“Ndryshimi i Kushtetutës do të jetë produkt i kompromiseve të politikës dhe pa referendum”

501
Sigal

INTERVISTA/ Flet eksperti ligjor Sokol Hazizaj: “Referendumi është e vetmja rrugë e ndryshimeve kushtetuese”

Ideja e organizimit të referendumit, nga Kryeministri Berisha, edhe pse ditëgushti, ka ndezur debatin, nëse kjo nismë politike është e mundshme nga ana kushtetuese të realizohet në afatin e përcaktuar nga ndërkombëtarët, deri në fund të tetorit, kur do të bëhet vlerësimi i arritjeve të 12 prioriteteve të BE-së për dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë. Eksperti i njohur ligjor, Sokol Hazizaj, ish-zëvendministër i Drejtësisë, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, referendumi është e vetmja rrugë e ndryshimeve kushtetuese. Zoti Hazizaj argumenton se: “Lidhur me referendumin dhe zhvillimin e tij kam të njëjtën arsyetim, Kryeministri e gjeti të papërgatitur opozitën në gjetjen e mjetit të duhur politik për ta hedhur poshtë deklaratën e tij, si të pamundur juridikisht dhe në kohë”. E, megjithatë, zoti Hazizaj, pohon se referendumi ka mundësi të mos zhvillohet, pasi PD-PS do të arrijnë në kompromisin politik të reformës të heqje/kufizimit të imunitetit. Më tej, zoti Hazizaj thotë se “Bazuar mbi konceptin e kushtetushmërisë, referendum si proces nuk ka defekte”.

Zoti Hazizaj, reforma e heqje/kufizimit të imunitetit, a mund të zgjidhet vetëm me referendum?

– Sa i përket ndryshimeve kushtetuese lidhur me imunitetin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionarëve të lartë të shtetit, që janë produkt i ligjit kushtetues, theksoj se, ekzistojnë dy forma të largimit nga e drejta për të patur imunitet, ose ndryshe, mbrojtje ligjore, për shkak të funksionit që ushtrohet nga shtetasi, të cilat janë ndryshimet ligjore, rast pas rastit në të drejtat materiale dhe procedural, ose nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Më e thjeshta është rruga e dytë, ajo kushtetuese, çka se në rastin tonë bëhet si e vështirë, për shkak të vullnetit politik që ekziston aktualisht. Dua të kujtoj se Kushtetuta, si produkt, megjithëse është vullnet politik si në krijim dhe në zbatim, më tepër ajo është dhe duhet të konsiderohet si e vetmja pronë-mbrojtje, siguri për të gjitha arsyet për qytetarin shqiptar. Sa kohë është e tillë, sensi konservator i ndryshimit të saj është më i domosdoshëm se ai liberal, prandaj quhet dhe ligj themeltar. Si e tillë, ky ligj s’mund të ndryshojë sa herë politika ka konflikte idesh dhe mentalitetesh për më tepër. Por, kur është e domosdoshme, si dhe në rastin e imunitetit, ajo dhe mund të amendohet, por duhet patur kujdes i madh. Në se vendoset të amendohet dhe ndryshojë, në opinionin tim, duhet konsumuar rruga referendare, në mënyrë të domosdoshme për shumë arsye, midis të cilave, janë rezervat e deritanishme, që janë shfaqur për ndryshimet e saj në vitin 2008, papjekuria e shfaqur deri tani nga klasa politike, për shkak të papajtueshmërisë drastike që ka ajo midis vehti, ndryshimi i sistemit zgjedhor nga maxhoritar në proporcional krijoi raport të theksuar midis shtetasit dhe interesave të tij dhe klasës politike si përfaqësuese tij. Këto dhe arsye të tjera e bëjnë të pamundur ndryshimin e të vetmes pronë që ka shtetasi për t’u përfaqësuar në kërkim të së drejtës tij, që është Kushtetuta.  Pra, në opsionin tim formal-juridik, për arsyet që citova më sipër dhe për të tjera. Referendumi është e vetmja rrugë e ndryshimeve kushtetuese

– A besoni ju se Kryeministri vërtet dëshiron heqjen e imunitetit për të luftuar korrupsionin, ndaj edhe organizon referendumin, apo referendumi është një mjet propagandistik?

