Në QSUT pacientët me hemofili dhe me kancer nuk kanë ilaçet, i blejnë vetë

536
Sigal

Petraq BARJAMI

Koncesionet në shëndetësinë publike gllabërojnë qindra miliardë lekë çdo vit, ndërkohë që pacientët në spitalet publike nuk kanë as ilaçet kryesore. Çdo vit buxheti i shtetit paguan 75 milionë euro për koncesionet, ndërsa për 10 vjet buxheti i shtetit për shëndetësinë publike do të paguajë 430 miliardë lekë koncesioneve që janë dhënë në shëndetësi, ndërkohë që vetëm për 2017 fitimet e deklaruara në bilancet financiare (75 % e tyre, sepse koncesionistët nuk dorëzojnë të dhënat e plota) janë në vlerën 2.7 miliardë lekë. Të dhënat tregojnë se qeveria u ka paguar koncesionarit për një vizitë 84 % më shtrenjtë sesa parashikimi në kontratë. Ja, pra sesi shpërdorohen fondet publike për shëndetësinë midis titullarëve të ministrisë dhe koncesionistëve.

Pacientët në QSUT pa ilaçet jetësore

Sipas një denoncimi të PD-së, 300 pacientë në QSUT nuk kanë hemofilinë dhe rrezikojnë çdo çast jetën e tyre. Sipas deputetes Pampuri, Ministria e Shëndetësisë, edhe pse e di këtë çështje hesht. Fondi i Sigurimit  Detyrueshëm  Kujdesit Shëndetësor nuk siguron spitaleve publike fondet për medikamentet kryesore jetësore. Pacientët nuk mund ta blejnë dot vetë gjithmonë faktorin 7, 8 dhe 9 të hemofilinës, për të shpëtuar jetën e tyre, sepse një i tillë kushton nga 1 milion e 200 mijë lekë në 2 milion lekë. Nëse qeveria nuk do të shpenzonte për luks, ilaçi për hemofilikët nuk do të mungonte asnjëherë. Vetëm në 8 muaj qeveria e Edi Ramës ka harxhuar mbi 6 milionë euro për të bërë zyrat veta të rehatshme dhe luksoze, ndërsa qindra të sëmurë me hemofili rrezikojnë të invalidizohen nga mungesa e Faktorit. Këto para dhe ato që abuzohen me tenderë të tjerë korruptivë nga Ministria e Shëndetësisë, mjaftojnë për të blerë faktorët për pacientët hemofilikë dhe për t’u krijuar atyre kushtet të kurohen në qytetet ku banojnë, pa qenë nevoja të torturohen disa herë në muaj nga ardhja në Tiranë. Përveç hemofilinës, në QSUT mungojnë edhe ilaçet për kurimin nga sëmundjet e kancerit.