Në Shqipëri futen dhe zhduken 1400 kontenierë, Antimafia italiane nis hetimin nga “Dhoma e hartave” të Ramës

473
Përparim HALILI
Sigal

Portat e shqyera për mafien ekologjike rajonale, nga Maqedonia futen lirshëm mbetje toksike, kryeministri bënë qyfyre në “FB”, ministri Brendshëm deklaron se ka kontroll të plotë mbi territorin

Shqipëria vazhdon të përdoret jo vetëm si portë e shqyer për kalimin transit të mbetjeve toksike dhe lëndëve kimike me rrezik për jetën e mjedisin, por edhe si “depozitë” dhe gropë e hedhjes së këtyre lëndëve kancerogjene, që vrasin jo vetëm mjedisin, bimësinë, tokat e ujin, por edhe jetën e banorëve të zonave ku evadohen e groposen. ka shumë raste, të denoncuara në 25 vitet e fundit, që flasin për depozitimin e këtyre lëndëve kimike kancerogjene mbetje industriale, të cilat në shkëmbim të pazareve mafioze me shtetarë e kompania vendase dhe të huaja që operojnë në vendin tonë, futen nga rajoni, Evropa dhe shtetet tjerë të botës, ku ka kontroll dhe ndalim e ndëshkim të rreptë për asgjësimin e tyre. Edhe në Shqipëri ka ligje, vendime, urdhëresa, institucione e nënshkrim konventash rajonale dhe ndërkombëtare, por nuk zbatohen. Nga mafia e lëndëve toksike civile e ushtarake, ilegalisht dhe me letra qeverie, janë futur në Shqipëri mijëra ton mbetje kimike, mbetje prodhimesh fasone, mbetje ushqimore, mbetje metalurgjie, minierash e hidrokarburesh, skrap e gjithçka që në vendet prej nga kanë ardhur, nuk lejohet as të groposen. 

Krimi i denoncuar nga mediat italiane/1400 kontejnerë me lëndë kimike, futen në Shqipëri

