Ndryshojnë procedurat e vlerësimit të nëpunësve civilë

856
Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë procedurat e vlerësimit të nëpunësve civilë për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë. “Çdo nëpunës civil është i detyruar t’i nështrohet, periodikisht, testimit paraprak dhe, kur është e nevojshme, procedurës së trajnimit çdo 4 vjet. Kur nuk është e mundur, ky vlerësim mund të shtyhet deri në 6 vjet. Përjashtimisht, nëpunësit civilë në njësitë teknike të përmbajtjes së sistemeve tatimore e doganore janë të detyruar t’i nënshtrohen kësaj procedure çdo 2 vjet”, thuhet në vendimin e qeverisë. Nuk i nënshtrohen kësaj procedure nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese, ata në periudhë prove; nëpunësit civilë, të cilët janë të pezulluar; ato, të cilët janë me leje lindjeje; nëpunësit civilë, të cilët kanë kryer procedurën e lëvizjes paralele apo atë të ngritjes në detyrë në vitin e fundit, përpara zhvillimit të procedurës. Gjithashtu, përjashtohen nëpunësit civilë në vitin e fundit të punës, përpara mbushjes së moshës së pensionit, si dhe diplomatët e karrierës. Disa prej këtyre kategorive mund t’i nënshtrohen kësaj procedure, përkatësisht, 1 vit pas sistemimit të tyre në një pozicion pune, 1 vit pas përfundimit të lejes së lindjes apo 1 vit pas emërimit, si pasojë e lëvizjes paralele/ngritjes në detyrë. “Mosparaqitja e nëpunësve civilë në testimin paraprak apo testimin në përfundim të trajnimit, pa shkaqe të arsyeshme, konsiderohet shkelje e detyrimeve të përcaktuara në ligjin e nëpunësit civil dhe përbën shkak për fillimin e ecurisë disiplinore”, thekson vendimi, duke shtuar se shkaqe të arsyeshme konsiderohen rastet e sëmundjeve të nëpunësit civil apo fëmijëve të mitur, vërtetuar me raport mjekësor; martesa e nëpunësit civil; martesa e fëmijës së tij; vdekja e prindërve, gjyshërve, bashkëshortit/es, fëmijës, vëllezërve, motrave; sëmundjet e rënda të fëmijëve, prindërve, bashkëshortit/es, të vërtetuara me raport mjekësor; rastet e trajnimit jashtë vendit të nëpunësve civilë, për një periudhë me të gjatë se 1 muaj, të organizuar nga institucioni. Nëpunësit civilë, të cilët nuk paraqiten në testimin paraprak apo në testimin në përfundim të trajnimit për shkaqet e arsyeshme të përcaktuara, janë të detyruar t’i nënshtrohen procedurës së testimit në rastet e testimit paraprak, brenda 3 muajve, nga data e rikthimit në punë dhe në rastet e testimit në përfundim të trajnimit, brenda 1 muaji, nga data e rikthimit në punë. Grupet e pozicioneve dhe fushat e njohurive, për të cilat do të zhvillohet procesi i vlerësimit për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, përcaktohen brenda muajit shkurt të çdo viti, nga Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve, për institucionet e administratës shtetërore, si dhe njësitë përgjegjëse të institucioneve të pavarura, për secilin institucion të pavarur. Brenda muajit prill të çdo viti, DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për institucionet e pavarura, hartojnë listat e nëpunësve, të cilët do t’i nënshtrohen kësaj procedure dhe, bazuar në dosjet e nëpunësve e në përshkrimet e tyre të punës, bëjnë ndarjen e tyre në grupe të përbashkëta. Në këto grupe marrin pjesë nëpunësit që kanë përshkrime pune të njëjta/ të përafërta. 
Vlerësimi dhe njoftimi
Vlerësimi i nëpunësve civilë, të cilët i nënshtrohen procedurës, bëhet nëpërmjet testimit me shkrim. Vlerësimi maksimal është 100 pikë. Brenda 10 ditëve, nga përfundimi i testimit me shkrim, Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore, dhe njësitë përgjegjëse, për institucionet e pavarura, u njoftojnë nëpunësve civilë, të cilët i janë nënshtruar procedurës, si dhe njësive të burimeve njerëzore të institucioneve, ku këta nëpunës civilë janë të punësuar, rezultatin e testimit me shkrim.
Përbërja e komisionit të vlerësimit:
a) Për institucionet e administratës shtetërore:
– një përfaqësues nga DAP-i, i cili kryeson komisionin;
– një përfaqësues nga ASPA;
– një anëtar nga TND-ja, që zgjidhet nga DAP-i. Në rastin e testimit të nëpunësve civilë të njësive teknike të përmbajtjes së sistemeve tatimore e doganore, përfaqësuesi i TND-së do të zgjidhet nga anëtarët e TND-së të ministrisë përgjegjëse për këto sisteme;
– dy ekspertë të fushës.
b) Për institucionet e pavarura:
– një përfaqësues nga njësia përgjegjëse e institucionit të pavarur, që po zhvillon procedurën, i përzgjedhur nga drejtuesi i njësisë përgjegjëse, i cili kryeson komisionin;
– një përfaqësues nga ASPA;
– nëpunësi më i lartë civil i institucionit të pavarur, që po zhvillon procedurën;
– dy ekspertë të fushës.
Sigal