Ndryshon ligji për Gjykatën Administrative, kur mund të ankimohen vendimet

498
Në kuadër të reformës në drejtësi, ndryshime do të pësojë dhe ligji për Gjykatën Administrative. Projektligji përbëhet nga 7 nene. Në nenet 1 dhe 2 të projektligjit parashikohet shfuqizimi i një shkronje dhe i disa neneve të ligjit aktual, pasi organizimi dhe funksionimi i gjykatave, rregullohen tashmë në ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa emërimi, shkarkimi dhe përgjegjësia disiplinore dhe procedimi disiplinore parashikohen ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe në ligjin nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Gjithashtu në nenin 2 të këtij projektligji, shfuqizohen të gjitha dispozitat ligjore që parashikojnë emërimin, shkarkimin, procedurën për shpalljen vakant për ndihmësit ligjor në Gjykatën Administrative të shkallës së parë dhe atë të Apelit, pasi të gjitha këto aspekte kalojnë në kompetencë të KLGJ. Në nenet 3 dhe 4 parashikohen disa saktësime lidhur me kompetencën juridiksionale për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës të nëpunësve civilë ose nëpunësve civilë gjyqësorë, si dhe mosmarrëveshjet kontraktuale të natyrës së të drejtës private.
Në nenin 5 parashikohen disa ndryshime për rastet kur mund të ankimohen me rekurs vendimet e shpallura nga Gjykata Administrative e Apelit. “Vendimet e shpallura nga Gjykata Administrative e Apelit mund të ankimohen me rekurs në Seksionin Administrativ të Gjykatës së Lartë vetëm kur: pritet zgjidhja e një çështjeje ligjore me rëndësi thelbësore, në veçanti për ato raste kur vendimi i ankimuar është i ndryshëm nga praktika gjyqësore e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, në rast se një praktikë e tillë nuk është e krijuar ose kur çështja ligjore nuk është interpretuar në mënyrë të njëtrajtshme nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë; ka shkelje të rënda të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit apo të procedurës së gjykimit”, thuhet në ligj.
Sigal