Në Shqipëri ka rënë Republika

466
Sigal

Analiza/ Zgjidhje urgjente, përpara se kriza të godasë qytetarët dhe falimentojë ekonominë. Shteti nuk funksionon më, pasi opozita dogji mandatet dhe askush nuk mund të krijojë republikë të re, duke e zëvendësuar me opozitë artficiale. Pas Gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe Prokurorisë bie edhe Parlamenti…

Zgjidhje, përpara se kriza të prekë qytetarin

Në Shqipëri ka rënë Republika!

Ajo që ende druhemi ta themi me zë të lartë, ndodhi! Në Shqipëri ka rënë republika, pasi opozita dogji mandatet dhe askush nuk mundet të krijojë një republikë të re, duke zëvendësuar apo duke shpikur me kalkulime mandate të reja. Praktikisht, vendi i opozitës mbetet bosh dhe Parlamenti nuk voton dot në këtë situatë asnjë kod dhe asnjë ndryshim kushtetues që mund të duhen për të thelluar reformat që ka nevojë vendi. Opozita tha se nuk ka kthim mbrapa, edhe pse në letër nga pala tjetër, bëhen kalkulime se mundet të vijohet pa të, por praktikisht, gjendemi në një udhëkryq që ngado që ta marrësh drejtimin, në fund, shtegu duket i mbyllur. Kjo situatë e ballafaqon vendin, jo vetëm me ngadalësim të proceseve pozitive integruese në prag, por dhe me shumë pasiguri. Sa më shumë të zgjasë kjo situatë pa zgjidhje, aq më keq është. Ndaj nuk ka rrugë tjetër, veçse palët të afrohen për ta gjetur një rrugë. Kjo, për të paktën dy arsye të forta.

Siguria dhe ekonomia

Koha nuk premton për të gjetur fajtorët, por për të gjetur zgjidhje. Sepse ky sistem, kështu siç është, kështu siç funksionon, nuk ka opsion tjetër veçse zgjidhjen e krizës, duke rikërkuar votëbesimin te publiku. Pasiguria politike, ndërkohë, po bën që të neglizhohet një fakt mjaft i rëndësishëm për mirëqenien e shqiptarëve. Muajt që vijnë janë koha më e mirë për ekonominë. Që prej majit deri të paktën në tetor, është periudha kur bujqësia, turizmi, tregtia, shërbimet etj., që kanë peshën më të madhe në rritjen ekonomike, gjallërohen duke iu afruar pikut. Shqiptarët e punësuar në këta sektorë e që përftojnë prej tyre janë shumica dërmuese. Por, nëse kriza zgjat në këta kufij kohorë, dëmi që vjen shumëfishohet dhe prek më drejtpërdrejt të ardhurat e familjes. Nga ana tjetër, po vihet re një zhvendosje e ekonomisë drejt bizneseve më të mëdha dhe shumë biznese të vogla, për shkak të ngërçit të konsumit, rënies së normës së fitimit nga konkurrenca dhe maturimi i shumë sektorëve po mbyllen. Ky është një fakt domethënës, që do të duhet të shqetësonte çdo politikë-bërës, pasi po vihet në pikëpyetje siguria ekonomike e të paktën 30% të shqiptarëve të punësuar te këto biznese. Kjo situatë politike është e qartë se nuk kthehet dot mbrapsht, por ka para edhe një faturë me kosto të drejtpërdrejtë për qytetarët. Ndaj sa më shpejt që ta kuptojnë se nuk ka rrugë tjetër, veçse zgjidhjes së krizës, aq më e dobishme do të bëhej politika, të paktën në emër të qytetarit, mbyll editorialin e vet Monitor