Në PS-në e Korçës, Rama e Veliaj spastrojnë të zgjedhurit, që janë pranë Blushit

835
Sigal

INTERVISTA/ Kryetari i FRESSH-it Korçë, Ylli Ndini: “Ne, që kundërshtuam manipulimet e Erjon Velisë, ai na shkarkoi me telefon”

Ditët e fundit, krerët më të lartë të PS-së, Kryetari Edi Rama, numri dy i PS-së, Gramoz Ruçi si edhe deputetët e Qarkut të Korçës, Majko dhe Blushi u takuan me dyer të mbyllura, në Korçë. Kur themi me dyer të mbyllura, nuk kemi parasysh vetëm ajo që u përcoll në media, që takimet e krerëve të PS-së, që lanë Tiranën, për t’u takuar midis tyre në Korçë, nuk është se nuk u pranuan mediat, por Edi Rama dhe të tjerë nuk takuan asnjë nga drejtuesit e PS-së dhe as nga FRESSH-i në Korçë.  Rama, mbase qëllimisht e bëri këtë, si për t’u thënë disave, që ai nuk i njeh, edhe pse janë të zgjedhur. Kjo ka shpjegimet e veta. Gjendja në PS-së e Korçës, sidomos pas dorëheqjes të kryetarit të PS-së , Muharrem Mekos, është midis grindjeve, përplasjeve, intrigave e thashethemeve. Personi i vetëm që iu dha privilegji të  takonte Edi Rama, ishte kryetari i Bashkisë të Korçës, Niko Peleshi, por edhe atë më tepër që ai, si Kryetar i Bashkisë, të përballonte shpenzimet e akomodimit, dhe njëkohësisht  Rama, donte edhe për të ruajtur një lloj kontakti me të, pasi Niko Peleshi njihet si karata e Nanos dhe e Blushit. Problemi kryesor në PS-së e Korçës, për Edi Ramën, është që të largojë nga të gjitha postet drejtuese njerëzit që kanë ndikimin e Ben Blushit dhe të vendosë njerëzit e besimit të vet. Dorëheqja e kryetarit të PS-së të Korçës, Muharrem Mekos, ishte pikërisht ky problem. Muharrem Meko njihej si personi që vendoste ekuilibra midis grupeve në PS-në e Korçës, iku dhe tashmë gjithçka është nën kontrollin e Blushit.  Kjo, ndoshta është arsyeja, që përse Edi Rama i mbylli për këdo dyert e komunikimit, dhe nuk takoi asnjë drejtues të PS-së në Korçë, edhe pse aty u mblodh ajka e PS-së. Edi Rama ka emëruar kryetare të PS-së sekretaren e Asamblesë Ana Verushin, pa e pyetur fare kryesinë e PS-së në Korçë, madje askush nuk di se kur do të bëhen zgjedhje. Jo vetëm kaq. Edi Rama  i ka lënë të formatojë Forumin e Gruas, Irena Kallco. Madje, sipas thashethemeve, të përhapura, Irena Kallco teston në opinion, edhe kandidaturat e listës për deputetë, që i përcillen nga kryesia, duke futur edhe vetveten e saj.  E emëruara e kryetarit të PS-së, për Forumin e Gruas, Irena Kallco, duke patur mirëbesimin e Kryetarit të PS-së, i ka futur drejtuesit e PS-së në Korçë , në kacafytje me njeri –tjetrin, me sms që i dërgon Edi Ramës, por edhe duke bërë që në për mbledhjet e OS-ve, për të nxjerrë kandidaturat , për kryesinë e  Gruas, të shpërthejnë konfliktet deri edhe tërheqje për flokësh midis grave, (rasti fshati Maliq), ku gratë u përleshën me njëra- tjetrën në prezencë të koordinatores Irena Kallco dhe kryetares së emëruar nga Edi Rama për PS-në e Korçës,  Ana Verushit. Edhe në  PS-në e  Korçës, ka plasur sherri e rrëmuja, pasi kryetarja Ana Verushi nuk është zgjedhur, por është emëruar nga Edi Rama, pa u thënë se kur do të bëhen zgjedhjet për Kryetarin e PS-së të Korçës.  Para disa kohësh, FRESSH-i i Qarkut të Korçës iu drejtua publikisht Edi Ramës, dike protestuar ndaj shkarkimit të Kryetarit të FRESSH-it të qarkut të Korçës,  me telefon të Erjon Veliaj, por deri tani PS-ja ka heshtur. Kjo heshtje e Edi Ramës, ndaj kërkesës publike të FRESSH-it të Korçës, të cilët i kërkuan ndihmë ndaj makinacioneve të Erjon Veliaj, dëshmon se  Edi Rama inkurajon  dhe bashkëpunon me Erjon Veliaj  për të kapur strukturat e PS-së dhe të FRESSH-it, duke bërë spastrimet e njerëzve që nuk janë të besimit të tyre.  Ylli Ndini, kryetari i votuar  i FRESSH-it të qarkut të Korçës, , por i shkarkuar me telefon nga Erjon Veliaj, në intervistën për “Gazetën “Telegraf”.

-Zoti Ndini, kur u zgjodhët kryetar i FRESSH-it në qarkun e  Korçës?

