“Ndryshimi, që kërkojmë nga të tjerët, nisë nga vetja”

6057
Sigal

INTERVISTA/ PROF.DR. Lisen Bashkurti: “Në politikë kam hyrë si vetvetja për t’iu dedikuar Kombit e qytetarëve shqiptarë dhe kur të dal do jem sërish vetvetja”

Prof. Dr. Lisen Bashkurti , Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës dhe sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë të AK-së,  është një intelektual me integritet, provë e së cilës është edhe ai motiv që e ka shtyrë të rimerret sërish me politikë: “Nevoja për të ndryshuar politikën e keqe, me thirrje të brendshme, por edhe me nxitjen dhe këmbënguljen e shumë qytetarëve shqiptarë dhe të huaj.  Në politikë kam hyrë si vetvetja për t’iu dedikuar Kombit e qytetarëve shqiptar dhe kur të dal do jem sërish vetvetja”. Ndoshta kjo, po të mos e njohësh nga afër Prof. Bashkurtin, mund të mos jetë bindëse, mirëpo kur njihesh me kontributin e tij intelektual, “ Katër herë në jetë jam dorëhequr nga postet e mia publike politike, diplomatike dhe akademike, pikërisht sepse nuk jam pajtuar me vendime që më kanë krijuar kundërshti të brendshme midis bindjes, moralit dhe karakterit”, lë te gjithsecili atë shëmbëlltyrë morali, personaliteti të njerëzve të fuqishëm që ndikojnë në rrjedhën e evoluimit të vetë shoqërisë.

– Si shoqëri, jemi në rrugë të mbarë të zhvillimit? Kemi vizion të qartë sesi duhet të mbërrijmë te ajo që kemi përcaktuar si aspirata jonë?

Mendoj se shoqëria shqiptare është në kërkim të një aspirate të qartë. Por, rruga drejt kësaj aspirate duket të jetë kaotike. Në këtë kërkim drejt një aspirate ndeshemi me shumë asimetri. Këto asimetri, ose e thënë ndryshe këto kundërthënie, kundërvënie apo kundërshti, të cilat nisin nga brenda vetes sonë e shtrihen në nivel të gjerë mbarëshoqëror i japin procesit ulje-ngritje, ecje dhe kthime pas, devijime të skajshme, ngritje dhe stanjacione, shpresa dhe zhgënjime. Shoqëria konsiderohet se, është në rrugë të mbarë dhe po ecën qartësisht drejt aspiratës vetëm atëherë kur, sipas Sokratit, çmon normat morale, të prirura vetëm nga e vërteta.

–  Njeriu sot, a është më i lirë, nga 22 vjet më parë?

Personalisht e shoh konceptin e lirisë, të matshëm vetëm me dy komponentë: me moralin dhe me dijen. Mendoj se, përsa kohë ka një hendek midis lirisë së pretenduar dhe moralit e dijës, hapësirat e lirisë që ëndërrojmë janë akoma larg, madje në shumë aspekte mjaft larg. A jemi sot më të ditur, a jemi sot më të moralshëm? Mendoj se, këto dy vlera nuk kanë ecur në mënyrë simetrike me kohën, ndaj dhe dimensioni i lirisë lë për të dëshiruar. Çdo hap drejt moralit dhe dijes është një hap drejt lirisë. Çdo hap drejt  vesit dhe injorancës është kufizim i lirisë ose liri iluzive.

–  Lufta për mirëqenie, a i ka bërë njerëzit sot më humanë, apo…?

Shoqëria shqiptare nuk e ka kaluar periudhën e ndritur të humanizmit, që kulmoi në fund të Mesjetës për t’i hapur rrugë ndriçimit të bukurive shpirtërore e fizike të njeriut, përkundër obskurantizmit, fanatizmit e dogmës së fesë në atë periudhë të errët të njerëzimit. Ëndrra e demokracisë ngjalli shpresën për mirëqenie. Por, shpresa për mirëqenie nuk ka ecur paralelisht me bujarinë, respektin dhe dhembshurinë. Kjo asimetri midis shpresës së madhe për mirëqenie dhe mundësive të vogla për realizimin e saj e ka deformuar së tepërmi humanizmin e shoqërisë në kohën tonë. Në trashëgiminë e identitetit të tyre shqiptarët njihen si humanë, shpirtmirë dhe bujarë.

