Negociatat për anëtarësim në BE/ Rama akuzon parlamentin gjerman dhe qeverinë “Merkel”. Na bllokuan, që të mos integrojnë Shqipërinë

430
Sigal

Edi Rama akuzon parlamentin gjerman dhe qeverinë Merkel: Na bllokuan

Kryeministri Rama po e ndjen se me keqqeverisjen e vet, po izolohet përditë e më shumë nga partnerët ndërkombëtarë, për shkak se, si kryeministër jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për zbatimin e reformave të rëndësishme të integrimit, por udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian po e kuptojnë që problemi në Shqipëri është pikërisht kryeministri Rama. Nuk janë të rastësishme kritikat e vazhdueshme të “Zërit të Amerikës”, të mediave holandeze dhe gjermane ndaj keqqeverisjes së kryeministrit Rama, por më kryesore është raporti i DASH për Shqipërinë në 2018-n, duke e vlerësuar Shqipërinë si vendi tranzit i trafikimit të drogave dhe parajsën e pastrimit të parave, që bëhen ngaqë korrupsioni i zyrtarëve të lartë është i madh. Gjatë viteve të fundit, Edi Rama, gati është shpallur person ‘non grata’ në Berlinin zyrtar, por jo vetëm aty. Nuk mbahet më mend një vizitë e tij zyrtare jashtë vendit, përveçse pritjes që iu bë nga mbreti i Arabisë Saudite, ndërkohë që ky ishte nën bojkot ndërkombëtar për vrasjen e një gazetari të njohur kritik ndaj qeverisjes së tij. Dje, ndërkohë që kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, u prit në kancelarinë gjermane dhe në Bundestag, kryeministri Edi Rama nga salla e parlamentit bëri një deklaratë të rrezikshme, duke lëshuar akuza për Berlinin zyrtar. Duke folur për Reformën Zgjedhore, ai akuzoi Gjermaninë se e ndikuar nga opozita, të cilën e quan mike të Berlinit, BE ka futur si kusht për hapjen e negociatave, edhe Reformën Zgjedhore. “Nuk e kemi futur ne reformën zgjedhore, si kusht për hapjen e negociatave. E kanë futur ata dhe miqtë e tyre në Berlin”, deklaroi Rama duke implikuar kështu edhe Gjermaninë në ‘planin’ që sipas tij kanë armiqtë e Shqipërisë, për të mos integruar në Bashkimin Evropian.