Mediat italiane kanë hedhur dritë mbi një skandal ku është Shqipëria është në qendër të tij, e që ka të bëjë me importin e plehrave në Shqipëri. Sipas investigimit të një media italiane, bëhet fjalë për rreth 2600 kontenierë secili, me 22 ton mbetje që duhej të përfundonin për t’u ricikluar në Maqedoni, por në Shkup mësohet se kanë përfunduar vetëm rreth 1130 kontejnerë. Por shumica e tyre nuk kanë mbërritur në Maqedoni dhe kanë ndryshuar drejtim për në Shqipëri. Sipas asaj që shkruan media italiane, kontejnerët me mbetje janë zhdukur në doganën e “Qafë Thanës”. Bëhet fjalë për lëndë kimike shumë të rrezikshme që dyshohet, se janë groposur në Shqipëri. Janë përdorur në dokumente si tranzit për në Shkup, por që nuk e kanë kaluar asnjëherë kufirin shqiptar për në Maqedoni. Këto kontejnerë me lëndë kimike kanë sjellë në Tiranë dhe kreun e Prokurorisë së Antimafias italiane, Franco Robertti, i cili ka pasur një takim me kryeprokurorin e Shqipërisë, Adriatik Llalla. Diskutimet për këtë hetim të nisur janë bërë në mënyrë të fshehtë. Mësohet se Prokuroria e Antimafias italiane ka nisur një hetim për qeverinë shqiptare, për lidhje me mafian italiane të plehrave. Ky hetim ka përfshirë edhe zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Siç bën të ditur media italiane, përfaqësues të ambasadës së Italisë në Tiranë dhe Shkup, janë bërë pjesë e këtij hetimi, në të cilin Maqedonia është duke bashkëpunuar. 
Ja denoncimi në median italiane “Pianeta Italia”
“Bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë është në një pikë kthese… Ura e gjyqësorit mes vendeve tona do të sjellë një evolucion në bashkëpunimin ndërkufitar për krimin. Me pak fjalë, mafiet e reja do të gjejnë bukë për dhëmbët e tyre”! Tonet e konferencës për shtyp janë me shenja optimizmi. Adriatik Llalla, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, ka pritur në Tiranë prokurorin e Antimafies italiane Franco Roberti. Një debat i gjatë për trafikun e drogës dhe armëve, luftën kundër riciklimeve të bërë nga mafia dhe shkëmbimeve të numrave e të dhënave për të hetuar më thellë. “Hetimet konfidenciale do të vijnë shumë shpejt në rezultate vendimtare”, thuhet në korridoret e Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, por askush në konferencën për shtyp nuk guxon të ngrejë hipoteza lidhur me interesat e përbashkëta hetimore. Asnjë indice, pra me përjashtim të një pyetjeje të ‘pacipë’ lidhur me trafikun e paligjshëm të mbetjeve nga Italia, shpesh ilegal, në territoret e Gadishullit Ballkanik. “Prokuror, mijëra kontenierë të nisur nga porti “Gioia Tauro” në Kalabri drejt Maqedonisë kanë zbarkuar në Durrës dhe janë zhdukur gjatë rrugës. Dukej se përmbanin mbetje urbane dhe industriale. Shqipëria është kthyer në kazanin e plehrave të Evropës?”, pyeti një gazetar. Ai bën një shenjë me sy dhe ngre supet. I shmanget pyetjes, por e bën vetëm për sa i përket sekretit institucional që është i nevojshëm për të mbajtur në vazhdim procesin. Është e vërtetë, Italia dhe Shqipëria hetojnë “mbeturinat e zhdukur” në rrugën drejt Ballkanit. Dokumentet në posedimin tonë tregojnë se në vitin 2016, të paktën 1.300 kontejnerë, prej 22 tonelata secila dhe zyrtarisht të destinuara për t’u shkarkuar në Dresla, Maqedoni, nuk e kanë kaluar kufirin. Të shkarkuara në portin e Durrësit, në Shqipëri, nga anijet e kompanive të mëdha, të nisura nga porti i Gioia Tauro-s në Kalabri. Duhet të ishin shkarkuar në Shkup, Maqedoni, në vendin më të madh të shkarkimit në Evropë, menaxhimi i së cilës i është besuar aktualisht një kompanie italiane. Mbetjet urbane të ardhura nga Napoli dhe provincat, nga Campania-s, Bari dhe komunat e këtij territori. Madje edhe nga provinca e Imperia-s. Por, ndoshta edhe mbetje industriale dhe helme të rrezikshme, kjo e fundit, hipotezë që e bën aferën më shqetësuese dhe të sjell në memorie vitet më të errëta të helmeve nga mafia. Në Napoli dhe Campania, vendet e “të keqes së errët” të përhapur në vitet e katastrofës më të madhe ambientaliste të viteve të fundit, ata e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë.
Reagon Kreu i PAA, Agron Duka: Shqetësuese, kjo çështje të marrë vëmëndjen e duhur
