partisë në Tropojë. Nga ish- kundërshtarë të Bashës, ky grup në minorancë po kthehen si mbrojtësit më besnik të tij, për përfitime personale. Skenari i fundit për zgjedhjet në Kryesinë e PD Tropojë, sipas burimeve është përgatitur në mënyrë të tillë, që formularët për të drejtën e votimit t’u shpërndahen vetëm simpatizantëve të tyre, me qëllim që si kryetari aktual Besnik Dushaj dhe Sekretarit të PD-së, aktuale të degës Tropojë, njëkohësisht dhe Kryetari i Komunës Bujan, z. Bujar Hasanpapaj të rrinë apo të rizgjidhen në këto zgjedhje me po ato detyra. Një mbledhje më parë disa probleme të tilla ishin bërë prezent, por i deleguari, për të ruajtur unitetin dhe për të mos dalë përpara simpatizantëve si parti e përçarë, i mbuloi mjaft probleme. Por mbledhja e fundit, tregoi se problemet kanë avancuar dhe nuk mund të arrihet uniteti n.q.s nuk do dalin në shesh të gjitha problemet. Grupi në minorancë që drejton sot degën e PD në Tropojë, sipas disa anëtarëve të kryesisë, përbëhet vetëm nga fisi dhe të afrimit e dy drejtuesve aktuale dhe nuk kanë mbështetje në popull. Platforma e drejtuesve aktual të PD në Tropojë,  nuk është servirur as nga qendra, as nga baza, por janë orientime të vetë drejtuesve për të ruajtur karriget dhe bie ndesh me orientimet e vetë Kryetarit Basha, që të dëgjohet zëri i masës dhe të mos kalohet në dominim klanesh. Njëkohësisht në këtë takim nga anëtarët e kryesisë u hodh ideja, që të ndahet roli i kryetarit nga ai i të qenit deputet, sikundër të ndahet roli i Sekretarit të Përgjithshëm nga të qenit kryetar Komune. Edhe këto dy kërkesa drejtuesit aktual nuk i morën ën konsideratë. I dërguari i qendrës Dajçi, i gjendur midis dy zjarreve, për të shuar konfliktet, u mundua të qetësojë gjakrat, ku hodhi idenë që në një takim të ri, problemet të mund të gjejnë zgjidhje. Por përfundimi i takimit tregoi se asnjë prej grupeve nuk do të tërhiqet nga kresat e tij. Kjo ndodh kur dega e PD-së Tropojë, ka qenë dega më e zellshme, më besnikja e PD-së, e cila ka siguruar deputetë të padiskutueshëm në veri të Shqipërisë. Krisja e kësaj dege, tregon se PD-ja në këtë zonë është në krizë identiteti, pasi për vite me radhë disa anëtarë partie pa shumë influencë dhe pa shumë kontribute, tashmë, ndodhen në krye të saj, duke marrë prej PD-së dhe duke mos dhënë asgjë për ‘të.

Si do të vazhdojë gjendja?

Askush nuk mund ta përcaktojë. Ajo që dihet është se grupi që po tenton të nxjerrë të vërtetën në shesh dhe që përbën shumicën e Kryesisë së PD nuk do të tërhiqet. Ata përcaktuan qartë, se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më. Një situatë tejet e rëndë, ku të gjitha ofiqet janë uzurpuar nga dy ose tre familje që kanë nga 2 poste drejtuese në qeverisjen vendore, në legjislativ apo dhe në Kryesinë e PD-ë në degën e Tropojës. Ky debat i ashpër është një sinjal për Bashën, që të ketë kujdes në përzgjedhjet në bazë, pasi tashmë baza është më e vëmendshme, më e pjekur, më konkrete. Këto lloj zgjedhjesh që mundohen të serviren në PD në e Tropojës, janë tejet të vjetruara, tejet të papranueshme në një parti të hapur, aq më tepër demokratike. Për PD e Tropojës, tashmë është koha ekzakte për ndryshim. Një ndryshim që duhet të fillojë nga drejtuesit kryesorë që e kanë kthyer PD-në e kësaj zone në një monopol familjar që interesohet vetëm për njerëzit rreth vetes, duke lënë në hije, ata që kanë kontribuar dhe që kanë influencë të vazhdueshme.

Arben Progonati