Në çdo detyrë, shtetarët marrin me vete shoferët, sekretaret, shefat e tenderëve

415
Përparim HALILI
Reforma e dytë administrative/Tri absurde nga privilegjet dhe abuzimet e ministrave, deputetëve, drejtorëve
Janë disa fakte, që kalojnë edhe kufirin e absurdit, fuqisë dhe privilegjit për të shkelur ligjin, për të përfituar, për të abuzuar, për të qeverisur privatisht institucionin shtetëror e për të mos dhënë llogari! Këtë qëndrim e mbajnë drejtuesit e lartë të shtetit, por nën “modelin” e tyre edhe drejtuesit në qarqe, rrethe, qytete, bashki e shërbime publike. Ata nuk drejtojnë punët e shtetit e të komunitetit, por komandojnë si në bizneset e tyre private. Ata nuk nxisin e nuk japin produkt për vendin dhe shoqërinë, por përmbushin qejfet dhe interesat e tyre! Ata nuk bëjnë ligje që afrojnë zhvillimin kombëtar, por sajojnë ligje, VKM, urdhëresa, udhëzime e rregullore për sundimin, privilegjet dhe interesat e tyre! 
Familjarët e shtetarëve janë në punë, pa konkurruar në DAP, pa aplikuar në zyrat e punës
Dy ditë më parë, dëgjova ish-Zv/Kryeministri Peleshi, që deklaroi se në këtë 4 vjeçar, “Rilindja” do bëjë punësime sipas aftësive e jo sipas teserave të partive. Kështu tha në një takim me OSBE edhe ministrja Milena Harito, duke garantuar se administrata publike nuk do jetë më bazë nepotizmi! Mirëpo ka një fakt: Të gjithë familjarët e shtetarëve dhe politikanëve qendror e lokalë deri në ish-komunat skajore, janë të punësuar nëpër institucione e shërbime shtetërore, majë kolltukëve në pozicione drejtuese dhe në vende pune “ku bëhen lekë”, pa shkuar në punë, por vetëm duke komanduar vartësit! A do jenë më në punë në zyrat e shtetit bashkëshortët, fëmijët, motrat, vëllezërit, baballarët, nënat, vjehrrat, kunatat, nipërit, mbesat, baxhanakët, hallat, dajat, tezet e ministrave, deputetëve, politikanëve, drejtorëve apo ambasadorëve? Si dhe për çfarë vlerash profesionale, janë punësuar këta? Sipas informacioneve faktike, rezulton se këta familjarë shtetarësh e politikanësh, janë punësuar e graduar në zyrat e shtetit, pa konkurruar në DAP, pa aplikuar në zyrat e punës!
Në çdo detyrë, shtetarët marrin me vete shoferët, sekretaret, shefat e tenderëve
Ndodh një fenomen, që ligji e ndalon, por shtetarët e zbatojnë si “kanun” privat. Kur shtetarët ministra e drejtorë, kryetarë Bashkie, prefektë, Kryetarë Qarku etj, ndërrojnë detyrë qoftë me ulje, qoftë me ngritje, marrin me vete në stafin e ri disa “krushq”, që i kanë pasur vartës të tyre të besuar në detyrat që lënë. Madje i marrin me vete e i bëjnë pjesë të stafit edhe kur detyra e tyre e re si drejtor dogane, policie, ushtrie, tatimesh, HEC-i, kufiri, emergjencash, ushqimi, energjie, sigurimesh e prefekt është një një qark tjetër. Nuk e dimë, nëse e lejon ligji apo jo, por dimë faktin që kur transferohen nga një detyrë e nga një qark në tjetrin, shtetarët marrin me vete edhe shoferët, sekretaret, zëdhënësit, shefat e tenderëve, të auditeve të brendshme, të protokolleve, duke i emëruar në po ato poste që i kanë pasur në institucionet dhe rrethet nga kanë ardhur! Ky është një fenomen, që është bërë “normë” de aplikohet nga çdo shtetar. Kur pyet se si është emëruar stafi i ministrit apo drejtorit, të thonë: I ka sjellë me vete , i ka pasur në detyrën ku ka qenë! Përse? Sepse ata, ai i përdor si “çetë” të besuar për punët që ka bërë e bën në çdo detyrë që emërohet! Kjo ndodh me ministrat, drejtorët e policive, të tatimeve, doganave, ambasadorët, konsujt, drejtorët e arsimit, të shëndetësisë, të HEC-ve, të porteve, të kufirit e të çdo institucioni dhe shërbimesh. Të gjithë marrin me vete “stafin” e tyre të besuar dhe askush nuk i ndalon, ndërkohë që flitet për administratë të reformuar! 
Deputeti nuk paraqitet 6 muaj radhazi në punë, këto 180 ditë nuk i quhen… mungesa në punë! 
E kemi fjalën, për rastet kur deputeti mungon në punë, kur sëmuret dhe përjashtohet nga parlamenti për disa ditë! Kemi konstatuar, se për këto ditë mungese në punë, ata paguhen rregullisht, duke mos u hequr asnjë qindarkë nga paga mujore! Mos pagesa për mungesat në punë, apo paraqitja e raporteve mjekësore prej deputetëve, jo vetëm nuk bëhet e nuk njihet si rregull dhe detyrim ligjor, por është një “thërrmijë” para fakti që atyre u njihet me ligj mungesa prej 6 muajsh në parlament dhe pagesa e kësaj periudhe! Deputeti, ka të drejtë të mos paraqitet në punë për 180 ditë me radhazi, pa dhënë asnjë shpjegim, pa paraqitur asnjë justifikim shëndetësor, pa u thirrur nga Byroja Parlamentare për këtë mungesë të gjatë prej 180 ditësh, duke u futur në kuvend vetëm 1 minutë në ditën e 180-të të mungesës së tij sa për të marrë pagën! Sepse kështu e ka ligji: Nëse deputeti mungon 6 muaj e merr pagën, nëse mungon 6 muaj e 1 ditë, nuk e merr dhe i hiqet mandati! Dhe shumë deputetë ikin në qejfet e bizneset e tyre dhe paraqiten pas 6 muajve për të marrë pagën e për të mos humbur mandatin! Sipas ligjit, si çdo individ në marrëdhënie pune edhe deputeti, ka detyrim ligjor të paraqitet përditë në punë, të paraqes raport mjekësor në qendrën e tij të punës (parlament), të mos paguhet për ditët kur përjashtohet nga puna! A respektohet ky ligj? Janë shumë fakte, që provojnë se prej deputetëve nuk zbatohet ky detyrim ligjor në marrëdhëniet e punës. Në 25 vite parlamentarizëm, “çuditërisht” asnjë deputet, nuk ka asnjë ditë mungesë… në punë! Prej 22 vitesh, asnjë deputet nuk ka paraqitur asnjë ditë raport mjekësor në financë, përveç ish-kreut të kuvendit, të ndjerit Pjetër Arbnori, në datat në datat 12-21 maj 1995. Edhe në 56 rastet, kur disa deputetë janë përjashtuar për disa ditë nga seancat parlamentare, atyre nuk u është ndalur pagesa e për asnjë dite pune!
Sigal