“Në sondazhin për ish-diktaturën, shqiptarët i bënë thirrje klasës politike që të punoj për ta e jo për vete”

445

Intervistë e Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në
Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, dhënë në “Ora News”

Para pak ditësh
ju keni bërë publike një anketë, të cilën e keni quajtur “Njohuritë dhe
perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e
tyre për të ardhmen. Çfarëështë kjo anketë? Pse erdhi tani?

 Ambasadori Borchardt: Kjo anketë kishte kohë
që ishte planifikuar. Ne e prezantuam para dy ditësh, duke qenë se kjo ishte
një ditë që u vinte për shtat të gjithë pjesëmarrësve. Nuk është se kishte
ndonjë arsye të veçantë për ta prezantuar pikërisht në atë datë. Qëllimi i
anketës është i dyfishtë. Ne duam të kontribuojmë bazuar në konstatimet
empirike, në debatin këtu në Shqipëri për të kaluarën, si dhe duam të nxisim
diskutime të mëtejshme.

 Kush e organizoi këtë sondazh? Sa i saktë është,
nëse sensin historia e sondazheve në Shqipëri nuk është një histori suksesi.
Kush është marzhi i gabimit të këtij sondazhi?

 Ambasadori Borchardt: Ne punuam me një
kompani me përvojë, e cila u përzgjodh përmes procedurave tona normale të
prokurimit. Kompania intervistoi pothuajse 1000 vetë, gjë që e bën anketën
shumë, shumë përfaqësuese. Marzhi statistikor i gabimit ishte nën 5 përqind,
diçka më shumë se 3 për qind.

 Bazuar në këtë sondazh, i cili duhet pranuar ka
qenë pak surprizë për shqiptarët, a duhet të kemi frikë se mund të na rikthehet
komunizmi në Shqipëri?

 Ambasadori Borchardt: Rezultatet kanë qenë
të ngjashme edhe në pjesën lindore të Gjermanisë sa i takon qëndrimit ndaj
regjimit të shkuar. Ka njerëz që kanë krijuar një lloj ndjesie, për të cilën
kemi shpikur edhe një fjalë të re: “Ostalgie”, një kombinim i fjalës
Osten (lindje) dhe nostalgji. Kjo ndodh në kohëra kur gjërat nuk janë stabilizuar
ende plotësisht, dhe ato nuk janë të stabilizuara as në Gjermani dhe as këtu.
Ndoshta nuk është kjo ajo që dëshirojmë, por ndodh që njerëzit krijojnë këtë
lloj nostalgjie. Sa i përket frikës nga komunizmi, kur u ktheva në Shqipëri, u
befasova përmirë me dialogun kombëtar rreth së shkuarës, gjë që thuajse nuk
ekzistonte fare 7 apo 8 vjet më parë. Dhe ne, si Prezencë e OSBE-së, dëshirojmë
ta nxisim këtë dialog, edhe përmes kësaj ankete.

Por duke u bazuar edhe një herë te sondazhi që ju keni
bërë. E shkuara komuniste është renditur shumë më mbrapa se sa shumë probleme
të tjera që kanë sot shqiptarët. Rendisim këtu arsimin, shëndetësinë, rendin,
pandëshkueshmërinë, etj. A mendoni që gjithë këto vite demokraci i kanë lodhur
këto burokracitë e tepërta apo administratat jofunksionale na kanë lodhur dhe
mbase kjo revoltë është përkthyer në këtë përgjigje në sondazh?

Ambasadori Borchardt: Do të thosha se kjo vjen më shumë për
shkak të mungesës së dialogut kombëtar për të shkuarën. Në çdo vend me një të
shkuar traumatike ka diskutime  – herë në nivele më të ulëta, herë në
nivele të larta – dhe ky diskutim mund dhe duhet të çojë në një narrativë të
re. Për momentin, mënyrat se si tregohet e shkuara në Shqipëri janë shumë të
përçara dhe një diskutim i gjerë mund të ndihmojë për t’i ngushtuar këto ndarje
dhe për të çuar më në fund drejt një narrative liberalizuese për të gjithë
shoqërinë.  

Menjëherë pas publikimit të këtij sondazhi erdhën dhe
kundërshtimet e para politike. Ju besoj e dini, por unë po jua rikujtoj: ish-kryeministri
Berisha e ka quajtur këtë një trillim të qëllimshëm të kryeministrit Edi Rama,
i cili e ka bërë këtë me asistencën tuaj. Keni ju një përgjigje?

Ambasadori Borchardt: Pas publikimit të anketës, pamë
fillimin e një debati akoma më të gjallë këtu në vend. Me qindra njerëz
komentuan në mediat sociale dhe pikëpamjet e tyre ishin të ndryshme, sikurse
edhe në anketë. Kjo për mua tregon se publikimi u bë në kohën e duhur, se
kishte shumë interes, dhe fakti që edhe një ish-kryeministër komentoi tregon se
ai dëshiron të kontribuojë në këtë debat dhe, siç thashë, debati në vend është
ende shumë i përçarë. Ndryshimi i pikëpamjeve të popullatës së gjerë, të gjitha
këto këndvështrimeve që dalin tashmë në këtë debat publik kërkojnë një punë
shumë më të madhe në shkolla dhe më vjen mirë që ministrja e Arsimit ka
shprehur interes për këtë. Debati publik duhet të vazhdojë, në mënyrë që të
ngushtohen dallimet mes këndvështrimeve aktuale dhe të ketë një këndvështrim më
konsensual të së shkuarës. 

A mund të themi që kemi një rënie të besimit të
demokracisë? Në përgjithësi. Nuk flas këtu vetëm për Shqipërinë. Duke marrë
parasysh edhe situatën në Evropë, zgjedhjet e fundit që janë bërë, a ka rënë
pak besimi për demokracinë?

 Ambasadori Borchardt: Demokracia liberale po
sulmohet, jam dakord, nga populizmi e të tjerë. Mbrojtja e kësaj demokracie
liberale është pikërisht një nga detyrat më të rëndësishme të OSBE-së.

Sigal