Negociatorët: Të krijohet sa më parë qeveri teknike!

737
Sigal

Opozita është e vendosur të mos bisedojë më me mazhorancën për zgjidhje të krizës. Protestuesit do të rrethojnë edhe institucionet

Jakup B. GJOÇA

Shqiptarët përditë po e shprehin fuqishëm jo vetëm pakënaqësinë, por edhe revoltën e tyre kundër kësaj qeverie, edhe pse ende nuk i ka mbushur 2 vjet nga mandati i dytë qeverisës. Skandalet e përditshme të korrupsionit, varfëria që përditë po thellohet, sa shqiptarët masivisht braktisin Shqipërinë për të gjetur një shpresë mbijetese në Evropë, rënia ekonomike, për shumë shkaqe, por më kryesore mungesa e konkurrencës së lirë në tregun e punës për shkak se monopolizohet në pak duar gjithë aktiviteti ekonomik, padrejtësitë ligjore, sociale, sjellja arrogante e administratës publike ndaj qytetarëve, në ço marrëdhënie kontakti, punësimet me kritere partiake, zhvlerësimi i meritokracisë janë disa nga faktorët që ndikuan që shqiptarët të revoltohen dhe të dalin në protesta kundër qeverisë. Si asnjë herë tjetër, deri pardje, mijëra e mijëra qytetarët u mblodhën spontanisht, përpara parlamentit orën e mbrëmjes të së martës, kur u zhvillua seanca plenare dhe ky masivizim i revoltës dhe protestës popullore është shenja që qeveria de fakto e ka humbur votëbesimin. Në një rend demokratik, asnjë qeveri nuk mund të qeverisë dot gjatë, për shkak se ka marrë votëbesimin në zgjedhjet parlamentare, derisa nga parlamenti është larguar opozita, derisa populli proteston në rrugë.

Opozita: Do të rrethojmë edhe institucionet shtetërore

Opozita ka zgjedhur strategjinë politike, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve: Protesta përpara parlamentit, sa herë që do të zhvillohet seancë plenare, deri sa kryeministri Rama të largohet, parlamenti të shpërndahet, të krijohet një qeveri transitore, e cila do të përkujdeset vetëm për organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Kryeministri Rama deklaron përditë, që qeveria nuk tërhiqet, ka votëbesimin e shqiptarëve dhe do të punojë deri në mbarimin e “kontratës” elektorale. Situata politike në Shqipëri po bëhet kaotike, me rreziqe të mëdha, të paparashikuara. Dje ish-deputetë të opozitës, deklaruan se protestat do të përshkallëzohen në ditët në vijim, madje, protestuesit do të rrethojnë edhe institucionet shtetërore për të paralizuar shtetin.

Alarmohet BE-ja, dërgon urgjent negociatorë në Tiranë

Ende edhe dje, aroma e gazit helmues që u derdh lumë mbi popullin që protestoi mbrëmjen e së martës para parlamentit, hidhëronte jo vetëm atmosferën e Tiranës, por edhe marrëdhëniet politike të opozitës me mazhorancën. Bashkimi Evropian është alarmuar nga përshkallëzimi i revoltës popullore, e cila arriti vijën e kuqe, me dorëzimin e mandateve të deputetëve nga opozita. Prandaj, e shqetësuar, Parlamenti Evropian dërgoi emisarët e tij urgjent në Tiranë. Delegacioni përbëhet nga 7 përfaqësues, të cilët kryesohen nga Tunne Kelam, ndërsa në përbërje të delegacionit janë Cristian Preda, Knut Fleckenstein, Juan Fernando Lopez Aguilar, Bas Belder, Ilhan Kyuchyuk dhe Tamas Meszerics, të cilët gati sa nuk u trullosën nga era e gazit helmues, që nuk ishte pastruar akoma. Prandaj, kjo ishte edhe një nga arsyetimet, pse eurodeputetët thirrën në takim, në selinë e Ambasadës së BE-së në Tiranë, ministrin e Brendshëm Lleshi. Çfarë thanë, nuk u publikua, por, është e natyrshme, që eurodeputetët e kanë paralajmëruar ministrin e Brendshëm, që të jetë më i kujdesshëm, në ditët në vijim, të mos përdorë kundër protestuesve gazra helmues. Rendi demokratik nuk mbrohet me gazra helmues të përdorur nga Policia e Shtetit.