Sa përpiqemi sot të ndryshojmë vetveten?

Në shoqëri ndryshimi fillon nga vetja.. Ky ndryshim nga vetja ka të bëjë me kultivimin brenda vetes të kërkimit, mbrojtjes dhe vlerësimit të vërtetës; të edukimit dhe të ushtruarit të maturitetit; të mbajtjes gjallë dhe të ngritjes së kurajos dhe respektit të paluhatshëm ndaj të drejtës. Mendoj se bëjmë përpjekje të pamjaftueshme që individualisht t’i ngremë këto katër kolona brenda vetes sonë dhe pastaj t’i shtrijmë në shoqërinë e hapur. Nga ana tjetër, ndryshimi i nisur nga vetja është një vektor formimi e ngritje shpirtërore nga poshtë lart, që përbën mënyrën sesi lind e zhvillohet demokracia në shoqëritë moderne.

Kjo tendencë, a mendoni se është shprehje e inferioritetit, kulturës së ulët demokratike, si sëmundje foshnjore të shoqërisë sonë, e cila pretendon standardet e demokracisë perëndimore?

Në historinë e njerëzimit, katër janë lëvizjet e mëdha që kanë prodhuar atë që njihet sot si civilizimi modern. Lëvizja e parë është humanizmi, që lindi e shkëlqeu në Itali. Lëvizja e dytë është reformacioni që lindi e kulmoi në Gjermani. Lëvizja e tretë është iluminizmi që lindi e u shpërflak në Francë. Lëvizja e  katërt është revolucioni industrial, që lindi e ndriti në Angli. Këto katër lëvizje përfshinë një hark kohor afro pesë shekullorë. Shoqëria shqiptare, por jo vetëm ajo, gjithë popujt që jetuan afro 500 vjet nën sundimin otoman nuk i kanë kaluar këto katër lëvizje drejtpërsëdrejti dhe së brendshmi në shoqëritë e tyre. Shoqëria shqiptare, por edhe ato Lindore i kanë përjetuar këto katër lëvizje shumë më vonë, shumë më të fragmentuara dhe si të imponuara nga jashtë. Pa përjetuar së brendshmi dhe në mënyrë tërësore humanizmin, reformacionin, iluminizmin dhe industrializimin shoqëria ngelet në nivele paracivilizuese dhe si e tillë do të konsumojë shumë mund, kohë dhe kosto për të realizuar vlerat e vërteta demokratike Perëndimore

Të bërit politikë në Shqipëri, cilit qëllim i shërben dhe a krijon besim te njerëzit?

Në Shqipëri politika është ende larg të qenit arti i influencimit pozitiv mbi njerëzit për të siguruar mobilizimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e aspiratave të larta demokratike. Gjithashtu, tek ne, politika është akoma më larg të qënit shkencë, pra si një fushë që mbështetet tek studimi, dija, analiza, sinteza e prognoza afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjate. Mund të shprehemi se politika tek ne, në stadin që flasim nuk është as art, as shkencë dhe aq më pak të dyja së bashku. Politika tek ne është më së shumti në nivelet e diletantizmit, mediokritetit, spontanitetit dhe vesit.

 A shihni tendenca për të ndërtuar ura besimi midis politikës dhe qytetarëve të shoqërisë?

Po. Tendencat nuk mungojnë. Ka përpjekje edhe nga politika për të ofruar alternativa më kombëtare e publike. Ka tendenca edhe nga shoqëria për të qenë më e ndjeshme dhe më aktive. Besimi ndërtohet me përpjekjet e të dy palëve. Natyrisht, politika ka përgjegjësinë për të qenë më e hapur, më legjitime, më transparente, më llogaridhënëse, më gjithëpërfshirëse. Politika nevojitet të jetë kombëtare e publike. Shoqëria ka obligimin për të qenë më syhapur, më e kujdesshme në hedhjen e votës dhe shumë më aktive përmes aksionit qytetar në ndjekjen e votës si premtim, si alternativë, si interes kombëtar e publik.

Cili sukses i punës të jep kënaqësi shpirtëror?

 Dy punë më japin kënaqësinë më të madhe: komunikimi publik dhe hulumtimi shkencor. Komunikimin publik e kam pikën time më të dëshiruar. Kur shkrimin apo librin e shoh në shtyp përjetoj pak a shumë atë gjendje që mund të përjetojë nëna e re kur lind një fëmijë të dëshiruar e të shumëpritur.