– Të them të drejtën, në se ka për të besuar në këtë moment, është që Kryeministri më shumë se çdo njëri tjetër i intereson heqja e imunitetit, sepse qeveria edhe në mungesë të imunitetit të shkruar dhe njohur ligjor, gëzon imunitet procedural, pra është në qeverisje, që do të thotë se nuk i cenohet asgjë nga statura qeverisëse e tij. E vetmja që cenohet në këtë rast është opozita, çka se propagandistët e saj nuk ditën ta interpretojnë këtë fakt bindës. Kujtoj se mbulesa imunitare është njohur në të drejtën kushtetuese, me qëllimin e mirë të mbrojtjes së fjalës së lirë dhe veprimit në liri të plotë të opozitës. Thënë ndryshe, kush më shumë se imuniteti kushtetues i fjalës lirë të opozitës do t’i shërbente më mirë se lëvizjes “Act novv”. Për kë e kanë fjalën ndërkombëtarët më shumë se për opozitën e kohës. Prandaj, theksoj, se në se opozita e sotme për shkak të pamundësisë së përfaqësimit dhe rrjedhimisht dhe argumentit i dha dorë Kryeministrit të deklamohet si njeriu më i interesuar për heqjen e imunitetit, çka se nga ana e saj, opozita është treguar vullnet total për të hequr dorë nga mbrojtja imunitare, si në rastin e tre deputetëve të saj. Lidhur me referendumin dhe zhvillimin e tij kam të njëjtën arsyetim, Kryeministri e gjeti të papërgatitur opozitën në gjetjen e mjetit të duhur politik, për ta hedhur poshtë deklaratën e tij, si të pamundur juridikisht dhe në kohë. Në se do të ishte e përgatitur, meqenëse të gjithë deputetët ishin në sallë, në zbatim të nenit 150, pika 2, mund të formatonte të gjithë iniciativën ligjore për organizimin e referendumit me kuorumin e 1/5 të Kuvendit të Shqipërisë, më pas të konstatonte se sa dëshirë kishte Kryeministri për të organizuar procesin referendar. Opozita e ka 1/5 e Kuvendit të Shqipërisë.

– Duke e marrë të mirëqenë, skenari i referendumit  a ka defekte kushtetuese, ligjore dhe morale?

– Bazuar mbi konceptin e kushtetutshmërisë, referendum si proces nuk ka defekte, por ku i referohesh realitetit konstaton se zhvillimi tij është i pamundur si në kohë dhe hapësirë. Në kohë për shkak të momentit kur ndodhemi dhe në respekt të afateve të parashikuara në nenin 152 të Kushtetutës, duke mos harruar negociatat e vështira të politikës tonë. Në hapësirë bëhet ende më e vështirë kur mendon se çfarë duhet ndryshuar më parë. Me sa konstatoj, çka se nuk është deklaruar qartë nga politika, ndryshimet s’janë fare të thjeshta, të cilat duhen nënvleftësuar, në esencë ato prekin thelbin e disa institucioneve të drejtësisë dhe për pasojë dhe funksionimin e tyre, pra prekin sistemin, që do të thotë se, ndryshimet duhen trajtuar dhe ratifikzaur qartë në publik, prandaj është i domosdoshëm referendumi.

 – Mosmbajtja deri ne tetor e referendumit për imunitetin, a nuk rrezikon mospërmbushjen e prioritetit të BE për statusin kandidat të Shqipërisë?

– Pa qenë paragjykues, jam i bindur se ndryshimi i Kushtetutës do të vijë si pasojë e kompromiseve brenda politikës dhe pa referendum, pra në Kuvendin e Shqipërisë, arsyet për të cilat do të ndodhë dihen se janë të përsëritura….

Politika përpiqet që të miratojë një referendum për imunitetin, kur ka refuzuar referendumin për ndalimin e plehrave. Së pari, a ka përplasje kushtetuese për zhvillimin e këtyre referendumeve paralelisht? Dhe, sa e sinqertë është politika me referendumin që kërkon për imunitetin, kur ajo refuzon, anashkalon nisma politike e qytetare që lidhet me interesa më të gjera qytetare, siç janë kalimi i ndryshimeve kushtetuese në 2008 në referendum, zgjedhja direkte e Presidentit dhe e Parlamentit?

– Duke i qëndruar besnik fjalës së sipërcituar që nuk do të ketë referendum, sepse nga e vetmja gjë nga e cila ka frikë politika është qytetari, mendoj se nuk ka lidhje midis referendumit për imunitetin dhe referendumit të plehrave. Madje, do të thosha se ndonjëherë ose shpesh herë vendosja e kushteve të tilla duket sikur justifikon pretendimin e Kryeministrit për mosdashje nga opozita të referendumit. Ritheksoj se, e vërteta e këtij momenti është ndryshe nga ajo çka duket, problemi qëndron te fryma e argumentit, e cila gjendet vetëm nëpërmjet përmirësimit të përfaqësimit.

– Faleminderit!