Ndryshon ligji për KLD-në, anëtarët nuk mund të ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit

425
Sigal

Idajet Beqiri: Ligji për KLD, arnë mbi arnë

Ranë mbi arnat e vjetra e quajti projektligjin e ri për anëtarët e KLD-së, av. Idajet Beqiri. Sipas tij, duhet një thellim në mendësinë për të punuar dhe vepruar me këndvështrimin e shërbimit ndaj shtetit ligjor dhe qytetarëve me afat tepër të gjatë.
“Në Shqipëri sistemi gjyqësor tregohet me “gisht” nga kushdo, nga publiku shqiptar dhe ndërkombëtarët, si më dëmsjellësi dhe si pengmarrësi më i madh i demokracisë, i mungesës së shtetit ligjor dhe i shkeljeve flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut. Dhe ky sistem gjyqësor është i vrarë, sepse vrasjen më të rëndë atij ja bënë KLD-ja, e cila në vend që të jetë në rolin e “kryegjyqtarit” perfekt, është nxitësja, mburoja dhe plaga më infektuese që infekton gjithë sistemin. Duke qenë kështu, KLD ka nevojë të rikonceptohet, të riformulohet dhe të rindërtohet në bazën e saj ligjore dhe në strukturë. Ndryshimet që paraqiten në projektin që është bërë publik, janë “arna” mbi arnat e vjetra që i janë ngjitur pa u menduar dhe pa u thelluar prej politikës së papërgjegjshme të ditës.
Ka ardhur koha që të mos punohet më “sot për sot” në këtë vend, as sipas mendësisë “sa të jem unë në qeverisje, më shërben ky ligj”! Duhet thellim, thellim dhe përsëri thellim në mendësinë për të punuar dhe vepruar me këndvështrimin e shërbimit ndaj shtetit ligjor dhe qytetarëve me afat tepër të gjatë. Nëse do të na sundojë kjo mundësi, projektligji për ndryshimet në ligjin e KLD duhet të mendohen mirë, të fiksohen mirë dhe t’i nënshtrohen një diskutimi dhe debati të thellë shkencor e profesional me gjithë grupet e interesit dhe me gjithë komunitetin e madh të juristëve të shquar të këtij vendi, të cilët ndodhen në gjyqësor, në prokurori, në institucionin e avokatisë, në policinë e shtetit, në shoqatat profesioniste afër gjyqësorit etj.”,- përfundoi fjalën z. Beqari.

Ja çfarë parashikohet konkretisht në propozimin e ri për anëtarët e gjyqësorit

Problematikat që kanë shoqëruar veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) gjatë viteve të fundit kanë nxitur një grup deputetësh të maxhorancës të propozojnë disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”. Projektligji, i përmbledhur në nëntë nene dhe i depozituar së fundi në parlament, ndër të tjera përcakton se: “Anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare nuk mund të transferohen apo të ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Edhe në rast se anëtari KLD-së, i zgjedhur nga KGJK-ja jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5 -vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë deri në përfundim të periudhës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni”. Një shtesë në ligj është ajo për nenin 7, i cili parashikon që anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. “Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit”,- thuhet në draft. Ndryshim pëson dhe neni 10 i ligjit aktual që flet për vlerësimin profesional. “Për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga KLD. Brenda tremujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës. Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, citohet drafti i ri për KLD-në. Neni 21 i ligjit për KLD-në, riformulohet si më poshtë. “Në rastet e arrestit, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, së gjyqtarit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori”. Me interes është shtesa që lidhet me procedimin penal ndaj një gjyqtari. Në këtë rast KLD vendos pezullimin e tij nga detyra, derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë. “Në rastet kur fajësia nuk provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë të gjykatës, gjyqtari ka të drejtë të kthehet në punën e tij të mëparshme dhe të marrë pagën e plotë që nga koha e pezullimi”,- përcaktohet në draft. Një tjetër shtesë në ligj parashikon që; “nëse KLD rrëzon masën disiplinore të propozuar nga Ministri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë një masë disiplinore më të lehtë.” Ligji organik për KLD-në ndryshon dhe në kushtet dhe rregullat e përgjithshme për emërimin e kryetarëve të gjykatave. Propozimi i shtimit të një neni, që trajton këtë situatë, lidhet pikërisht me faktin e plotësimit të vakumit ligjor, si edhe të problematikave të evidentuara deri tani në këtë drejtim. Ky propozim jo vetëm forcon normën ekzistuese, por përcjell edhe një qëllim madhor, atë të luftës kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit dhe të përmirësimit të performancës së kryetarëve të gjykatave në gjithë vendin. Po ashtu, ai synon dhe rritjen e përgjegjshmërisë së personave, të cilët do të duan të promovohen në këto detyra, por dhe rritjen e përgjegjshmërisë për të zbatuar ligjin të vetë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Konkretisht parashikohet që:
1. Vendi vakant për pozicionin e kryetarit të gjykatës, shpallet si i tillë, 3 (tre) muaj përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar të kryetarit të gjykatës. Afati tre mujor shërben për evidentimin e kandidaturave që konkurrojnë në pozicionin e kryetarit të gjykatës dhe mbledhjen e materialeve dhe të dhënave mbi bazë të të cilave do të bëhet përzgjedhja.
2. Emërimi i kryetarit të ri nuk mund të bëhet përpara deklarimit të mbarimit të mandatit të plotë të kryetarit ekzistues dhe në çdo rast jo më vonë se një muaj nga mbarimi i mandatit të tij.
3. Në rastet kur vendi i kryetarit në një gjykatë mbetet vakant për një nga situatat e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, delegon një nga gjyqtarët e kësaj gjykate për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit të gjykatës. Vendi vakant në këtë rast, duhet të plotësohet brenda tre muajve nga krijimi i tij.
4. Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një herë në dy vjet ose kur kërkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, paraqet përpara Këshillit një raport për punën e kryer nga kryetari i gjykatës. Raporti i Kryeinspektorit bazohet edhe në: a)raportin e të deleguarit pjesëmarrës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në analizat vjetore të gjykatës, e veçanërisht për punën e kryetarit;
b)vizitat e Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në gjykata gjatë mandatit të kryetarit;
c)materiale që vijnë nga Ministri i Drejtësisë;
ç) materiale të tjera që rezultojnë nga verifikimet apo kontrollet gjatë periudhës që ai ka qenë në detyrën e kryetarit të gjykatës.
5. Shqyrtimi i kandidaturave bëhet nga një komision i posaçëm i cili kryesohet nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
6. Përbërja, rregullat e funksionimit të komisionit të shqyrtimit të kandidatëve dhe procedurat e verifikimit dhe të testimit të tyre caktohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.”