Negociatat, çfarë po lëviz në sallat e politikës

475
Takime, bisedime e negociata pas kërkesës së Metës për një qeveri të besimit. Rama, ende i pavendosur, 

Negociatat, çfarë po lëviz në sallat e politikës

Kryeministri Edi Rama pati dje një takim me aleatin e tij, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Takimi vjen pas qëndrimit të LSI-së për një qeveri të re besimi si një zgjidhje për krizën e krijuar nga protesta e opozitës, e cila nuk pranon të futet në zgjedhje me një ekzekutiv të drejtuar nga Rama. Palët kanë vijuar më pas bisedimet, ndërsa në godinën e qeverisë ku Rama kishte mbledhur disa përfaqësues të partisë së tij, ka shkuar dhe përfaqësuesi i LSI-së Petrit Vasili.

Pas 90 minutash qëndrimi në zyrën e kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama u largua për të vijuar bisedat me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Ky është takimi i dytë mes dy udhëheqësve të koalicionit qeverisës, pas darkës të së dielës. Por në mes të këtij harku kohor shumë gjëra kanë ndryshuar. Të hënën LSI-ja doli me propozime konkrete, që pavarësisht terminologjisë, ishin në linjë me kërkesat e opozitës: Një “Qeveri besimi” ku Rama mund të jetë kryeministër vetëm nëse arrin të bindë opozitën, dhe paralajmërimi i qartë se zgjedhjet pa opozitën do të ishin një farsë në të cilën LSI-ja nuk pranon të bëhet palë. I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga deputetja Mesila Doda, e PDIU-së, aleatit tjetër të së majtës, duke kufizuar në këtë mënyrë dhe më shumë zgjidhjet e kryeministrit. Ky i fundit u përgjigj dy ditë më parë me tone të moderuara ndaj LSI-së, por bëri të qartë gjithashtu se nuk tërhiqet e për pasojë zgjedhjet do të duhet të mbahen më 18 qershor dhe se çështja e qeverisë është e lidhur me vullnetin e shumicës që e ka zgjedhur.

Se çfarë kanë biseduar dje të dy drejtuesit kryesor të së majtës kjo është e paqartë, por mesa duket palët kanë lënë ende hapësira për diskutime. Rama pati konsultime me një sërë bashkëpunëtorësh të tij, dhe pas mesditës në godinën e qeverisë hyri dhe Petrit Vasili, përfaqësues i lartë i LSI-së dhe i pranishëm dhe në darkën mes kryeministrit dhe Metës.

Marrëdhëniet mes dy partnerëve janë në pikën më të ulët dhe ndarjet janë shumë të thella. Propozimet e LSI-së nuk lënë shumë shtigje zgjidhjesh alternative, sikundër dhe pozicioni i Ramës. “Megjithatë duket sikur ka një përpjekje për të shpëtuar martesën e tyre të vështirë nga një divorc përfundimtar”, bën të ditur “Zëri i Amerikës”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ndoshta kësaj i druhet opozita e cila dy ditë më parë nuk shfaqi ndonjë entuziazëm për qëndrimin e Metës, ndërsa dje kreu i saj Basha theksoi se, nëse do të ketë dialog, ai nuk do të jetë një pazar i pisët mes politikanësh të shumicës dhe opozitës, “por do të jetë dialogu politik që përmes standardit evropian për zgjedhje të lira dhe të ndershme – themeli i gjithçkaje – përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra, mënyrave të vjetra dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend”.
Zgjedhjet, edhe 3 ditë për kompromisin
Partitë politike kanë edhe 3 ditë kohë për të gjetur kompromisin që nuk do të rrezikonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të parashikuara për t’u zhvilluar më 18 qershor 2017, votimet e përgjithshme kanë hyrë tashmë në zbatimin e kalendarit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. 

Afati i parë që përcakton Kodi Zgjedhor lidhet me regjistrimin e subjekteve politike. Sipas Kodit, çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Pra afati i fundit që dosja e Partisë Demokratike të udhëtojë drejt selisë së KQZ-së është 8 prilli 2017. Në vetëm 3 ditët e mbetura klasa politike duhet të gjejë kompromisin, në mënyrë që demokratët dhe aleatët e tyre të regjistrohen si garues më 18 qershorit. Shkelja e këtij afati do të kërkojë ndryshime ligjore dhe mund të çojë në mënyrë të paevitueshme në shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Afati i dytë që përcakton Kodi Zgjedhor lidhet me regjistrimin e koalicioneve. Sipas Kodit, “dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Pra afati i fundit për të mësuar fatin e dyshes PS-LSI do të jenë 18 prilli 2017. Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se do të mbledhë forumet e saj për të vendosur hyrjen në zgjedhje e vetme ose në koalicion me socialistët, të cilët i kanë dërguar ftesat e tyre muaj më parë.

Afati i tretë i rëndësishëm që përcakton Kodi Zgjedhor lidhet me regjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë. “Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumë emërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”, thuhet në Kod. I njëjti afat është edhe për partitë që janë regjistruar si pjesë e një koalicioni. Pra deri më 28 prill 2017, partitë duhet të kenë dërguar në KQZ listën me 140 kandidatët e tyre për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. 

Datat
8 prill 2017, afati i fundit për regjistrimin e partive në KQZ.
18 prill 2017, afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ.
28 prill 2017, afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve për deputetë në KQZ. 
18 maj 2017, nisja e fushatës zgjedhore.
Sigal