Gjëja më e hidhur që ju ka ndodhur në profesionin si studiues e botues? Po në jetë?

Në profesion si studiues e botues më ka hidhëruar tejmase mosmirënjohja dhe heshtja e njerëzve prej të cilëve pres e shpresoj shumë. Në jetë më ka hidhëruar humbja e tre njerëzve të mi shumë të shtrenjtë: nëna, babai dhe vëllai im i paharruar. Këto njerëz kanë marrë me vete pjesë të shpirtit tim, sepse i kam dashur dhe më kanë dashur në mënyrë magjepsëse. Pres t’i takoj në botën tjetër për t’u çmallur me to. ( përlotet).

–  Cilët njerëz të mëdhenj të kanë inspiruar nga takimet tuaja direkte me to?

 Nënë Tereza, të cilën e kam pritur në Tiranë përpara viteve ‘90 dhe Vaclav Havel, të cilin e kam takuar në Këshillin e Evropës në Strasburg.

A e ndjejmë nevojën për t’u pasuruar shpirtërisht?

 Shumë pak. Jashtëzakonisht, pak. Shoqëria shqiptare ka rënie vlerash shpirtërore. Është koha për të bërë gjithçka që të ngremë shpirtërisht qytetarin dhe shoqërinë shqiptare. Pa ngritje shpirtërore nuk krijohet besimi. Pa besim nuk ka energji njerëzore. Pa energji njerëzore nuk ushqehen shpresat. Pa shpresa shoqëria shuhet.

–  Cila është filozofia e jetës tuaj?

Jeta është një dhuratë që na jepet njëherë. Si të tillë atë nevojitet t’ua lëmë trashëgimi të tjerëve më të pasuruar me virtyte dhe dije.

Sa ndikoni ju në vendimmarrjet e fëmijëve tuaj, lidhur me jetën e tyre?

Unë lodhem shumë gjithë ditën, nga mëngjesi deri në darkë, duke punuar në zyrë, duke komunikuar me njerëz.. Kështu që kur shkoj në shtëpi dhe takohem me fëmijët e bashkëshorten nuk kam shumë fuqi për të folur, moralizuar e influencuar. Kur më pyesin, djali, Arbëri apo vajza, Dea, u jap këshillat e mija. Por, më shumë përpiqem të influencoj me qëndrimin, sjelljen dhe me punën time.

Cilat janë pasionet tuaja?

Shkencat humane dhe artet e bukura.

A keni kohë të lirë? Kur keni si e kaloni?

 Dikur kam patur më shumë. Duke kaluar vitet koha e lirë më kufizohet. Më duket sikur toka po më rrëshqet nën këmbë. Kam aq shumë punë pa bërë, sa do më duhej të filloja një jetë tjetër nga e para për t’i kryer të gjitha. Kështu që, përballë këtij “alarmi” kam vendosur të sakrifikoj kohën e lirë. Kur kam kohë të lirë, shkoj te kafja ime për të takuar miqtë e mi të shumtë. Kur koha e lirë është pakëz më e gjatë, marr familjen e dalim herë nga malet për mish, herë nga deti për peshk. Në çdo rast pimë verë të kuqe.

Çfarë virtytesh vlerësoni më shumë te njerëzit dhe çfarë nuk i’a falni kurrë?

Ndër virtytet çmoj sinqeritetin, mirënjohjen dhe tolerancën. Ndër veset urrej kompromisin me të keqen, mashtrimin, mosmirënjohjen dhe hakmarrjen.

–  Njeriu më i dashur për ju?

 Kam tre, nuk i ndaj dot: bashkëshortja e jetës, djali dhe vajza. Jetoj për to, punoj për to, lutem për to.

–  A ju është dashur ndonjëherë të merrni vendime në kundërshtim me bindjen tuaj morale apo me karakterin tuaj?

 Për çështje që janë varur tërësisht nga unë, jo. Për çështje që kanë qenë kushtëzuar nga postet publike, politike, diplomatike e akademike, kam pasur raste. Midis bindjes, moralit dhe karakterit ka lidhje dhe dallime. Bindjet e mija kanë evoluar, madje shumë më shpejt sesa e kam pasë parashikuar. Ndërsa morali dhe karakteri im kanë ngelur mjaft konservator. Katër herë në jetë jam dorëhequr nga postet e mija publike politike, diplomatike dhe akademike, pikërisht sepse nuk jam pajtuar me vendime që më kanë krijuar kundërshti të brendshme midis bindjes, moralit dhe karakterit.

