Në reformën e re zgjedhore do të ketë vetëm votim elektronik

559
Sigal

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar Oerd Bylykbashi pranon: Nuk ka ndryshim të sistemit zgjedhor

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, më në fund pranon publikisht, se në reformën e re zgjedhore, që po hartohet në Komisionin Parlamentar përkatës, është në agjendën e bisedimeve vetëm votimi elektronik. Prej Nëntorit 2017, Komisioni i reformës zgjedhore vijon punën përgatitore me ekspertë të vendit dhe të huaj, përmes të cilëve mbledh propozime dhe ekspertizë për të dalë me konkluzionet e tij, përpara se të fillojë puna mbi draftet e të cilave do të diskutohet mes anëtarëve të komisionit. Ky komision parlamentar mbaron mandatin e vet në fund të muajit korrik 2018, ndërkohë, që nuk është diskutuar fare problemi i departizimit të administratës Zgjedhore, por as ndryshimi i Kodit Zgjedhor, siç e kërkojnë të gjitha partitë e tjera politike, parlamentare ose jo. OSBE-ja vazhdimisht ka kërkuar ndryshime të thella në reformën zgjedhore, dhe me këto ndryshime që kërkohen, ka parasysh ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe departizimin dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Ndryshimet e tjera, përveç këtyre më kryesoret, janë thjesht arnime, ose përforcime të privilegjeve zgjedhore që kanë monopolizuar PD dhe PS, që në ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Për bashkëkryetarin demokrat të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, komisioni pritet të dalë me një produkt final, ndryshe nga ai i legjislaturës së mëparshme. “Jemi në të njëjtat terma kalendari si më parë dhe besoj që në Korrik fillon puna e draftimit të paketave të ndryshme, sipas diskutimeve”. Një prej këtyre diskutimeve është edhe ai i përmbledhur në raportin e Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës, i cili i sugjeron Shqipërisë një projekt pilot për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. “Ka një dakordësi, që bazuar në rekomandime, të ecim me projekt pilot në numër të vogël bashkish dhe ta shtrijmë në gjithë Shqipërinë në zgjedhjet parlamentare. Së pari, nuk do të jetë votim online, pra mundësia e hakerimit është zero. Ka probleme të tjera, por të zgjidhshme. Së dyti, nuk mund të jetë vetëm identifikimi biometrik, votim elektronik dhe numërim elektronik gjithmonë duke ruajtur edhe votën e printuar për rinumërim në rast nevoje”. Është ky sistemi përmes së cilit, ligjvënësi duhet t’i mundësojë shqiptarëve votimin për zgjedhjet lokale 2019. Kjo teknologji, sipas Bylykbashit, ndryshe nga sa thuhej në raportin e ekspertëve, ndihmon në zbutjen e disa fenomeneve të manipulimit të zgjedhjeve. “Sigurisht që eksperienca estoneze është e ndryshme nga Shqipëria. Votimi elektronik redukton fenomenin, nuk e zhduk. Ajo që ndodh sot është që është krijuar tregu kriminal i kartave të identitetit, i merret paraprakisht dhe e rimarrin përmes pagesës ose i lënë opozitarët pa votuar. Identifikimi me shenjën e gishtit bën që të jetë shumë herë më e vështirë mbledhja e kartave, problemi do të mbetet, nuk do të jetë vetëm kjo zgjidhja, do ketë zgjidhje të karakterit administrativ, ndjekjes penale dhe dënimit”. Vendimi përfundimtar mbetet për t’u marrë, thekson Bylykbashi, por kjo do të kërkojë konsensusin e mazhorancës. “Nëse nuk e jep do të ishte hap bllokues, pasi ndërkombëtarët të gjithë thonë, që bëhet. Uroj që vullneti politik të jetë i tillë që të ecim në këtë rrugë, të luftojmë dhe zvogëlojmë shit-blerjen e votës, falsifikimin e ID-së, përdorimin e kartave të të tretëve, votimin në emër të emigrantëve, manipulimin në qendrat e votimit dhe në numërim”. Sa i përket rekomandimit të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës për përdorimin e sistemit online të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve, kjo për Bylykbashin, nisur nga numri i lartë i votuesve emigrantë do të ekspozonte procesin ndaj manipulimit teknologjik, duke e konsideruar kështu votimin online jashtë çdo diskutimi për këtë komision.