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Z. Agron Duka, ka reaguar në një njoftim për shtyp në lidhje me lajmin e publikuar nga mediat italiane, sipas të cilit vendi fqinj, Italia, ka eksportuar drejt Maqedonisë duke përdorur Shqipërinë si pikë tranziti mijëra ton mbetje, por që nuk kanë përfunduar në destinacion, duke shtuar kështu dyshimet, se se ato kanë mbetur në vendin tonë.
Ja reagimi i plotë: Mediat italiane denoncojnë trafikun e plehrave nga Italia në Shqipëri. Të nderuar qytetarë, një lajm shqetësues është bërë sot publik në mediat italiane. 1300 kontejner me destinacion landfillin e Shkupit, në Maqedoni, janë zhdukur në territorin tonë. Një mijë e treqind kontejnerët janë nisur nga porti kalabrez i Gioia Tauro, të mbushur me mbetje urbane dhe industriale, dhe kanë arritur në Durrës. Sipas hetimeve të deritanishme kë to mbetje nuk kanë dalë nga territori shqiptar. Sipas “2.604 kontejner të nisur nga porti italian i Gioia Tauro kanë arritur në Durrës, por në pikën doganore të Qafë Thanës kanë kaluar vetëm 1140, pjesa tjetër është zhdukur”-shkruhet në artikull. Hetime mbi këtë çështje janë ngritur në Itali dhe në Maqedoni. Ekzistojnë dyshime se këto plehra janë groposur ose djegur në territorin tonë nga mafia italiane. Si qytetarë i thjeshtë, si Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste dhe si deputet i Parlamentit Shqiptar po ndaj me ju linkun e gazetës italiane me shpresën që kjo çështje të marrë vëmendjen e duhur. 
Në 25 vite janë gëlltitur 310 milionë USD donacione mjedisore nga bota, por Shqipëria është “pyll” me 1700 zona të banuara me helme radioaktive
Mund të mbahet e fshehtë prej ndërkombëtarëve, por jo prej shqiptarëve e për më tepër, prej atyre që jetojnë në zonat radioaktive, të mbetura të tilla pas shkatërimit t ëish-indstrisë së para viteve 1992, 70% e tsë cilës kryente aktivitet në qendër e në hyrje të qyteteve dhe zonave të banuara. Shqipëria, “pyll” me 1700 zona helmesh radioactive. Zonat e infektuara në ish-ndërmarrjet prodhuese, ish-baza lëndësh kimike e ndotjesh, të cilat në 75% të aktivitetit të tyre, kanë ushtruar aktivitet brenda qendrave të banuara. Në qytetet kryesore të vendit si Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Fieri, Vlora, Shkodra, Lezha, Lushnja, Gjirokastra, Berati ka patur qendra prodhuese që punonin me lëndë radioaktive, me lëndë kimike dhe lëndë të para me helme. Po kështu në krejt ish-fermat dhe kooperativat bujqësore, brenda qendrave të banuara kishte magazina të mëdha me pesticide. Përveç kësaj, brenda qendrave të banuara në krejt vendin ka pasur depo ushtarake me lëndë kimike. Edhe pse prej qeverisë “Berisha” thuhet se këto janë “pastruar” në zbatim të rekomandimeve dhe kushteve të vendosura prej BE, faktikisht ato ekzistojnë dhe vazhdojnë të helmojnë jetën e mijëra shqiptarëve. Madje, ish-ndërmarrjet ekonomike dhe qendrat e prodhimit, pasi i tjetërsuan në gërmadha gjigante, prej 20 vitesh janë kthyer në qendra banimi, ku strehohen mijëra familje, të cilave, këto vatra radioactive po u legalizohen si banesa! 
Shqipëria ka mashtruar BE me projekte e letra false për pastrimin e zonave radioaktive
Kujtojmë, që Qeveria shqiptare ka raportuar në BE, se ka plotësuar kushtin për eliminimin e ndotjeve dhe pastrimin e zonave të banuara dhe ish-bazat e lëndëve radioaktive, si repartet ushtarake, depot e stacioneve të trenave, qendrat e rezervave të shtetit, ish-qendrat e kooperativave bujqësore e të fermave. Në fakt qeveria “Berisha” ka mashtruar. Këtë kërkesë të BE, qeveria shqiptare nuk e ka plotësuar dhe tashmë, gjendet përballë një mashtrimi publik zyrtar me “adresë” BE. Qeveria ka fshehur të vërtetën e plotë e të faktuar, që kjo qeveri nuk ka përmbushur as detyrimin minimal për pastrim-rehabilitimin e zonave të ndotura, që kërcënojnë dhe dëmtojnë jetën e banorëve, që infektojnë produktet që prodhohen prej gjësë së gjallë e të mbjellave, florën e faunën. Edhe pse kreu i qeverisë shqiptare, i ka raportuar BE në kuadrin e plotësimit të kushteve të integrimit, se në Shqipëri nuk ka më zona me rrezikshmëri ndotëse e radioaktive, realiteti flet ndryshe. Jo vetëm që ka zona me ndotje, me shkarkesa e veprim helmues dhe ndikim radioaktiv, por brenda këtyre zonave “vrasëse” jetojnë mijëra familje dhe zhvillohen qindra shërbime komunitare, me bazë bizneset