Me gruan tuaj për çfarë gjërash keni divergjenca dhe ju nuk lëshoni pe?

 Me gruan time, Majlindën kam ndarë gjithçka në këto 30 vitet e jetës bashkëshortore. Në jetë kemi pasur mosmarrëveshje për plot gjëra. Por, kurrë nuk kemi arritur në divergjenca të papajtueshme. Ime shoqe më ka toleruar shumë dhe gjatë gjithë kohës. Madje, Majlinda ka qenë dhe mbetet simboli i sakrificës në emrin e burrit të saj. Çdo lëvizje ime publike, politike, diplomatike apo akademike jo konformiste me politikat tona zyrtare qysh në vitet e fundit të komunizmit deri në ditët tona është pasuar me goditje mbi karrierën e profesionin e saj. Pavarësisht se ka karrierë mbi 25- vjeçare, ka fituar statusin e nëpunësit civil prej 15 vitesh, ka marrë titullin Master dhe vijon doktoraturën në një universitet Evropian jashtë shteti, Majlinda vijon të jetë pa punë, vetëm për arsyen e qëndrimit politik zyrtar ndaj meje.

A ka motive që i riu apo e reja të jenë optimistë për të ardhmen?

Po. Absolutisht, po. Gjenerata e re shqiptare është vitale, e mençur, e ditur, moderne, ambicioze, atdhetare, demokratike dhe euro-amerikane në filozofinë e vet. Politika nevojitet t’i hapë portalin e saj rinisë. Forcat e reja politike, sidomos Aleanca Kuqe Zi e ka rininë energjinë e saj kryesore nga pikëpamja sasiore dhe cilësore.

–  Fëmijëve tuaj do i këshillonit të bëheshin politikanë?

Unë jam konservator dhe tradicionalist në filozofinë tim. Për këtë arsye çmoj shumë ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë. Nuk ka e nuk mund të ketë politikë e diplomaci pa filozofinë konservatore të trashëgimisë. Babai im studioi jashtë shteti 4 vjet për shkenca strategjike. Më ka lënë një bibliotekë të radhë. Unë i jam dedikuar shkencave politike e ndërkombëtare dhe nuk do heq dorë prej tyre deri në frymën e fundit. Djali vijon studimet e doktoraturës për të drejtën ndërkombëtare me drejtim të drejtat e njeriut. Vajza është tejet e talentuar në shkencat shoqërore. Të dy fëmijët flasin nga tre gjuhë të huaja më mirë se unë që kam jetuar e punuar jashtë një dekadë e gjysmë. Kjo frymë e fëmijëve të mi më emocionon shumë, ndonëse unë nuk e nxis vetë, për të mos i lënë që të shkojnë në skaj.

Dhjetor, 2004    Vëzhgues  OSBE nё zgjedhjet e   pёrgjithshme nё Ukrahinё Maj, 2006          Vёzhgues i OSBE nё Referendumin e Malit tё Zi pёr pavarёsi

Shtator, 2006     Vёzhgues i OSBE nё zgjedhjet   pёrgjithshme nё Malin e Zi

Ka mbi 12 botime, më të rëndësishëm janë: 1. “Shqiptarёt nё Rrjedhat e Diplomacisё”,2. “Diplomacia Shqiptare nё Fillimet e Luftёs sё Ftohtё”, 3. “Diplomacia e Vetёizolimit”, 4. “Albanian Diplomacy Betëeen the Past and the Future”, 5. “Identiteti, Imazhi, Diplomacia”, 6. “Political Dynamic Within the Balkan Countries”,  Chicago, USA 7. “Identity, Image, Diplomacy”, Skopje, Macedonia, 12. “Evropa, Ballkani dhe Sfida e Kosovёs”, 13. “E Drejta Ndёrkombёtare dhe Organizatat Ndёrkombёtare”, 14. Negociatat – Historia, Teoria, Praktika 15. Krizat- Paralajmёrimi, Menaxhimi, Zgjidhja 18. National Identity, International Values, Maqedoni 2010 19. Çamëria – Në rrugën e zgjidhjes, Tiranë 2012 20. Studime Ballkanike, Tiranë 2012