Nën hetim 76 zyrtarë të administratës publike për dekriminalizim

92
76 zyrtarë të shtetit, subjekte të ligjit të dekriminalizimit, po verifikohen në mënyrë të thelluar, për të shkuarën e tyre të mundshme kriminale. E dhëna vjen përmes raportit zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Organi i akuzës bën me dije se Sektori i Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, gjatë vitit 2017, ka administruar 563 raste për verifikim të thelluar. Gjatë kësaj periudhe, për 487 subjekte vetë deklarues është përfunduar verifikimi dhe janë përcjellë rezultatet e verifikimit. Kërkesat e tjera prej 76 rastesh vijojnë të jenë në proces verifikimi brenda afatit ligjor të kryerjes së verifikimit. Gjatë vitit 2017 janë ekzekutuar gjithsej 2429 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 723 procedime penale. Nga këto, 204 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të prokurorisë për krime të rënda. Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 3575 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.