dhe industritë ushqimore. Këtë mashtrim e zbulon dhe e denoncon me prova Avokati i Popullit, sipas raportit vjetor të të cilit, Shqipëria ka afro 1300 qendra me rrezatim radioaktiv, 4500 ish-ndërmarrje të mëdha, të mesme e të vogla të shkatërruar që janë qendra të rrezikshme ndotjeje dhe 50 mijë e 130 familje që banojnë në këto qendra helmesh e rrezatimesh radioaktive. Mjafton të përmendim faktin, që vetëm në zonën naftëmbajtëse Patos-Kuçovë jetojnë 21 mijë familje pranë puseve të naftës dhe zonave të ndotura prej mbetjeve të naftës, madje kanë ndërtuar edhe shtëpi ngjitur me kullat e puseve dhe depozitat e mbetjeve të hidrokarbureve. Ato familje që jetojnë mes plehrash e mbetjesh urbane që hidhen e nuk pastrohen, kanë mundësinë praktike, që me një makinë e me një lopatë t’i largojnë ato nga qendrat e banimit. Por ka familje, që nuk mund ta shmangin ndotjen dhe helmatisjen e jetës së tyre, as me aksion, as me pagesa, as me makinë e as me lopata. Në pothuajse të gjithë qytetet Shqipërisë, madje dhe në fshatra, ka mijëra familje që banojnë e punojnë në qendra vatrash të mbetjeve helmuese dhe të zonave të ndotura. Shtëpitë e tyre janë ngritur mbi toka të ndotura, ose pranë ndërmarrjeve të mbyllura dhe të shkatërruara, pranë depo lëndësh kimike, pikash të mbetjeve urbane, magazina lëndësh radioaktive. Institucionet ndërkombëtare, kanë ndërhyrë për evadim familjesh nga këto zona me mjedis “vrasës”, por nuk ka asnjë lëvizje konkrete. Prej vitesh, këto familje kontigjent helmimi e sëmundjesh të rënda deri kancerogjene, vazhdojnë të jetojnë me “vdekjen” e ngadaltë që u vepron deri “në krevat”, në pamundësi për ët gjetur një strehë tjetër larg tyre. Nga sa janë ekspozuar publikisht, deri tani janë 682 raste të prekjes së shëndetit të fëmijëve nga 1 deri në 10 vjeç dhe 300 raste cënimi të shëndetit të të rriturve, me ndikime e pasoja në enët e gjakut dhe sistemin e frymëmarrjes. Kjo krijohet nga bashkëjetesa e tyre intensive me mjedisin e ngarkuar prej ndotjeve e rrezatimeve. Të detyruar nga mungesa e plotë e kushteve të jetesës, banorët e këtyre vatrave vdekjeprurëse, kanë mbjellë perime, kanë ngritur sheshe lojërash për fëmijët, madje në thellësi të zonave të ndotura edhe kanë hapur puse uji të pijshëm, që kuptohet se çfarë ngarkesash dëmtuese përcjellin në organizmin e njeriut. Që prej vitit 2006, qeveria ka mashtruar dhe po vazhdon të mashtrojë BE-në, institucionet ndërkombëtare të mjedisit e shëndetit dhe donatorët e huaj, mbasi në Shqipëri, sidomos në qytet e mëdha, jetojnë e punojnë mbi 50 mijë familje në vatra me përmbajtje dhe veprim radioaktiv. 
Falsiteti/180 milionë lekë studime të OJF dhe shtetit, por asnjë veprim konkret
Sipas llogarive, për 1 milion banorë rezulton të ketë 8500 ton mbetje urbane në 24 orë. Sa gazra çlirojnë këto nga vetë-djegiet? Nëse në Tiranë, bëhet 70% evadim i tyre jashtë qendrës së banuar, në 35 qytete të tjera të vendit, plehrat qëndrojnë me javë e me muaj në sheshe publike pranë pallateve, furrave të bukës, tregjeve, trotuarëve, shkollave, spitaleve, kopshteve, çerdheve etj. Por jo vetëm kaq. Ende nuk po zbatohet studimi mbi shmangien e ndotjes nga automjetet, 87 % e të cilave sipas standardit të mjedisit urban, nuk duhet të lëvizin në qendrat e qyteteve. Këto mjete, përcjellin në mushkëritë e njerëzve, afro 42 mijë ton gazra helmuese në 24 orë. Vetëm studimet që janë bërë nga specialistë vendas e të huaj, kanë kushtuar afro 180 milionë lekë të reja. Pra, harxhohen miliona për fjalë dhe gjithçka mbetet vetëm tek fjalët, ndërkohë që njerëzit helmohen, sëmuren, vdesin. Përballë të gjithëve, kemi në “batalion” prej 135 shoqatash e 39 institucionesh që gëlltisin miliona lekë fonde, donacione e pagan në muaj, por që nuk veprojnë me ndërhyrje, as për të pastruar koshat përpara pallatit e zyrave të tyre!
Ja 6 fakte mbetjesh kimikate vrasëse në Shqipëri
1. Mbi 19 mijë ton mbetje kimike ndodhen në ish-Kombinatin e Prodhimit të Armëve në qytetin e Poliçanit. Këto mbetje shpërndajnë në mënyrë të vazhdueshme rrezatim radioaktiv, substancat e së cilës vrasin çdo ditë njerëzit, bimësinë dhe të gjitha gjallesat e këtij qyteti. Pas shkatërrimit të uzinës në vitin ’97, pjesa më e madhe e këtyre helmeve gjenden në sipërfaqen e tokës.