–  Unë kryetar i FRESSH-it u rizgjodha në fillim të majit, në mos gaboj, ka qenë 11 maj. I zgjedhur nga konferenca e FRESSH-it të rrethit Korçë, ku kishin të drejtë vote 600 delegatë dhe morën pjesë në votim 462 anëtarë forumi.  Unë mora 336 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Mamica Muka,  mori 122 vota. 4 ishin vota të pavlefshme.

-Ylli, e para, FRESSH-i në Korçë përse reagoi publikisht?

– FRESSH-i i  Korçës reagoi për shkarkimin që m’u bë mua nga Erion Veliaj, sekretar i Rinisë dhe Emigracionit në PS.

– Përse të shkarkoi Erjon Veliaj?

– Sepse unë, së bashku me kryetarë të tjerë të rretheve dhe me nënkryetarë e anëtarë të tjerë të asamblesë  kombëtare të FRESSH-it, nuk ishim dakort me listën e përpunuar nga Erion Veliaj për anëtarët e asamblesë kombëtare të FRESSH-it.

– Si veproi Erjon Veliaj, që të shkarkonte ty?

– Kuptohet, që dhe kryetarja e sapozgjedhur e FRESSH-it nuk ishte dakord me ato lista. Në radhë të parë dua të sqaroj pse ishte Veliaj në gabim. Ai në kongresin e FRESSH-it e tha që në asamble kombëtare do të jenë kryetarët e nënkryetarët e FRESSH-it të qarqeve. Erjon Veliaj donte që në asamblenë e FRESSH-it të kishte njerëzit e tij dhe ne, që reaguam kundër kësaj, na shkarkoi me telefon. Në asambleja ndodhi ajo, pra, shtimi i emrave të tjerë dhe heqja e disave nga Erjon Veliaj.

-Kë mori dhe  çfarë tha Erjon Veliaj për të të shkarkuar ty?

– Ai më morri në telefon më komunikoi shkarkimin. Arsyeja ishte që unë me disa të tjerë kishim braktisur asamblenë kombëtare. Por Erjoni harron të thotë që aty nuk ishte as kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, e cila nuk ishte as ajo dakord me listat.

– Çfarë të tha Erjon Veliaj në telefon, kur të komunikoi shkarkimin?

– Ti ke braktisur Partinë Socialiste dhe nuk do të jesh më në krye të FRESSH-it. Unë i thashë që nuk e kam braktisur PS-në. Unë nuk do ta mbyll gojën asnjëherë ndaj padrejtësive që bëhen, sepse partia socialiste ndryshon nga partitë e tjera, sepse PS-ja ecën mbi baza e parime.

– Ai çfarë të tha, pasi i the ty këto?

– E di unë, më tha, por faleminderit për bashkëpunimin e deritanishëm, tha, por ti nuk do jesh më në krye të FRESSH-it në qarkun e Korçës. Unë i thashë që ti nuk e ke targër shkarkimin tim.

– Çfarë të tha Erjoni, kur ti i the kështu?

– Erjoni erdhi në Korçë, kur ishin zgjedhjet për Kryetarin e FRESSH-it  Bashkia Korçë. Kur i thashë ato, më tha mirupafshim, miku im dhe nuk ma zgjati. Emërimin e Kryetarit të FRESSH-it të rrethit ndoshta donte ta emëronte atë ditë, por nuk e bëri dot.

– Përse nuk mundi?

– As kryesia, asgjë nuk ka mbledhur, apo takuar në Korçë, Erioni

– Cili është ai njeri i Erjonit që do ta emëronte në vendin tënd?

-Erjoni mund ta ketë bërë këtë veprim në fshehtësi, por jo me njerëzit e FRESSH-it, të Qarkut të Korçës. Deputetët e Qarkut të Korçës, kanë kontaktuar vetë me Erionin dhe atyre ai u ka thënë është që Ylli Ndini i shkarkuar. Me Majkon kam folur në telefon dhe kam takuar Blushin, kur ishte një radhë në Korçë.  Mua, më shumë më kanë dëgjuar si ndodhi dhe më kanë thënë që do flasim ne, por  më  nuk kanë thënë asgjë, që atëherë.

– Deri tani, cila është gjendja? Vazhdon të jesh ti kryetar?

– Emrin se di, sepse gjendja është kjo, që në Korçë nuk ka kryetar të FRESSH-it qarku akoma, sepse unë, sipas Erjonit, jam i shkarkuar.

– Tani që PS-ja ishte dy ditë në Korçë, u takuat me ndonjë?

– Jo, jo nuk u takova me asnjë nga eksponentët e lartë të PS-së.

– Ju, mund të shpjegoni përse nuk u takuan ata me ju?

– Se me kë mund të jenë takuar ata, nuk kam informacion, mua nuk më ftuan dhe nuk më  kanë thënë asgjë.

– Tani reagimin e PS ne Korçë?

– Pas këmbënguljes së Erionit për shkarkimin tim dhe ata nuk po reagojnë më, pasi dhe unë po pres në qetësi si do vendosin strukturat e partisë. Mendoj që Erjon Veliaj  reagon kështu pasi unë isha një nga ata që ikëm nga asambleja kombëtare dhe nuk pranuam të hynim, derisa të rregulloheshin listat.