Opozita reagon pas takimit me eurodeputetët. Basha: Koha e Ramës mbaroi

Eurodeputetët u takuan me krerët e opozitës. Kreu i opozitës Lulzim Basha, deklaroi para pas takimit me përfaqësuesit e BE-së. Ai tha se u ka bërë të qartë ndërkombëtarëve situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi. Ai tha se nuk ka dhe nuk ka për të pasur më një marrëveshje të dytë mes tij dhe Edi Ramës, dhe e vetmja zgjidhje do të jetë qeveria teknike. “Nuk ka asnjë komunikimi mes meje dhe Edi Ramës. I vetmi komunikim është ai me qytetarët. Nuk do të ketë një 2017-të tjetër me Edi Ramën. Edi Rama e shndërroi 2017-n në një “Dosje 339”. Sot tepsia është në duart e Edi Ramës dhe krimit të organizuar. E vetmja zgjidhje teknike do të jetë ajo me një qeveri teknike dhe jo me Ramën kryeministër”, – u shpreh Basha. Mirëpo, sipas burimeve të mirinformuara, në tavolinën e negociatave të eurodeputetëve dhe opozitës në Tiranë është biseduar vetëm mundësia e shpërndarjes së parlamentit dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, duke krijuar një qeveri teknike, tranzitore, të socialistëve, por pa Ramën kryeministër.

Kryemadhi pas takimit me delegacionin e PE: Opozita s’tërhiqet

Monika Kryemadhi ka qenë e prerë në fjalën e saj pas takimit me delegacionin e Parlamentit Evropian në Tiranë, duke theksuar se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj. “Unë di të them se nuk ka asnjë hap pas. Opozita nuk do të ketë asnjë hap pas. Shqiptarët janë mandatet tona më të pastra. Protesta e 16 shkurtit, protesta e 21 shkurtit dhe protesta e djeshme, tregoi dhe njëherë që opozita është në rrugën e duhur. Jam e bindur që të gjithë ju gazetarët e terrenit, jeni në rrugën e duhur që e paraqisni opozitën në çdo moment prezent në aktivitetet e saj. Faleminderit dhe na falni për gazin helmues të djeshëm që përdori Garda e Republikës kundër qytetarëve dhe kundër jush. Ju faleminderit shumë!”, u shpreh kryetarja e LSI.

Reagon delegacioni i PE-së,

Delegacioni i Parlamentit Evropian në Tiranë ka reaguar pas takimit me krerët e opozitës Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Në një postim në Twitter, delegacioni i PE-së shkruan u diskutua për integrimin e Shqipërisë dhe BE-së dhe duke u angazhuar për një zgjidhje të krizës politike. “Takimi i parë i delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë, me krerët e opozitës: duke diskutuar integrimin e Shqipërisë në BE dhe duke u angazhuar në diskutime konstruktive për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale politike.”- thuhet në njoftim.

Eurodeputetët takojnë edhe kryeministrin Rama

Në orët e mbasdites së djeshme, eurodeputetët u takuan edhe me kryeministrin Rama në kryeministri. I pranishëm ishte edhe ministri në detyrë i Jashtëm Cakaj. Natyrisht, negociatorët e PE-së i kanë përcjellë kryeministrit çfarë biseduan me opozitën, duke i shprehur edhe qëndrimet e tyre dhe janë munduar të gjejnë një zgjidhje të pranueshme politike nga të gjitha palët, por që të jetë në të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mundësia e vetme që ka mbetur në negociatat e PE me mazhorancën dhe opozitën për zgjidhjen e krizës është vetëm krijimi i një qeverie tranzitore, në një kohë sa më të afërt, për të mos lejuar ngjarjet politike, të shkojnë jashtë kontrollit me pasoja të paparashikuara.

Dashamir Shehi: Shqipëria për 20 vjet do paguajë lekët e hajdutërisë së Ramës

Ish-deputeti dhe kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi, dje deklaroi se kryeministri Rama e ka mbushur kupën e zullumeve dhe këtë e dëftojnë sheshet e Tiranës po mbushen me njerëz që protestojnë. Vjedhjet e kësaj qeverie janë të përditshme, saqë edhe brezat e ardhshëm të shqiptarëve do të paguajnë për më shumë se 20 vitet që vijnë paratë prej qindra milionë eurosh të hajdutërisë së kryeministrit Rama