2. Afro 15000 ton mbetje të lëndëve kimike ndodhen në mjedis të hapur në vendin ku shtrihej Uzina e Prodhimit të Baterive. Këto mbetje janë krijuar gjatë procesit teknologjik si dhe nga rrënimi i uzinës në vitet ’97.

3. Mbi 950 ton kimikate të lëngshme, ndodhen në mjedis të hapur në ish-fabrikën e prodhimit të Dolomitit (lëndë plasëse për miniera) në Elbasan.

4. Afro 189 hektarë të mbushur me qendra banimi, në një gjatësi 22 kilometër, në ish-minierën e Qymyrgurit-Memaliaj është e tejndotur prej mbetjeve pas mbylljes së sektorëve të kësaj miniere.

5. Mbi 3000 ton mbetje skrapi gjenden të hedhura prej firmës turke “Kurum” buzë lumit Shkumbin

6. Afro 60 hektarë,janë të mbuluar me mbetje nafte e nënprodukte radioaktive helmuese të hidrokarbureve brenda qytetit të Kuçovës, nga të cilat mbi 30 mijë metër katrore e mbuluar me mbetje nafte, ndodhen brenda qytetit të Kuçovës

7. Afro 100 hektarë të qendrave të banuara në zonën Patos-Marinzë, me epiqendër Zharrëzën, janë të tejndotura me mbetje hidrokarburesh dhe Banorët e lagjes 18 tetori në Urën Vajgurore, jetojnë mes ndotjes që krijon një fabrikë për prodhimin e asfalto-betonit dhe kjo është ngritur aty ku jetojnë afro 830 familje që thithin gazin, tymit dhe blozën e saj.

8. Në Tiranë, në ish-Kinostudio, janë 4.6 hektarë të mbuluar nga mbeturina të derdhura e të braktisura, me pasojë ndotje të lartë. Zona përmban, mbetje, pluhur të bardhe, i cili është raportuar të jetë me sasi mërkuri të përdorur më parë, si eksploziv për qëllimin e filmimit.
Dosja “radioaktive” nr. 359
Shqipëria ishte njëri prej vendeve të varfra, ku u magazinuan helmet e Evropës së pasur në fund të viteve ’80 dhe fillim vitet ’90. Bajza, Miloti dhe vatra të tjera të helmuara me të ashtuquajtura pesticide gjermane, zënë një vend të rëndësishëm në raportimin e organizatës “Green Peace”. Është Dosja Nr.359 e vitit 1996, e cila risjell historinë e ardhjes së pesticideve nga Gjermania prej firmës “Schmid-Cretan” dhe dëmet e pariparueshme në mjedisin e Bajzës dhe të Liqenit të Shkodrës. Pesticidet, 480 ton kimikatesh të rrezikshme, ishin sjellë nga kompania gjermane “Schmidt-Cretan” në vitet 1991-1992. Ishin pesë dërgesa, shumica me materiale toksike.