Nënshkruhet protokoll bashkëpunimi Italia jep 81.7 mln € për Shqipërinë

420
Sigal

Shqipëria dhe Italia nënshkruan Protokollin e ri të Bashkëpunimit për Zhvillim për periudhën 2014-2016, i cili përfaqëson një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Nënshkrimi i këtij dokumenti dëshmon edhe njëherë angazhimin e Qeverisë Italiane për të mbështetur Shqipërinë në procesin e zhvillimit dhe integrimit në BE. Kooperacioni Italian për Zhvillim është aktiv në Shqipëri që nga viti 1991, me një mbështetje që e kalon vlerën e 700 milionë euro. Në periudhën 2000-2014 Italia ka përfaqësuar donatorin dypalësh më të rëndësishëm në vend.

Për zbatimin e këtij Protokollli, pala italiane vë në dispozicion një shumë të përgjithshme prej 81.7 milionë euro, nga të cilat 56.7 milionë euro kredi e butë, 20 milionë euro konvertim borxhi dhe 5 milionë euro grant.

Prioritetet strategjike që do të mbështeten në periudhën e ardhshme trevjeçare janë, rritja e qëndrueshme nëpërmjet nxitjes së konkurrueshmërisë dhe përdorimit efiçent të burimeve.

Nën këtë shtyllë financohen programet e zhvillimit ekonomik, me fokus nxitjen e investimeve të huaja, me 22.4 milionë euro; bujqësia dhe zhvillimi rural, i financuar me 5 milionë euro; sektori energjetik mbështetet me 16.2 milionë euro; sektori i ujësjellës-kanalizimeve me 10.5 milionë euro, etj.

Në fushën e investimit tek njerëzit dhe kohezioni social parashikohet të financohet faza e dytë e Programit të Konvertimit të Borxhit për sektorët socialë, me një fond prej 20 milionë euro dhe sektori i arsimit dhe formimit profesional, me 5 milionë euro. Në drejtimin e qeverisjes së mirë, demokratizimit e shtetit ligjor, mbështetet reforma territoriale-administrative me 0.8 milionë euro.