Sigal

Bojkoti i parlamentit duhet të mbështetet nga i gjithë spektri opozitar

 Jakup B. GJOÇA

Edmond Spaho, nënkryetari i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pranon që bojkoti i Parlamentit nga PD-ja është një opsion politik, por vendimmarrja do të bëhet, vetëm kur të bien dakord i gjitha spektri politik. Zoti Spaho thotë se opozita nuk kërkon zgjedhje të parakohshme, sepse me kryeministër Ramën nuk janë të garantuara zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj prioritet i opozitës është largimi i kryeministrit Rama nga pushteti. Nënkryetari i PD-së, Spaho zbardh në intervistën për gazetën “Telegraf” edhe strategjinë e politikës së PD-së në ta ardhmen e afërt, e cila do të jetë protesta të fuqishme në plan kombëtar dhe lokal.

-Zoti Spaho në 18 dhjetor 2017 Taulant Balla votoi edhe me karta të Opozitës për ligjin e Kryeprokurores së Përkohshme. Para një jave u regjistrua vota e deputetit që mungonte fizikisht. Sekretariati i Kryesisë këtë Vjedhje e quajti normë ligjore. Atëherë çfarë reputacioni ligjor kanë ligjet e votave të trafikuara?

– Si dhe në raste të tjera maxhoranca ka përdorur mekanizmin e votës për të imponuar verdiktin e saj megjithëse nuk ka pasur të drejtë. Në këtë rast u “justifikuan” sikur votimin e paskan bërë deputetët e opozitës. E vërteta qëndron ndryshe që deputeti Bitri votoi edhe për deputetin Tavo, por edhe sikur të kishte ndodhur, sipas “interpretimit” të maxhorancës, shkelja do ishte e njëjtë dhe ligji i pavlefshëm. Akoma më keq që opozita nuk ka ku ankohet, pasi Gjykata Kushtetuese nuk ekziston më dhe praktikisht jemi nën diktaturën e maxhorancës, e cila miraton çfarëdo dhe pa pengesë.

– Derisa vota trafikohet edhe në votimet e projektligjeve ne parlament ka arsye që opozita të jetë e pranishme në Parlament?

– Opozita po bën gjithçka që mundet që të plotësojë misionin e saj. Parlamenti po bëhet çdo ditë edhe më i pakuptimtë, por marrja e një vendimi të tillë duhet të mbështetet nga i gjithë spektri opozitar.

– Mosbindja Civile sikur u harrua si aksion politik nga Opozita. Përse?

– Sa kohë opozita proteston në komisione, në seancë plenare dhe në rrugë me qytetarët, do të thotë që ky aksion po vazhdon. Aktualisht ne po mbështesim lëvizjen e artistëve dhe qytetarëve për t’iu mos bindur qeverisë dhe moslejimin e shembjes së Teatrit Kombëtar. Aksione të tjera do të ketë në javët dhe muajt e ardhshëm.

– Opozita u premtoi elektoratit se pas 28 qershorit do ndryshojë marrëdhëniet me maxhorancën nëse BE nuk hap negociatat. Kur dhe si do veprojë Opozita?

– Raporti ynë me maxhorancën është mjaft i tensionuar politikisht për shkak se kjo qeveri është e kriminalizuar, mbështet kultivimin e kanabisit dhe trafikimin e tij në Evropë, lejon pastrimin e parasë së drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Për arsyet e mësipërme vendit nuk iu hapën negociatat dhe nuk do t’i hapen sa kohë nuk do shënojmë përmbysje në këto fusha dhe atë të emigracionit ilegal. Aksioni ynë politik do vijë duke u thelluar dhe ashpërsuar. Stina politike që kemi përpara do ta vërë qeverinë përballë protestave masive në nivel lokal dhe kombëtar, deri sa të bëjmë të mundur largimin e Edi Ramës, i cili është shkaktari i gjendjes së vështirë dhe të pashpresë në të cilën ndodhemi si vend.

– Përse Opozita nuk kërkon zgjedhje të parakohshme për arsyet dhe shkaqet që ju përmendët?

– Përpara se të kërkojmë zgjedhje të parakohshme, do duhet të sigurohemi që ato të jenë të lira dhe të ndershme. Me Edi Ramën në qeveri, sikurse ka ndodhur në të shkuarën, nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, prandaj fokusi ynë është që të largohet Rama nga qeverisja dhe të krijohen të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë reformën zgjedhore.